Çfarë lejohet të veprohet para veshjes së ihramit?

August 10, 2017

Shkëputur nga libri: “Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut” vëll. 4.

Autori: Sheih Husein El-Auaishe (një prej nxënësve të njohur të sheih Albanit -Allahu e mëshiroftë-).

Shënim: Ihrami është veshja e rrobës së posaçme për të hyrë në ibadetin e umrës apo të haxhit.

Sheihu i nderuar në librin e tij thotë:

Përpara ihramit është e pëlqyer për atë që vendos të bëjë haxhin apo umrën që të lahet për ihramin, edhe nëse (gruaja) është me perioda apo lehonë.

Transmetohet nga Ibën Abasi – radiallahu anhuma – se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Gruaja me perioda dhe ajo lehonë kur vijnë në mikat (vendi ku vishet ihrami) lahen dhe veshin ihramin, dhe kryejnë të gjitha ritet përveç tavafit në shtëpinë e shenjtë.”[1]

Pastaj burri vesh rroba që nuk ndajnë gjymtyrët dhe këto quhen tek dijetarët jo të qepurat (rroba e ihramit), vesh izarin (pjesa e poshtme e ihramit) dhe e mbështjell në gjysmën e poshtme të trupit, dhe rida’-në (pjesën e sipërme të ihramit) me të cilën mbështjell gjysmën e sipërme të trupit apo të ngjashme me to. Vesh nallanet që janë çdo gjë që vishet në këmbë për t’i mbrojtur ato, por pa i mbuluar dy nyjet.

Nuk duhet të veshë kapuç, çallmë apo gjëra të ngjashme të cilat mbulojnë direkt kokën, dhe kjo vetëm për burrin.

Ndërsa për gruan ajo nuk heq gjë nga veshja e saj fetare përveçse nuk vendos në fytyrë nikab, burkë, mbulesë apo shami, nuk vesh doreza. Ka thënë Profeti -alejhi selam: “Nuk vesh ai që është me ihram: as këmishë, as çallmë, as xhybe, as tuta, as rrobë të parfumosur, as çorape lëkure, përveç nëse nuk gjen nallane atëherë vesh çorape lëkure.”[2]

“Gruaja nuk vendos nikab dhe as nuk vesh doreza.”[3]

I lejohet gruas ta mbulojë fytyrën e saj me shami apo hixhab,[4]ta hedhë në kokë dhe ta hedhë në fytyrë edhe nëse e prek fytyrën -sipas më të saktës-, por ajo nuk e shtrëngon siç ka thënë shejhu i islamit -Allahu e mëshiroftë- .

Burri mund ta veshë ihramin para mikatit qoftë dhe në shtëpinë e tij, siç ka bërë Profeti -alejhi selam- dhe shokët e tij -radiallahu anhum-. Kështu ka lehtësim për ata që udhëtojnë me avion dhe nuk munden të veshin ihramin në mikat, u lejohet atyre të hipin në avion me ihram por nuk hyjnë në ihram vetëm se pak para mikatit që të mos u kalojë mikati pa ihram.

Ai mund të parfumoset në trup me çfarë parfumi të dojë (parfum) me erë por pa ngjyrë, përveç grave ku parfumi i tyre mund të ketë ngjyrë por jo erë.

Transmetohet nga Abdullah bin Abasi -radiallahu anhuma- se ka thënë: “U nis Profeti -alejhi selam- nga Medina pasi u kreh, u parfumos, veshi izarin dhe ridanë bashkë me shokët e tij.”[5]

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anhuma- se ka thënë: “Më duket sikur e shoh shkëlqimin e parfumit në të ndarën e flokëve të Profetit -alejhi selam- ndërkohë që ishte me ihram.”[6]

Po nga Aisha -radiallahu anha- transmetohet se ka thënë: “E parfumosja Profetin -alejhi selam- kur vishte ihramin dhe kur ishte jashtë  ihramit përpara se të bënte tavaf në Qabe.”[7]

Gjithashtu: “Dilnim me Profetin -alejhi selam- për në Mekë dhe lyenim ballin me suk (lloj parfumi) para ihramit. Nëse djersitej ndonjëra prej nesh dhe i binte në fytyrë, e shihte atë Profeti -alejhi selam- dhe nuk na ndalonte.”[8]

Këto kryhen para se të bëjë nijet ihramin tek mikati dhe të bëjë telbije (dhikri i haxhit), ndërsa pas tij është e ndaluar.

Përktheu dhe përgatiti: Teuta Xeka

—————————————————

[1]E transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson shejh Albani.

[2]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3]E transmeton Buhariu.

[4]Abaje.

[5]E transmeton Buhariu.

[6]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[8]E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Abani.

Loading...