Ashura – historiku dhe vlera e saj

October 28, 2014

Allahu i Madhëruar ka caktuar gjatë kohës periudha ku përhap në to mirësitë e Tij dhe Profeti – alejhis selam – ka nxitur që këto periudha të shfrytëzohen. Siç tregon Muhamed bin Mesleme El-Ensari, Enes bin Malik dhe Abdullah bin Umer – radiallahu anhum – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Zoti juaj ka vënë në kohën tuaj aroma mirësie prandaj shfaquni para tyre se ndoshta u prek ndonjë prej tyre që të mos brengoseni kurrë pas tyre” e transmeton Et-Taberani dhe e saktëson sheikh Albani.
Aromat e mirësisë janë ato periudha kohore të cilat Allahu i Madhëruar i ka veçuar duke u dhënë vlera të veçanta si: Ramazani, katër muajt e shenjtë, dhjetë ditët e para të muajt Dhul-Hixhxhe, Ashura etj.
Pra, prej këtyre aromave të mirësisë është edhe dita e Ashurasë, e cila ka një vlerë të veçantë në adhurimet e besimtarit musliman dhe që e presim të vijë këto ditë. Le të përmendim si fillim historikun e Ashurasë për të kaluar më pas te vlerat e saj.

Historiku i Ashurës.
Ashuraja është dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe është marrë nga fjala arabe “Ashra” që do të thotë dhjetë. Kjo ditë është njohur dhe madhëruar si te beni israilët ashtu edhe te arabët në kohën para-islame.

1- Ashura te beni israilët.
Në këtë ditë Allahu i Madhëruar e shpëtoi Musain bashkë me beni israilët prej Faraonit zullumqar.
Ibn Abasi radiallahu anhu thotë: “Kur mbërriti Profeti – alejhis selam – në Medine, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashurasë dhe Profeti – alejhis selam – pyeti: Ç’është kjo ditë? Ata i thanë: Kjo është ditë e madhe. Allahu e ka shpëtuar në këtë ditë Musain – alejhis selam – bashkë me popullin e tij. Musai – alejhis selam – e ka agjëruar këtë ditë si falënderim për Allahun prandaj dhe ne e agjërojmë atë. Profeti – alejhis selam – u thotë: Ne kemi më shumë sesa ju përparësi në ndjekjen e Musait. Profeti – alejhis selam – e agjëroi atë ditë dhe i urdhëroi myslimanët ta agjërojnë.”  E Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Hebrenjtë këtë ditë e kishin festë siç tregon Ebu Musa El-Esh’ari radiallahu anhu: “Populli i Hajberit e agjëronin ditën e Ashurasë dhe e kishin festë dhe u vishnin grave të tyre stoli dhe rroba të bukura. Atëherë Profeti – alejhis selam – tha: Agjërojeni dhe ju” E transmeton Muslimi.
Pra, zanafilla e Ashurasë te beni Israilët ishte dita e shpëtimit të Musait – alejhis selam -, ata e agjëronin këtë ditë, ajo ishte festë për ta dhe bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem.

Një dobi në lidhje me kalendarin hënor.
Përderisa muaji Muharrem është muaj hënor dhe hebrenjtë e përcaktonin festën e Ashurasë nëpërmjet hënës dhe jo diellit atëherë kjo tregon se ata pajtoheshin me myslimanët në lidhje me përcaktimin dhe ndarjen e kohës dhe se kjo është ndarja reale sipas ndarjes së Allahut dhe se në këtë pikë nuk kundërshtojnë veçse të krishterët të cilët kalendari i tyre është sipas diellit me ndarje dhe ditë fikse.

