Çudira nga të pasionuarit pas leximit të librave

August 12, 2017

  • Këta libra janë më të rëndë për mua se sa tri gra!

Ka përmendur Khatibi në “El xhamiu li akhakir rauij ues sami”[1] nga Zubejr ibn Ebi Bekr Bekkar, i cili ka thënë: “Një nga vajzat e motrës sime i tha gruas time: Dajua im është burri më i mirë për gruan e vet! Ai as nuk martohet me grua të dytë e as blen robëreshë. Gruaja ime ia ktheu: Pasha Allahun, këta libra janë më të rëndë për mua sesa tri gra!!’”

  • Edhe ëndrrat i ka me librat.

Sekhauij ka përmendur në “Xheuahirul ikdejn fi fadlish sherafejn”[2] prej mësuesit të tij Ebu Zekerijja el Munauij (v. 871), i cili thotë: “Më ka treguar mësuesi ynë shejh Uelijjud-din (e ka fjalën për Ebu Zur’ah ibnul Hafidh Zejnuddin el Irakij) në formë  përsëritjeje, se ai udhëtoi bashkë me një person nga Makarija nga zona e Rijafes i cili tha: ‘Thashë me vete – pasi isha zhytur në ëndërrime –: Ah sikur të kisha katër gra në katër shtëpi të ndryshme, dhe në çdo shtëpi të kasha librat që më duheshin njësoj në të gjitha shtëpitë!”

  • Nuk i kalon asnjë çast pa angazhim me dituri.

Ibn Rexhebi përmend në “Dhejlut-tabekat”[3] në jetpërshkrimin e dijetarit të madh Ebul Beka Abdullah ibnul Husejn el Ukberij (v. 616), nga Ibnun Nexh-xhar i cili ka thënë: “Kam lexuar para tij shumë prej librave të tij dhe jam shoqëruar me të për një kohë të gjatë… Ai e donte shumë diturinë dhe mësimdhënien, ditën dhe natën. Nuk i ikte një moment kot. Ose dikush do të lexonte përpara tij, ose vet do të shfletonte libra. Dikush më ka përmendur se natën gruaja e tij i lexonte librat e letërsisë apo në fusha të tjera.”

  • Brengosej për librat dhe i kishte ato si fëmijët e tij.

Përmend Ibn Rexhebi po ashtu në “Dhejlut tabekat”[4] tek jetëshkrimi i Abdussamed ibn Ahmed ibn Ebil Xhejsh el Bagdadit, dijetarit të madh në shumë shkenca (v. 676), se ai shkroi predikime ku shkëlqeu në mënyrën e të folurit me shprehje të bukura letrare, plot oratori dhe ëmbëlsi. Ai grumbulloi shumë prej tyre të cilat i humbën në luftën e Bagdadit[5] së bashku me libra të tjerë që i kishte shkruar me dorën e tij, dhe u pikëllua jashtë mase aq sa thoshte: “Në zemër kam dy pikëllime: djalin tim dhe librat e mi!” (Të dyja i kishte humbur në luftën e Bagdadit).

  • Nuk ecte pa një libër në dorë.

Shumë dijetarë të njohur nuk ecnin pa pasur një libër në dorë, të cilin e shfletonin për shkak të dashurisë së madhe që kishin për leximin dhe kujdesit të madh që tregonin për kohët e tyre që të mos u shkonin kot.

Thotë Dhehebiu në “Sijer”[6]: “Ibnul Abnusij thotë: Hafidh el Khatibi kur ecte mbante një libër në dorë të cilin e lexonte.

Në “Tedhkiratul huffadh”[7] po te Dhehebiu tek jetëshkrimi i Ebu Daud es-Sixhistani, autorit të Suneneve: “Thotë Ibn Daseh: Ebu Daudi kishte një mëngë të gjerë dhe një mëngë të ngushtë, dhe kur e pyetën për to ai u përgjigj: Kjo e gjera është për librat kurse për tjetrën s’kam nevojë (ta kem të gjerë).”

