Dhikri i gjumit dhe zgjimit prej tij

May 16, 2020

Dhikri i gjumit dhe zgjimit prej tij

Transmeothet nga Hudhejfe bin Jeman (radijAllahu anhu) se ka thënë: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur futej në shtratin e tij thoshte: “Bismike emuut ue ahja – Me emrin Tënd (o Allah) vdes dhe ngjallem!” Dhe kur ngrihej (zgjohej) nga gjumi thoshte: “El-hamdulilahil-ledhi ahjana ba’de ma ematena ue ilejhin nushur – Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili na ngjalli pasi na kishte vdekur dhe tek Ai do të tubohemi!”

Teksti i hadithit tek Muslimi është: Transmetohet nga El-Bera bin Azib (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur shtrihej në shtratin e tij thoshte: “Allahumme bismike ahja ue bismike emuut – O Allah! Me emrin Tënd ngjallem dhe me emrin Tënd vdes!” Ndërsa kur zgjohej thoshte: “El-hamdulilahil ledhi ahjana ba’de ma ematena ue ilejhin nushur – Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili na ngjalli pasi na kishte vdekur dhe tek Ai do të tubohemi!”

Shënon Buhariu (6312) dhe Muslimi (2711).

Dobitë që përfitohen nga kjo lutje:

E para: Fjala e tij (radijAllahu anhu): “Idha eva ila firashihi – kur hynte në shtrat.” Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) në “Fet’hul-Bari”, vëll. 11.

E dyta: Gjumi është vdekje e vogël. Es-Sanani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Na zgjoi pas gjumit duke na i kthyer shpirtrat pasi i kishte marrë ata, ngase gjumi është vdekje e vogël.” “Et-Tenvir Sherh El-Xhami Es-Sagir”, vëll. 8.

E treta: Kujdesi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në përmendjen e Allahut në të gjitha gjendjet/situatat e tij, madje dhe kur shrihej për të fjetur dhe kur ngrihej nga gjumi. Në lidhje me këtë Aisha (radijAllahu anha) ka thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e përmendte Allahun në çdo gjendje të tij.” Shënon Muslimi (373).

E katërta: Dorëzimi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tek Allahu, Zoti i botëve, ngase në dorën e Tij është çdo gjë; jeta, vdekja etj. Prandaj ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Bismike emuut ue ahja – Me emrin Tënd (o Allah) vdes dhe ngjallem!”

E pesta: Gjumi është prej argumenteve më të mëdha që tregon për butësinë e Allahut me krijesat e tij. I Madhëruari thotë: “Prej mëshirës së Vet Ai ka bërë për ju natën dhe ditën që të qetësoheni, të kërkoni nga mirësia e Tij dhe të jeni mirënjohës.” El-Kasas: 73.

E gjashta: Nevoja e krijesave për gjumin i cili është cilësi e mangët, tregon se Allahu meriton të veçohet me adhurim. Ai është i Gjallë, i Përjetshëm dhe nuk vdes, Mbajtësi i gjithçkaje dhe nuk e kaplon as dremitja e as gjumi!

E shtata: Zgjimi nga gjumi është argument për fuqinë e Allahut të Lartësuar për ringjalljen pas vdekjes.

E teta: Shpirtrat janë në dorë të Allahut, nëse do i ndal (nuk i kthen në trup) e nëse do i kthen (përsëri në trup). Atij i takon urtësia e përsosur. I Lartësuari thotë: “Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur por që janë në gjumë. Pastaj, Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.” Ez-Zumer: 42.

“Dhuratë e çmuar me shpjegimin e lutjeve të saktësuara.”

Përmblodhi: Unejs Sheme

Dosje:

Loading...