Bereqeti i Ramazanit

June 11, 2015

Profeti ynë i dashur – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e ka quajtur Ramazanin muaj të begatë. Nga Ebu Hurejrah – radijallahu anhu – përcillet se i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë:

“Ju erdhi Ramazani. Një muaj i begatë. Allahu i Lartmadhëruar jua ka bërë detyrë juve agjërimin e tij. Në të hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe në të prangosen rebelët prej djajve. Allahu ka bërë në të një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga mirësitë e saj, ai është i privuari.”
(Transmeton Ahmedi dhe e ka saktësuar Albanij në “Sahih sunen en Nesai”/ 1992, dhe në vende të tjera)

Begatia apo bereqeti është: shtimi, zhvillimi dhe shumëfishimi. Në këtë muaj shtohen sevapet, shtohen mirësitë e Allahut mbi besimtarët, shërohen shpirtrat, zemrat dhe trupat prej sëmundjeve të tyre. Çlirohen njerëz nga Zjarri, ngrihen gradat e besimtarëve dhe atyre që e shfrytëzojnë kohën në këtë muaj.

Allahu thotë për fjalën e Tij, Kuranin fisnik:
{وَهَذَا كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ مُبَارَكٌ}
“Ky është një Libër që Ne e zbritëm të begatë (me shumë bereqet në të)” Apo “Ky është një Libër i bereqetshëm të cilin Ne e zbritëm” (En’am: 92)
Kanë thënë dijetarët: Kurani është i begatë sepse ai tregon për mirësi madhështore, dhe Allahu ja shton bereqetin në dynja dhe Akhiret atij që i lexon fjalët e tij dhe punon me të. Prandaj bereqeti është i pandashëm nga leximi dhe kuptimi i tij.

Dhe thotë njëri prej tyre: Është ligj i Allahut të Lartësuar se ai që e studion këtë libër, dhe kapet pas tij, do të ketë krenari në dynja dhe lumturi në Akhiret. Dhe unë jam marrë me shumë dije, por nuk kam arritur për shkak të tyre në dynja atë lumturi që kam arritur për shkak të shërbimit që i kam bërë kësaj dijeje, dmth tefsirit (komentimit të Kuranit).” (Tefsir ibn Ashur)

Dhe ky është njëri nga shkaqet e shumta të shtimit të bereqetit në këtë muaj, sepse në të shtohet leximi i Kuranit, aq sa ai ka marrë – veç emrave të tjerë – edhe emrin: Muaji i Kuranit.

Dhe prej shkaqeve se përse është quajtur i begatë ky Libër, është edhe ajo që ka përmendur Imam Shenkitij – Allahu e mëshiroftë: “Se çdo shkronjë e lexuar prej tij ka dhjetë sevape” dmth kur muslimani lexon tre shkronja: Elif, lam, mim ka 30 sevape, siç ka thënë Profeti sal lall llahu alejhi ue sel lem.
Ndërsa një faqe Kurani ka mesatarisht 500 shkronja që i bie 5.000 sevape vetëm duke lexuar një faqe Kuran arabisht! Po ai që lexon më shumë se një faqe?! Allahu na dhëntë sukses për punë të mira!

Loading...