2- Ashura te kurejshët (arabët e Mekës).
Këtë ditë e madhëronin edhe kurejshët në kohën e injorancës, siç tregon Aisha – radiallahu anha: “Dita e Ashures ka qenë ditë që e agjëronin kurejshët në kohën e injorancës dhe Profeti – alejhis selam – e agjëronte atë. Pastaj kur erdhi në Medine agjëroi vetë dhe i urdhëroi myslimanët të agjërojnë dhe ajo ka qenë ditë në të cilën mbulohej Qabja. Kur u bë detyrë agjërimi i ramazanit e la Ashuranë dhe kush donte e agjëronte e kush nuk donte e çelte” E transmeton Buhariu dhe Muslim.
Po ashtu edhe Abdullah bin Umer tregon të njëjtën gjë: Njerëzit në kohën e injorancës e agjëronin ditën e Ashurasë dhe Profeti – alejhis selam – e ka agjëruar atë bashkë me myslimanët para se të bëhej detyrë Ramazani dhe kur u bë detyrë Ramazani Profeti – alejhis selam – tha: “Ashuraja është ditë prej ditëve të Allahut. Kush të dojë le të agjërojë dhe kush nuk do le të mos agjërojë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Agjërimi i kësaj dite nga Kurejshët duhet të jetë trashëguar nga Ibrahimi – alejhis selam -, sepse agjërimi është adhurim që ka ardhur nëpërmjet profetëve të Allahut.
El-Kurtubiu thotë: “Ndoshta kurejshët bazoheshin në agjërimin e tyre te sheriatet e mëparshme si sheriati i Ibrahimit – alejhis selam.”
Ibn Haxheri Allahu e mëshiroftë thotë: “Për sa i përket agjërimit të kurejshëve në kohën e injorancës ndoshta e kanë marrë nga sheriatet e mëparshme, prandaj dhe ata në atë ditë vishnin edhe Qaben me pëlhurë të re. 
Ibn Haxheri sjell edhe dy variante të tjera në lidhje me agjërimin e Kurejshëve:
1- Një transmetim nga Ikrime (dijetar në kohën e tabi’inëve dhe shoqëruesi i Ibn Abasit radiallahu anhu) se është pyetur për këtë gjë dhe ka thënë: Kurejshët bënë në kohën e injorancës një gjynah i cili u dhëmbi në shpirt dhe dikush u tha: “Agjëroni Ashuranë se ajo jua fshinë atë.”
2- Në disa thënie të tjera thuhet se Kurejshët i kishte kapur një thatësirë e madhe, dhe pasi u largua e agjëruan Ashuranë si falënderim për Allahun.
Ky agjërim që bënin kurejshët nëse nuk ka lidhje me Ibrahimin dhe nëse qëndron njëra prej dy varianteve të tjera, atëherë dy variantet tregojnë vetëm shkakun, kurse agjërimi si adhurim i Allahut duhet të jetë imitim i ehlu kitabit se siç thamë më lart: agjërimi është një lloj adhurimi që ka ardhur nga profetët e Allahut.

3- Ashuraja në praktikën e Profetit – alejhis selam.
Në hadithin e lartpërmendur të Aishes radiallahu anha tregohet se Profeti e ka pas agjëruar këtë ditë para se të emigronte për në Medine pra, para se ta mësonte se Ashuraja është dita e shpëtimit të Musës – alejhis selam – nga faraoni zullumqar. Tani, lind pyetja se mbi ç’bazë e agjëronte Profeti – alejhis selam – atë ditë?
El-Baxhi: thotë: “Ndoshta Profeti – alejhis selam – e ka agjëruar atë ditë para se të dërgohej si Profet, dhe pas dërgimit të tij e ka lënë, dhe kur bëri hixhret dhe e mësoi se ishte prej sheriatit të Musës, atëherë agjëroi dhe urdhëroi edhe myslimanët të agjërojnë derisa u bë detyrë Ramazani.”
El-Kurtubij thotë: “Agjërimi i Profetit – alejhis selam – ndoshta ishte ndjekje e kurejshëve sikurse i ndiqte edhe në haxh – para se të vinte urdhëri për haxh – si punë e mirë.”

