Çfrarë e trondisin akiden – pjesa e parë

November 4, 2007

Çfrarë e trondisin akiden – pjesa e parë

Disa njerëz janë bërë pre të disa çështjeve që e tronditin akiden islame dhe kanë rënë në disa të kundërta që e kundërshtojnë atë. Prandaj ngelet si detyrë që t’i sqarojmë ato në këtë ligjëratë.


Këto gjëra që e trondisin akiden janë dy lloje:

– Njëri lloj e kundërshton këtë akide dhe e bën atë të pavlefshme, kështu që edhe ai person që hyn në këtë lloj është jobesimtar – Allahu na ruajt prej kësaj.

– Kurse lloji tjetër e bën të mangët këtë akide dhe e dobëson atë.

Lloji i parë quhet kundërshtues. Ai e bën të pavlefshme akiden dhe e shkatërron atë. Ndërsa personi që bie në të është jobesimtar, d.m.th. e ka braktisur fenë islame. Ky quhet kundërshtues dhe po ashtu quhet shkatërrues.


Lloji i pare


Gjërat që e tronditin akiden dhe janë shkak për mosbesim. Ato gjëra që e kundërshtojne Islamin, të cilat e bëjnë të detyrueshme braktisjen e fesë (ridden) quhen të kundërta. E kundërta është herë fjalë, herë vepër; herë besim, herë dyshim. Njeriu mund ta braktisi fenë (të bëjë ridde) qoftë edhe me një fjalë që thotë, me një punë që vepron, me një besim që beson apo një dyshim që has (takon). E kundërta që e trondit akiden dhe e bën të pavlefshme vjen si pasojë e këtyre katër gjërave që lartpërmendëm. Këto gjëra i kanë përmendur dijetarët në librat e tyre dhe e kanë quajtur këtë me titullin “Gjykimi mbi atë që braktis fenë”.

Ai që braktis fenë është ai i cili ka mohuar dhe ka bërë mosbesim pas Islamit (pasi deklaruar se ai është musliman). Ky pra është ai që braktis fenë, ai i cili kthehet prej fesë së Allahut dhe e braktis atë. Pejgamberi – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të -, thotë në lidhje me atë (që braktis fenë): “Kush e ndërron fenë e tij vriteni” (Transmenton Buhariu në “Sahih”)

Në dy Sahihet (të Buhariut dhe Muslimit) transmentohet se pejgamberi – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të – dërgoi Ebu Musa Esh’ariun në Jemen. Pas tij dërgoi Muadhin, të birin e Xhebelit. Kur ky (Muadhi) mbërriti tek ai (Ebu Musa Esh’ariu) ai i tha: Zbrit dhe vendosi atij një jastëk. Ndërkohë aty tek ai ishte një burrë i lidhur. Ai i tha: çfarë është ky? Ai iu përgjigj: Ky ka qenë çifut dhe u bë musliman, porse më pas u kthye në fenë e tij – fenë e keqe – dhe u bë çifut. Ai tha: Unë nuk ulem derisa ai të vritet, ky është gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Ai i tha: Ulu! Por ai këmbënguli duke thënë: Unë nuk ulem derisa ai të vritet! Gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Kjo u përsërit tri herë. Atëherë ai urdhëroi që ai burrë të vritej.

Me sa u përmend argumenton se ai që braktis Islamin vritet nëse nuk pendohet. Atij i kërkohet që të pendohet dhe nëse pendohet dhe kthehet, falënderimi i takon Allahut, por nëse nuk kthehet dhe vazhdon me këmbëngulje të qëndrojë në mosbesimin dhe humbjen e tij, atëherë ai shpejtohet për në zjarr, në bazë të thënies së pejgamberit – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Kush e ndërron fenë e tij vriteni.”

1- Braktisja e fesë me fjalë


Të kundërtat që e kundërshtojnë Islamin janë shumë. Disa prej tyre janë me fjalë si p.sh. sharja e Allahut. Kjo fjalë është në kundërshtim të plotë me fenë. Po ashtu dhe sharja e të dërguarit – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të -, d.m.th. mallkimi dhe sharja e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ose cilësimi me shprehje të pahijshme si p.sh. të thotë: Allahu është i padrejtë, Allahu është kurrnac (koprrac), Allahu është i varfër, ose të thotë se Allahu i Lartësuar nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra. Që të gjitha këto fjalë janë (ridde) braktisje e Islamit. Kushdo që e cilëson Allahun me diçka të pahijshme, apo e shan, apo e cilëson me diçka të mangët, ai është mosbesimtar (qafir) që e ka braktisur Islamin – Allahu na ruajt prej kësaj.

Kjo pra, është braktisja e fesë me fjalë. Kur dikush shan Allahun apo tallet me Të, apo e emërton me diçka të mangët, apo e cilëson me diçka të pahijshme për Të siç thonë çifutët: Allahu është kurrnac, Allahu është i varfër dhe ne jemi të pasur. Po ashtu nëse thotë: Allahu nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra, ose mohon cilësitë e Allahut dhe nuk beson në to; ky është person që ka braktisur fenë me fjalët e tij të këqija.

