Ajo ditë do jetë e vështirë për mohuesit!

Ajo ditë do jetë e vështirë për mohuesit!

Falënderit dhe lavdatat i takojnë vetë Allahut, Zotit të botëve! Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut, i Cili është i vetëm dhe nuk ka ortak. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Do të ndalemi pak me fjalën e Allahut të Lartësuar ku cilëson ditën e gjykimit duke thënë: “Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit!” [Suretu Furkan: 26].

Për vështirësinë e asaj dite ja vlen që të ndalemi e të meditojmë në mënyrë që njeriu të marë shkaqet dhe rrugën se si të shpëtojë nga vështirësia e asaj dite. Sepse ajo është ditë që do t’i vijë njeriut dhe është e pashmangshme! Është dita që do ti kërkohet llogari njeriut, dhe kjo është e pashmangshme! Dhe për mohuesit kjo ditë cilësohet e tillë “Ajo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit!” [Suretu Furkan: 26].

Vështirësia e asaj dite është si pasojë e veprave të tyre të liga dhe gjendjes së keqe që kanë pasur në jetën e kësaj bote. Siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti), dhe mohon më të mirën! Ne do ta përgatisim për më të vështirën.” [Surja Lejl: 8-10]

Kjo vështirësi vjen si pasojë e asaj çka vepruan ata duke u treguar kryeneç ndaj të vërtetës, duke jetuar të humbur e të devijuar nga feja e Allahut të Lartësuar.

Vështirësisë së asaj dite i bashkohet edhe kohëzgjatja e cila do të jetë e habitshme! Një ditë prej ditëve të saj është sa pesëdhjet mijë vite, siç na ka treguar Kurani dhe hadithi i Pejgamberit, (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të). Një ditë e vetme është e barabartë me pesëdhjet mijë vite!! Njerëzit do të qëndrojnë në pritje në atë ditë të gjatë, ditë në të cilën dielli do tu afrohet krijesave, e kjo ditë do të jetë e vështirë për mohuesit! Porse Allahu do t’ia lehtësojë këtë ditë robit besintarë, si nga aspekti kohëzgjatjes së kësaj dite po ashtu edhe në aspektin e shpëtimit nga kjo vështirësi.

Sa i përket lehtësimit në kohëzgjatje, është transmetuar në hadithin që përcjell imam Hakimi në ‘Mustedrekun e tij’ nga hadithi i Ebu Hurejras, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), se i dërguari i Allahut, (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dita e gjykimit do të jetë për besimtarët sa koha mes drekës dhe ikindisë.” Kjo ditë e cilla do të jetë me këtë kohëzgjate, e lehtëson Allahu për besimtarin dhe e bën të jetë sa koha që është mes dy namazeve, të drekës dhe ikindisë.

Ata do të shpëtojnë nga vështirësia e kësaj dite në bazë të besimit dhe llojeve të punëve të mira me të cilat janë afruar tek Allahu i Lartësuar. Është transmetuar në hadith se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i fusë në hijen e Tij atë ditë ku nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij!” Dhe kjo është pjesë e lehtësimit që do tu ofrohet besimtarëve dhe atyre dhe janë afruar tek Allahu me anë të veprave të mira dhe adhurimeve.

Vlen të përmendim diçka të rëndësishme, të nderuar vëllezër! Namazi që është shtylla e fesë pas dy dëshmive të Islamit, ka një lidhje të ngushtë me lehtësimin e vështirësisë së asaj dite dhe mos lehtësimin e saj. Dijetari i madh Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘Njeriu para Zotit të tij qëndron dy herë: herën e parë në namazin që kryen dhe herën e dytë ditën e llogarisë. Ndaj ai i cili i jep hakun qëndrimit të parë, i lehtësohet atij qëndrimi i dytë. E ai i cili neglizhon në qëndrimin e parë dhe nuk i jep hakun e duhur, atëherë atij do t’i vështirsohet qëndrimi i dytë.”