Duke marrë parasysh fjalët e këtyre dijetarëve, se Profeti – alejhis selam – ka ndjekur kurejshët në agjërimin e kësaj dite, atëherë s’ka dyshim se Profeti – alejhis selam – nuk i ka ndjekur kurejshët për gjë tjetër veç sepse kjo punë ishte adhurim për Allahun, dhe nuk ishte e përzier me shirk, sepse prej adetit (zakonit) të tij ka qenë: mos përzierja me shirkun, si para profetësisë e aq më tepër pas profetësisë.

Pas hixhretit të Profetit – alejhis selam – në Medine, ai mëson nga hebrenjtë se kjo ditë është gjithashtu edhe dita shpëtimit të Musait, atëherë vendos ta agjërojë atë dhe urdhëron edhe të tjerët për agjërim.
Ky agjërim nga ana e Profetit – alejhis selam – sikurse mendon sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – është bazuar mbi rregullën e fikhut: Sheriati para nesh është sheriat për ne përderisa nuk ka ardhur në sheriatin tonë ndalim për të.
Megjithatë Profeti – alejhis selam – për të theksuar ndryshimin e këtij ymeti nga ymetet e mëparshme ka nxitur për agjërimin e një dite përpara siç tregon Ibn Abasi radiallahu anhu se Profeti – alejhis selam – kur agjëroi ditën e Ashurasë dhe urdhëroi myslimanët ta agjërojnë atë, i thanë: O i dërguari i Allahut, ajo është ditë që e madhërojnë hebrenjtë dhe të krishterët? Atëherë Profeti – alejhis selam – tha: “Kur të vijë viti tjetër – në dashtë Allahu – do të agjëroj edhe ditën e nëntë (një ditë para Ashurasë)”. Ibn Abasi thotë: kur erdhi viti tjetër vdiq Profeti – alejhis selam -. E transmeton Muslimi.
Profeti – alejhis selam – me këtë veprim ka bashkuar mes dy të mirave mes vlerës së Ashurasë dhe dallimit të këtij ymeti nga ymetet e tjera.
Dikush mund të pyes se si funksionon rregulli i fikhut: Sheriati para nesh është sheriat për ne përderisa nuk ka ardhur në sheriatin tonë ndalim për të?

Përgjigja: Ky rregull – sikurse thotë sheikhul islam Ibn Tejmije – ka dy kushte për zbatimin e tij:

1. Sheriati i mëparshëm të ketë mbërritur tek ne në rrugë të sigurta si psh: të jetë përmendur në Kuran, ose ta ketë përmendur Profeti        – alejhis selam – ose të jetë transmetuar nga një grup i konsiderueshëm njerëzish që të mos ketë dyshim në të.

2. Të mos ketë ardhur ndalim për të në sheriatin tonë.

Tani edhe një pyetje tjetër mund të shtrohet: A lejohet ndjekja e beni Israilëve në festimin e kësaj dite?
Më lart përmendëm se ata përveç agjërimit edhe festonin, dhe gratë e tyre zbukuroheshin me stoli. Sheikh-ul-slam Ibn Tejmije thotë për gjykimin e punët e tjera: “Ashuraja, nuk është lejuar në lidhje me të veçse agjërimi sipas mendimit të gjithë dijetarëve. Çdo gjë tjetër veç agjërimit si ngjyrosja e duarve, ngjyrosja e syve, zbukurimi, gusli, ndërrimi i adetit në ushqime e bidate të tjera të cilat nuk i ka pëlqyer askush prej dijetarëve dhe as selefëve.”