Tek jetëshkrimi i dijetarit të madh gjuhëtarit Ahmed ibn Jahja i njohur me emrin Tha’leb (v. 291), prej librit “Uefejatule’ajan”[8] të Ibn Khil-likan thuhet: “Shkaku i vdekjes së tij ishte se ai po dilte prej xhamisë ditën e xhuma pas ikindisë, dhe ishte sprovuar me shurdhim dhe nuk dëgjonte veçse me vështirësi të madhe. Në dorën e tij kishte një libër që e lexonte rrugës për në shtëpi. Në një moment e goditi një kalë dhe e hodhi në një gropë. E nxorrën prej aty në gjendje të rëndë dhe e çuan në shtëpi në atë gjendje. Pas kësaj kishte dhimbje në kokë dhe vdiq pas dy ditësh.”

El Askerij përmend në “EL hath-thu ala talebililm”[9] (Nxitja për kërkimin e diturisë) se Ebu Bekr Muhammed ibn Ahmed el Bagdadij el Khajjat (rrobaqepësi), dijetari i madh i gjuhës (v. 320), mësonte gjatë gjithë kohës madje edhe duke ecur rrugës. Aq sa ndonjëherë binte në ndonjë gropë (ngaqë e kishte mendjen tek leximi) apo e shtypte ndonjë kafshë.

Dhe më parë e përmendëm historinë e Imamit Sulejm er Razij. [10]

Shumë prej dijetarëve lexonin libra edhe duke ecur rrugës për të shfrytëzuar kohën që mos t’u shkonte kot, si dhe nga dashuria e madhe për të përfituar. Siç përmendet tek jetëshkrimi i Hafidh Ebu Nuajm el Asbahani, autori i “El hiljeh” (v. 430), siç përmendet tek “Tedhkiratul huffadh”[11] (Memoaret e hafizave, dijetarëve të mëdhenj).

Po ashtu tek jetëshkrimi i imamit Alemud-din es Sekhauij el Mukri (Lexuesi i Kuranit) (v.643), siç qëndron tek jetëshkrimi i tij te libri “Tabekatul kurrail kibar” (Memoaret e kënduesve (hafizave) të mëdhej të Kuranit).[12]

Prej atyre që kemi parë një gjendje të tillë ku i lexohej atij dhe e pyesnin për fenë (i kërkonin fetva), ishte edhe mësuesi i mësuesve tanë, dijetari i madh Abdulaziz ibn Baz (v. 1420 hixhrij) – Allahu e mëshiroftë. Kjo ishte e zakonshme dhe diçka e përsëritur për të. Këtë gjë e bënte me shpirt të hapur, me kënaqësi e me fytyrë të qeshur. Allahu e shpërbleftë për dijen që ka përcjellë me shpërblimin më të mirë!

 

Marrë nga libri: “Nxitësi për lexim”.

Përktheu: Emin Bilali

————————————————-

[1] 1/ 149-150. Shiko “Sijeru A’lamin nubela” (12/313).

[2]1/162.

[3]2/111.

[4]2/292.

[5] Është fjala për sulmin e mongolëve kundër Bagdadit dhe rënien e kalifatit Abasit në vitin 656 sipas hixhretit. Shumë përmendet kjo luftë për numrin e madh të librave që kanë humbur në të, dhe njerëzit përmendin bëmat e mongolëve si dhe zgjerohen shumë në këtë temë. Më ka pëlqyer këndvështrimi i Taxhud-din es Subkij në “Tabekat”-in e tij (1/312), ku pasi përmend në disa faqe historinë e tyre thotë: “I mjafton fekihut (njeriut të dijes që ka kuptim) ajo që kemi sjellë. Koha e kërkuesit të dijes është më fisnike sesa të humbasë në rrëfimet për ta, veçse për të marrë mësim prej tyre. Ajo që kemi sjellë mjafton si mësim për ata që duan të nxjerrin mësime.”

[6]18/281.

[7]2/592.

[8]1/104.

[9]Fq. 77.

[10] Që përsëriste diturinë edhe rrugës duke ecur, saqë një herë tha: Duke ecur deri tek shtëpia lexova një xhuz (20 faqe nga Kurani).

[11]3/1094.

[12]3/1105.

Loading...