Allahu e ruajti të dërguarin e Tij në moshën e rinisë nga ndytësitë e injorancës

January 20, 2018

Tema e tretë: Allahu i Madhëruar e ruajti të dërguarin e Tij në rini prej ndytësisë së injorancës.

Rasti i çarjes së kraharorit konsiderohet pastrim për të dërguarin tonë, alejhi selam, nga hisja e shejtanit, dhe për këtë arsye i dërguari i Allahut, alejhi selam, edhe gjatë rinisë së tij nuk është përzier me pisllëkun dhe ndytësinë e injorancës.

Shembuj për këtë kemi: Së pari: Atë e mbrojti Allahu nga shirku i injorancës dhe adhurimi i idhujve. Zejd bin Harithe ka thënë: Në Meke ishte një idhull prej bakri të cilit i thonin Isaf dhe Neileh, ku me të idhujtarët fshinin trupin pasi bënin tavafin. I dërguari i Allahut bëri tavaf dhe unë bëra tavaf bashkë me të. Kur kalova pranë tij (idhullit) u fshiva për të. Profeti alejhi selam më tha: Mos u fshij për të.

Zejdi thotë: Bëmë sërish tavaf dhe unë po mendoja në veten time: Do ta prek atë (idhullin) dhe do të pres reagimin (e Profetit), dhe ashtu veprova. Profeti alejhi selam më tha: A nuk të ndalova? Zejdi thotë: Pasha Atë që nderoi profetin dhe i zbriti librin, ai nuk ka prekur kurrë ndonjë idhull derisa Allahu i Madhëruar e nderoi me atë që e nderoi dhe i zbriti shpalljen (Islamin).” Shejh Albani ka thënë: Senedi i këtij hadithi është i mirë. Për më tepër shih librin “Sahih es Sira” fq. 32.

Hadixhes i ka thënë: “Oj Hadixhe, pasha Allahun unë nuk e adhuroj Latin dhe Uzanë.” E përcjell Ahmedi në Musnedin e tij dhe Hejthemi në librin “El Mexhma” 8/225. Hejthemi ka thënë: Burrat e këtij zinxhiri janë që transmetojnë hadithe të sakta.

Së dyti: Ruajtja që Allahu i bëri të dërguarit të Tij nga ngrënia e asaj që theret për ndonjë idhull, pra mishi që theret jo për Allahun. Profeti alejhi selam nuk e hante atë që therej për idhujt. Këtë e ka pohuar Zejd bin Amr ibn Nufejl. Nga Abdullah bin Umer transmetohet se Profeti alejhi selam takoi Zejd bin Amr ibn Nufejl në ultësirën Beldeh (luginë para se të shkosh në Meke ose mal rrugës për në Xhide). Ai e takoi atë para se profetit alejhi selam t’i zbriste shpallja. Profetit alejhi selam ju sërvir një sofër por ai refuzoi të hante prej saj, e pastaj tha: Unë nuk ha nga ajo që therni për idhujt tuaj. Unë nuk ha vetëm se nga ajo për të cilën është përmendur emri i Allahut.

Zejd bin Amër i qortonte Kurejshët për kafshët që thernin, dhe u thoshte: Delen e krijoi Zoti, zbriti ujin nga qielli për të, nga toka krijoi të mbjellat për të, e pas gjithë kësaj ju e therni jo në emër të Allahut! Kështu ai nuk e pranonte këtë që bënin dhe ua quante për të madhe.

E përcjell Buhariu me nr. 3826.

Së treti: Ruajtja që Allahu i bëri të dërguarit të Tij nga zbulimi i auretit dhe shfaqja e lakuriqësisë. Xhabir bin Abdullah thotë: Kur u ndërtua Qabja Profeti alejhi selam dhe Abasi shkuan për të mbartur gurë. Abasi i tha Profetit alejhi selam: çoje izarin tënd mbi supe për t’u mbrojtur nga gurët. Ai e çoi por ra në tokë pa ndjenja dhe sytë ju drejtuan nga qielli, pastaj kur erdhi në vete tha: Rroba ime, rroba ime, – dhe e shtrëngoi fort izarin e tij.

Në një transmetim tjetër thotë: E zgjidhi atë, e vendosi mbi shpatulla dhe u rrëzua pa ndjenja. Pas këtij rasti nuk është parë më me trup të zbuluar.

Muttefekun alejhi. E transmeton Buhariu me nr. 364 dhe Muslimi me nr. 340.

Së katërti: Allahu i mundësoi të dërguarit të Tij alejhi selam të qëndronte në Arafat para se të dërgohej si profet, duke kundërshtuar atë që shpikën populli i tij të cilët u mbështetën në mendimin e Humusve (kurejshëve), kurejshëve fanatik për ritet e tyre. Kurejshët janë quajtur El Humus dhe shejtani i kishte cytur duke u thënë: Nëse ju do madhëronit diçka tjetër veç Haremit (Qabes) tuaj atëherë njerëzit do ta nëglizhojnë madhërimin e këtij Haremi (Qabes).

Ndaj ata filluan të mos qëndronin në Arafat në ditën e Arafatit, ndërkohë që gjithë njerëzit e tjerë qëndronin. Nga feja e Muhamedit alejhi selam ishte qëndrimi në Arafat, siç ka thënë i Lartësuari: Mandej, kthehuni siç kthehen gjithë të tjerët.” | El Bekare: 199 |

Transmetohet nga Muhamed bin Xhubejr e ky nga babai i tij Xhubejr bin Mut’im, se ka thënë: Më humbi një deve ndaj shkova ta kërkoj atë ditën e Arafatit. Atje pashë Profetin alejhi selam i cili po qëndronte në Arafat, dhe thashë: Pasha Allahun, ky është prej El Humus (kurejshëve fanatik). Çfarë do ky këtu?!

Mutefekun alejhi. E transmeton Buhariu me nr. 1664 dhe Muslimi me nr. 1220.

Profeti alejhi selam ishte nga ata që qëndronin në Arafat që para se t’i vinte shpallja, dhe ky ishte udhëzim që ja kishte dhënë Allahu i Madhëruar.

 

Marrë nga libri: “Subulus Selam fi sijrati hajril Enam”.

Autor: Salih Taha, Ebu Islam.

Loading...