Një çështje tjetër: Çfarë gjykimi ka pasur agjërimi i Ashura-së për muslimanët para Ramazanit?
Pas Ramazanit ky agjërimi është lënë në dëshirë, siç thotë Aishja dhe Abdullah bin Umer – radiallahu anhuma -, kurse para Ramazanit ka një urdhër nga Profeti – alejhis selam – për agjërim siç e tregon Ibn Abasi dhe Aishja radiallahu anhuma. Ky urdhër duket akoma më i qartë dhe i fortë sipas tregimit të dy sahabëve të tjerë: Seleme bin El-Ek’ua dhe Rabia bin Muauidh radiallahu anhuma. Ata tregojnë se Profeti – alejhis selam – dërgoi një burrë ditën e Ashurasë për të thirrur mes njerëzve: “Kush ka ngrënë të agjërojë pjesën e mbetur të ditës dhe kush nuk ka ngrënë të vazhdojë agjërimin” e transmeton Muslimi.
Rabia bint Muauidh radiallahu anha shton: Ne i bënim të agjërojnë edhe fëmijët dhe u bënim atyre lodra prej leshi. Kur qante ndonjëri prej tyre ia jepnim ato gjëra derisa të mbërrinte iftarin. E transmeton Muslimi.
Bazuar në këto hadithe disa dijetarë – sidomos hanefitë – kanë dhënë mendimin se Ashuraja ka qenë detyrë.
Kjo çështje edhe pse bëhet fjalë për një punë që pavarësisht nga gjykimi që ka pasur tashmë jemi të sigurtë që nuk është detyrë, mund të merret si bazë për një tjetër çështje që ka lidhje me Ramazanin. P.sh: një njeri i cili nuk është informuar për hyrjen e Ramazanit dhe pasi kalon një pjesë e ditës i vjen lajmi se është Ramazan. Çfarë duhet të bëjë në këtë rast, të agjërojë pjesën e mbetur të ditës siç bënin për Ashura dhe t’i llogaritet ditë e plotë, apo ta zëvendësojë me një ditë tjetër?
Dhe mjafton që të themi se ka prej dijetarëve që e lejojnë agjërimin e një pjese dite për atë që i ka ardhur lajmi i Ramazanit me vonesë, bazuar në agjërimin e Ashurasë, sepse edhe ajo ka qenë detyrë si Ramazani.

Pas kësaj që përmendëm mund të përmbledhim vlerat e Ashurasë si më poshtë:

Vlerat e Ashurasë.
1- Ashuraja është ditë që bie në një muaj të shenjtë që është muaji Muharrem njëri prej katër të këtillëve në kalendarin islam. Muaji Muharrem është ndër muajt që Profeti – alejhis selam – ka nxitur për agjërim siç tregon Ebu Hurejra se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Më i miri agjërim pas Ramazanit është muaji i Allahut Muharremi” E transmeton Muslimi.
2- Ashuraja është një ditë ku është shpalosur ndihma e Allahut te një prej profetëve më të mëdhenj të Allahut, Musa – alejhis selam. Siç i përshkruan Allahu i Madhëruar ato momente në Kuran kur thotë: “Ne i shpallëm Musait që t’i gjuash me shkopin tënd detit dhe ai u nda, dhe secila anë ishte si mal i lartë. Atje ne i afruam ata të tjerët (faraonin dhe pasuesit e tij). E shpëtuam Musën bashkë me të gjithë ata që ishin me të. Pastaj i mbytëm të tjerët. Në këtë ngjarje kishte mrekulli, por shumica nuk ishin besimtarë. Dhe dije se Zoti yt është fitimtar dhe i mëshirshëm” Suretu Shuara: 63-68.
3- Agjërimi i Ashurasë fal gjynahet e një viti.
Ebu Katade radiallahu anhu tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit shpresoj prej Allahut të fshijë gjynahet e vitit para saj dhe vitit pas saj kurse agjërimi i ditës së Ashurasë, shpresoj te Allahu të fshijë gjynahet e vitit para saj.” E transmeton Muslimi.
Një dijetar i medh’hebit shafi që quhet Esh-Sherbini (i vdekur në vitin 977 H) thotë në lidhje me urtësinë që ka dallimi mes ditës së Arafatit dhe ditës së Ashurasë: “Fakti se agjërimi i Arafatit fal gjynahet e dy viteve kurse Ashuraja falë gjynahet e një viti është për shkak se Arafati është ditë Muhamedane kurse Ashuraja është ditë Musaite.”

 

 

Dosje:

Loading...