Disa rregulla në lidhje me mrekullitë shkencore të Kuranit.

Çfarë kushtesh fetare ka lidhja e disa të vërtetave shkencore me ajete të caktuara nga Kurani? Sepse realisht vërehet një farë zgjerimi i tepruar në këtë fushë. A mund të na e shtjelloni pak më shumë këtë çështje?

Përgjigje: Unë mrekullitë shkencore të Kuranit nuk i shikoj si një shkencë më vete, por si një mjet për të ftuar të tjerët në Islam. Prandaj duhet të kufizohet brenda kësaj kornize dhe të përdoret si mënyrë për ftesë në Islam dhe për tua bërë njerëzve të dashur Kuranin, për të sqaruar se Allahu i Lartmadhëruar është i vërtetë dhe se mesazhi i Tij është i vërtetë, se Kurani është i vërtetë etj si këto. Dhe në fakt kjo gjë ndikon shumë tek fillestarët. Unë mbaj mend nga rinia ime se sa shumë na pëlqenin këto lloj ligjëratash rreth mrekullive shkencore të Kuranit. Këto gjëra janë tërheqëse për rininë dhe ata që sapo kanë filluar rrugën e diturisë dhe të fesë, i bëjnë ata të jenë të vëdijshëm për madhështinë e Kuranit edhe kur ai  trajton çështje shkencore. Prandaj ato siç thashë janë një mjet bashkohor për t’i ftuar njerëzit në Islam.

Por ai që e përdor këtë mjet duhet të jetë dijetar, ose pasues me bindje i një dijetari të besueshëm. Dhe nuk duhet të besojë çdo gjë që thuhet në këtë fushë. Sepse disa njerëz çfarë bëjnë? Çdo gjë që kanë thënë se është mrekulli shkencore e Kuranit, ai e merr dhe e përcjell si të tillë. Kjo nuk është metodë e saktë. Sepse një herë u gjenda në një situatë ku dikush, në një kanal televiziv, po fliste për një mrekulli mjekësore të përmendur në Kuran. Por ai që fliste nuk ishte doktor. Një nga të pranishmit ishte doktor dhe tha: Jo, këto fjalë nuk janë të sakta shkencërisht, sepse tani kanë zbuluar se, kështu dhe kështu…

Prandaj duhet të përdoret si mjet për davet, por me masë, dhe ai që i përcjell këto të dhëna duhet ta bëjë atë në një mënyrë që nuk është definitive (kështu dhe s’e luan topi), por të jetë njeriu i kufizuar dhe i ruajtur, të ruajë veten e tij duke u shprehur me mënyra të tilla si: ‘Prej kuptimeve të këtij ajeti mund të jetë edhe ajo që ka zbuluar shkenca ….’, dmth e rethon Kuranin me një kufi mbrojtës, dhe respekti ndaj tij, sepse ai është fjala e Allahut të Lartmadhëruar, prandaj nuk i ka hije atij që të shpjegohet me teoritë njerëzore (në formë të prerë, sepse ato janë teori dmth jo fakte të prera shkencore). Ama nëse ato janë shndërruar nga teori në aksioma, dhe fakte të pranuara, të pakundërshtueshme, në rrethet e gjera shkencore, atëherë dihet se fakti i prerë shkencor nuk bie ndesh me një të vërtetë absolute (që është fjala e Allahut), nëse kuptimi i ajetit është definitiv (që është ai dhe jo një tjetër).

Por duhet pasur parasysh se komentimi i Kuranit sipas fakteve shkencore ka disa kushte:

Së pari: që fakti shkencor të jetë i vërtetë dhe i prerë, dhe jo teori nën shqyrtim, apo e mundshme (hipotezë), apo në studim e sipër, dmth një fakt akoma i paprovuar, nën eksperimentim. Por i pranuar prej të gjithë shkencëtarëve.

Së dyti: që kuptimi i këtij ajeti nga ana gjuhësore të tregojë për atë fakt shkencor. P.sh.: Dikush komenton një ajet dhe e lidh me ajetin, por ajeti nuk është në atë temë, dmth ai e lidh komentimin e ajetit me një fakt shkencor, por ajeti nga ana gjuhësore nuk e përmban atë kuptim.

Së treti: që komentimi i Kuranit duke e lidhur atë me të vërtetat shkencore të bëhet nga dikush që është specialist në atë fushë, në atë degë të shkencës për të cilën flet ajeti. Nëse ajeti psh ka lidhje me shkencën e gjeologjisë, ai që e lidh ajetin me faktin shkencor të jetë një gjeolog, pastaj njerëzit pas tij mund ta përcjellin këtë gjë prej tij. Por ai i pari që e bën lidhjen mes ajetit dhe faktit shkencor duhet të jetë i specializuar në atë fushë për të cilën bën fjalë ajeti, dhe të ketë dituri rreth saj. Fizikanti flet për ligjet e fizikës, astronomi flet për çështjet e astronomisë, mjeku për mjekësinë, e kështu me rradhë. Por të vijë dikush dhe t’i mbledhë të gjitha fushat, ato të fizikës, të kimisë, etj … kur ai vet psh është mjek, kjo është mungesë respekti ndaj Kuranit dhe nuk e shikoj të përshtatshme që të hyjë në këtë fushë. (Sh.p.: vetëm nëse mbledh ato që kanë thënë specialistët e çdo fushe)

Pra përfitojmë prej fakteve shkencore të përmendura në Kuran, por kur në këto tema flasin ata që janë të specializuar në to. Me këto tri kushte që përmendëm.

  1. Që fakti shkencor të jetë i vërtetë i pranuar prej dijetarëve, dhe jo hipotezë, apo teori.
  2. Që kuptimi i ajetit të jetë definitiv, i formës së prerë, që bën fjalë për atë gjë, që e përmban kuptimi gjuhësor i ajetit. Dhe po qe i tillë sigurisht që sahabët kanë folur për të, apo nuk bie ndesh me fjalët e tyre.
  3. Që këtë lidhje mes ajetit dhe faktit shkencor ta bëjë dikush që është i specializuar në atë fushë.

Dhe Allahu e di më së miri.

Shejkh Salih Al esh Shejkh. Profesor i shkencave të Kuranit, dhe ministri i fesë së Arabisë Saudite.