Dispozita rreth dy rekateve namaz qe falen kur hyn ne xhami

October 22, 2016

Shejh Muhamed bin Abduluehab (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Falja e suneteve të rregullta[1] vlejnë nga falja e tehijetul-mesxhid (sunetet e përshëndetjes së xhamisë). Prej sunetit është që personi ta ndajë namazin obligativ nga sunetet me fjalë ose duke u ngritur. Bazuar në hadithin e Muavijes. Kush nuk mundet të fal diçka prej suneteve, atëherë pëlqehet që t’i fal kaza ato (kur t’i jepet mundësia). Po ashtu është e pëlqyeshme që personi të falet mes ezanit dhe ikametit.”

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!):

  1. Nëse personi futet në xhami pas thirrjes së ezanit dhe fal sunetet e rregullta, kjo vlen nga falja e tehijetul-mesxhid, sepse tehijetul-mesxhid është namaz i përbërë nga dy rekate para uljes në xhami. Dhe kjo është arritur me faljen e suneteve të rregulla.
  1. Ndarja mes namazit obligativ dhe atij sunet bëhet me fjalë ose duke u ngritur (ndryshuar vendin). Bazuar në hadithin e Muavijes radijAllahu anhu i cili ka thënë: “Kur të falësh namazin e xhumasë, atëherë mos e lidh atë me namaz derisa të flasësh ose të dalësh. Ngase i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar me këtë gjë; që mos ta lidhim namazin me namaz derisa të flasim ose të dalim.” Hadithin e transmeton Muslimi (2402).
  1. Kujt i ikën diçka prej suneteve të rregulla, pëlqehet që t’i fal kaza ato, sepse kjo konsiderohet prej kujdesit dhe ruajtjes së tyre. Bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës radijAllahu anhu i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk i ka falur dy rekatet e sabahut, atëherë le t’i fal ato pasi të lind dielli.” Hadithin e transmeton Tirmidhiu (423) dhe Hakimi në “El-Mustedrak” (1/274). Hadithin e ka saktësuar Hakimi dhe e ka aprovuar Dhehebiu. Shih “Es-Silsiletus-Sahihah” të Albanit (2361).

Dhe në hadithin e Kajs bin Amër ku tregohet se ai i fali dy rekatet sunet të sabahut pas farzit të sabahut. Këtë veprim ia miratoi dhe vetë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Hadithin e transmeton Ibën Huzejme në “Sahihun” e tij (1116) dhe Hakimi në “El-Mustedrak” (1/274-275). Hadithin e ka saktësuar Hakimi dhe e ka aprovuar Dhehebiu. Shih. “Nejlul-Eutar” të Sheukanit (3/27-28).

  1. Është e pëlqyeshme falja e namazit vullnetar mes ezanit dhe ikametit. Bazuar në hadithin e Abdullah bin Magfel radijAllahu anhu i cili thotë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mes dy ezaneve ka namaz, mes dy ezaneve ka namaz.” Herën e tretë tha: “Për atë që dëshiron (të falet).” Hadithin e transmeton Buhariu (627) dhe Muslimi (1940). Me fjalën “dy ezane” është për qëllim ezani dhe ikameti.

“Sherh kitab el-adab el-meshij ila es-salah”

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Të sabahut apo të drekës.

Loading...