Ndaj, namazi i cili është shtylla e fesë dhe ky qëndrim përpara Allahut të lartësuar në namaz ka lidhje të ngushtë me lehtësimin e vështirësisë së asaj dite. Dhe mendoj se e vutë re në hadithin e mëparshëm të Ebu Hurejras ku Pejgamberi (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) thoshte: “Dita e gjykimit për besimtarin do të jetë sa koha mes drekës dhe ikindisë.” E krahasoi me kohën mes dy namaze dhe jo me diçka tjetër!! E caktoi me kohën e namazit, sepse namazi është puna e këtyre besimtarëve dhe se namazi luan rol kyç në lehtësimin e tyre. E kufizoi lehtësimin e vërshtirsisë së asaj dite me namazin për ata që janë veprues të tij dhe të kujdesshëm ndaj tij.

Imam Tirmidhi përcjell në librin e tij ‘ElXhamiu’ nga hadithi i Hurejth ibn Kabisate (Allahu e mëshiroftë) se ka thënë: ‘Shkova në Medine dhe u luta duke thënë: O Allah! Ma lehtëso të gjej një njeri të mirë! Shkova dhe u ula tek Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). I thashë: Unë ju luta Allahut që të ma lehtësojë të gjej një njeri të mirë, ndaj më trego ndonjë hadith nga i dërguari i Allahut, (paqja e nderinet e Allahut qofshin mbi të), që ti i ke dëgjuar prej tij se ndoshta Allahu më bën dobi me të. Ai tha: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe nderinet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Gjëja e parë për të cilën njeriu do të japë llogari prej punëve të tij do të jetë namazi. Nëse me namazin do i ketë punët mire, atëherë ka shpëtuar, e nëse me namazin do ti ketë punët keq, atëherë është shkatërruar.”

Shikoni lidhjen e qartë që ka namazi me shpëtimin për ata që e kryejnë atë dhe se ata që e lënë pas dore do të jenë të shkatërruar. Ndaj ai i cili vjen ditën e gjykimit duke e lënë namazin pas dore e duke e neglizhuar, ai e ka gjykuar veten e tij me dështim dhe shkatërrim. Është përcjellë në Musnedin e imam Ahmedit nga hadithi i Abdullah ibn Amër ibn As (Allahu qoftë i kënaqur me ta), se ka thënë: Një ditë i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) përmendi namazin dhe tha: “Ai i cili kujdeset për namazin, ai do të jetë për të dritë, argument dhe shpëtim në ditën e gjykimit. E ai i cili nuk kujdeset për të (namazin), ai nuk do të ketë dritë, as argument e as shpëtim ditën e gjykimit, si dhe atë ditë do të jetë me Karunin, Firaunin, Hamanin dhe Ubej ibn Halef.” Që do të thotë se ai i cili nuk e fal namazin do të ringjallet në ditën e gjykimit me kokat e mohuesve dhe njerëzve të shthurur. Dhe se ai i cili nuk e fal namazin e ka gjykuar veten e tij të ringjallet me këta njerëz, deshi apo nuk deshi. E nëse do i thuhet dikujt a dëshiron që të ringjallesh ditën e gjykimit në krah të njerëzve më zullumqarë si Firauni, Hamani, Karuni dhe Ubej Ibn Halef? Sigurisht që nuk do të pranonte. Prandaj, nëse nuk e fal namazin ke gjykuar për vetën tënde deshe apo s’deshe! Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk është (shpëtimi) sipas shpresave tuaja as sipas shpresave të ithtarëve të librit.” [Surja Nisa:123]. Nuk mjafton që njeriu të pretendojë se e dua këtë apo atë, por duhet të veprojë punë që e shpëtojnë prej asaj dite. Për këtë, i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “I gjithë umeti im do të hyjë në xhenet përveç atij që nuk dëshiron! I thanë: o i dërguari i Allahut! Cili nuk dëshiron që të hyjë në xhenet? Ai tha: Kush më bindet mua do të hyjë në xhenet, e kush nuk më bindet ai ka refuzuar që të hyjë.” E prej gjynaheve më të mëdha është braktisja e këtij obligimi madhështorë të cilin e ka bërë obligim Allahu i Lartësuar për robërit e Tij pesë herë gjatë ditës dhe natës.

E lus Allahun e lartësuar që të na i lehtësojë punët tona! Të na përmisojë gjendjen tonë! Të na bëj prej atyre që përkujdesen për namazin! E të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të mos na lërë ti mbështetemi veteve tona qoftë edhe sa hap e mbyll sytë!

Allahu e di më së miri. Paqja dhe nderinet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij.

Shkroi:

Abdurrazak el Bedër

Përktheu:

Ylli Rama