Gjithashtu kur dikush thotë p.sh.: Allahu nuk e ka obliguar namazin për ne; kjo fjalë e tij është largim dhe braktisje e Islamit. Pra, kush thotë: Allahu nuk e ka obliguar namazin, e ka braktisur Islamin (ka bërë ridde) dhe ky është mendimi i të gjithë muslimanëve, me përjashtim kur një person është injorant dhe është larg muslimanëve e nuk e di. Këtij personi i mësohet e vërteta dhe nëse vazhdon me këmbëngulje, atëherë ka mohuar dhe është mosbesimtar.

Ndërsa, kur është mes muslimanëve dhe i di çështjet e fesë dhe thotë: namazi nuk është detyrë, atëherë kjo është braktisje e Islamit dhe kërkohet prej tij që të pendohet; nëse pendohet, mirë, por nëse nuk pendohet atëherë vritet. Ose kur thotë: Zekati nuk është detyrë për njerëzit, ose thotë:Agjërimi i Ramazanit nuk është detyrë për njerëzit, ose thotë: Haxhi nuk është detyrë për atë që ka mundësi ta kryejë atë dhe nuk është detyrë për njerëzit.

Si përfundim, ai që i thotë këto shprehje ka bërë kufër në bazë të mendimit të përgjithshëm, dhe prej atij që i thotë këto fjalë kërkohet që të pendohet; nëse pendohet, mirë, por nëse jo atëherë vritet – Allahu na ruajt prej kësaj. Këto çështje ishin braktisje e fesë me fjalë.

2- Braktisja e fesë me vepër

Braktisja e fesë me vepra si p.sh.: Lënia e namazit.

Fakti që një përson nuk falet edhe pse thotë që namazi është detyrë por nuk falet, është braktisje e fesë sipas mendimit më të mirë të dijetarëve rreth kësaj çështjeje, duke u bazuar tek thënia e pejgamberit – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Besa që është midis nesh dhe atyre është namazi, dhe kush e lë atë ka bërë kufër (mosbesim).” (Transmetoi Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, dhe ibën Maxheh me zinxhir transmetimi të saktë. Shekik ibën Abdullah el Ukejli, tabi’iu për gradën e lartë të të cilit kanë rënë dakord (dijetarët) – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Shokët e Muhamedit – Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të -, nuk shikonin ndonjë vepër lënia e të cilës ishte kufër (mosbesim) me përjashtim të namazit” (Transmeton Tirmidhiu dhe zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë). Kjo është braktisja e fesë me vepër (e cila është lënia e namazit qëllimisht).

Prej këtij lloji është dhe bërja e Mus’hafit Sherif (Kur’anit) objekt përbuzjeje dhe përçmimi, ose ulja mbi të me përbuzje, ose ndotja e tij me pisllëk qëllimisht, ose shkelja e tij me këmbë me mospërfillje dhe përbuzje. Me të gjitha këto njeriu del prej Islamit.

Prej braktisjes së fesë me vepër është dhe tavafi (sjellja rrotull) rreth varreve duke e bërë në shenjë afrimi tek banorët e varreve, ose të falet për ata ose për xhindët. Këto gjithashtu janë braktisje e fesë me vepër.

Ndërsa lutja që bën njeriu duke iu drejtuar atyre, kërkimi i ndihmës prej tyre dhe zotimi për ta është braktisja e fesë me fjalë. Përsa i përket atij që bën tavaf rreth varreve duke patur për qëllim me këtë vepër adhurimin e Allahut, ai ka bërë një bidat (risi) që e trondit fenë, porse nuk është dalje nga feja. Pra, është bidat që e trondit fenë nëse ai nuk ka për qëllim të afrohet tek i varrosuri me këtë vepër. Veprimi i kësaj gjëje duke dashur të afrohet tek Allahu i Lartësuar është injorancë prej atij që e bën këtë.

Prej kufrit (mosbesimit) me vepër është edhe kur dikush ther diçka për dikë tjetër përveç Allahut dhe kur afrohet me atë që ther tek dikush tjetër përveç Allahut. P.sh.: kur ai therr devenë, delen, pulën ose lopën për të varrosurit për t’u afruar tek ata duke i adhuruar ata me anë të tyre, ose kur e bën një gjë të tillë për xhindët, duke i adhuruar ata me anë të tyre. Po ashtu kur dikush i bën këto për yjet, duke u afruar tek yjet me këto vepra. Këto nuk janë therrur me emër të Allahut, po për dikë tjetër përveç Tij. Prandaj kanë gjykimin e së ngordhurës dhe ky veprim i tyre është kufër i madh – Allahu na ruajt prej tij. Që të gjitha këto që përmendëm janë prej braktisjes së fesë dhe prej të kundërtave të Islamit me anë të veprave.

Vazhdon . . .

 

Shkëputur nga broshura: “Çfrarë e trondisin akiden

(origjina e kësaj broshurë është një ligjeratë e shejhut të nderuar -Allahu e mëshiroftë-)

Autor: Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz

Përktheu: Bledar Aliu

Loading...