Dispozita të ndryshme për vendet ku prek qeni me jargët e tij!

LIBRI BULUGUL MERAM

DISPOZITA E ENËS NË TË CILËN LËPIN QENI

10-Transmetohet nga Ebu Hurejreh (Allahu qoftë I kënaqur me të) se Profeti i Zotit (Paqja qoftë mbi të)  ka thënë: ‘’Pastrimi i enës së ndonjërit prej jush kur në të lëpin qeni bëhet duke e larë atë shtatë herë, herën e parë me dhè’’.

Këtë hadith e ka transmetuar Muslimi. Në një version tjetër të tijin thuhet (…le ta derdhë atë…) Ndërsa në versionin që transmeton Tirmidhiu thuhet (herën e fundit ose herën e parë me dhè)

 

DOBITË E PËRFITUARA NGA HADITHI

1-Ena në të cilën lëpin qeni duhet të pastrohet.

2-Ajo pastrohet duke e larë shtatë herë.

3-Larja e parë duhet të bëhet me dhè.

4-Nuk lejohet mbajtja e qenit në ambientet e brendshme të banesave sepse ndot enët.

 

A ËSHTË QENI I PASTËR APO I PISTË?

Nuk ka dilemë mes shkollave juridike islame sa i takon çështjes se mishi i qenit është i paligjshëm që të hahet. Gjithashtu nuk ka dilemë midis tyre sa i takon jashtëqitjes së qenit që ajo është e pistë siç ka deklaruar Imam Bejhekiu dhe imam Neveviu(Allahu i mëshiroftë).)El Mexhmuë: 2/568) Ndërsa sa i takon qimeve,jargëve putrave dhe trupit të tij shkollat juridike janë ndarë në disa mendime në lidhje me to:

1- Sipas shkollës hanefite qeni nuk është i tëri i pistë. E pistë nga qeni  konsiderohet mishi,djersa dhe jargët e tij. Ndërsa qimet,putrat dhe pjesët e tjera të trupit të tij nuk janë të pista. (Hashijetu Ibën Abidin 1/204)

Ky ishte dhe mendimi i Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë)

2- Sipas shkollës malikite qimet, jargët dhe çdo pjesë tjetër e trupit të qenit është e pastër për sa kohë që është gjallë, bazuar në rregullin e tyre që çdo gjë e gjallë është e pastër.(Esh Sherh Es Sagir 1/43,44)

3- Sipas shkollës shafiite dhe hambelite qeni është i tëri i pistë. Pra, jargët, qimet,putrat dhe çdo gjë tjetër e tij është e pistë.(El Umm 1/8 dhe El Mugni 1/35)

 

 

 

 

A ËSHTË E DOMOSDOSHME LARJA E ENËS SHTATË HERË DHE NJËRA PREJ LARJEVE TË JETË ME DHÈ?

1- Sipas shkollës shafiite dhe hambelite larja e enës deri në shtatë herë duke përdorur dhè në njërën prej tyre është e detyrueshme bazuar në tekstin e mësipërm ku Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka dhënë urdhër që ena të lahet shtatë dhe njëra prej larjeve të jetë me dhè. Preferohet që larja me dhè të bëhet në fillim pasiqë vjen në rrugët më të sakta të hadithit. (El Mugni 1/73 dhe El Mexhmuë 2/598)

2-Sipas shkollës hanefite larja deri në shtatë herë nuk është e detyrueshme. Numri i larjeve në hadith është përmendur për të treguar që duhet të kujdesemi në maksimum që ena të jetë larë sa më mirë. Një arsye që na bën të themi se numri i larjeve nuk është i detyrueshëm është se numri i larjeve nuk ka ardhur fiks në të gjitha rrugët e haditheve që janë transmetuar në këtë çështje.Në disa rrugë numri është shtatë, në disa tetë, në disa tre…etj. Larja me dhè është e pëlqyeshme e jo kusht sepse në disa rrugë të hadithit nuk përmendet larja me dhè gjë që të jep me kuptuar se përdorimi i dheut nuk është kusht. (El Meusuatul El Fikhijjeh El Kuvejtijjeh (qeni)

3-Sipas shkollës malikite duhet të lahet shtatë herë me ujë për shkak të urdhërit që ka ardhur. Përdorimi i dheut nuk është i detyrueshëm për shkak se ai nuk është përmendur në të gjitha transmetimet. Sipas tyre urdhëri për larjen e enës nuk ka ardhur sepse ena ndotet nga lëpirja e qenit në të por thjesht për arsye higjenike ose si masë parndaluese ngase mundet që qeni që ka lëpirë në enë  të ketë ndonjë sëmundje ngjitëse. Argumenti i shkollës malikite që qeni është i pastër në tërësinë e tij është fakti që sheriati e ka lejuar që të gjuhet gjahu nëpërmjet tij. Po të ishte i pistë nuk do të ishte e lejuar që të gjuhej gjahu me të sepse ai e prek gjahun me gjuhën e tij. (Bidajetul Muxhtehid:1/36,37)

Përgjigja e tri shkollave tjera juridike ndaj argumetimit të malikive me faktin që nëse qeni do të ishte i pistë nuk do të lejohej që të përdorej për gjueti është se ky argumentim është i pavlefshëm për vetë faktin se përdorimi i qenit në gjueti është lejuar nga nevoja jo sepse ai është i pastër.

 

A MUND TË PËRDOREN SOLUCIONET PASTRUESE NË VEND TË DHEUT?

Sipas shkollës Shafiite nuk lejohet të përdoren solucione tjera pastruese në vend të dheut pasiqë hadithi e ka cilësuar në mënyrë të qartë që të përdoret dheu. (Sherhun Nevevi ala Muslim: 3/185)

Të njëjtin mendim ka dhe shkolla hambelite vetëm se shkolla hambelite e lejon zëvendimin e dheut me solucionet pastruesenë mungesë të dheut ose kur ena apo rrobja mund të dëmtohet nga dheu.(El Mugni: 1/53)

Sipas shkollës hanefite dhe malikite lejohet të përdoren solucionet pastruese në vend të dheut pasiqë përdorimi i dheut nuk është i detyrueshëm. Ai është përmendur thjesht si shembull për të treguar se preferohet që bashkë me ujin të përdoret edhe diçka tjetër që ndihmon për t’a pastruar enën apo rroben sa më mirë. Poashtu, fakti që urdhëri për të përdorur dheun nuk është përmendur në të gjitha rrugët e hadithit tregon se përdorimi i tij nuk është obligim.

Komisioni i fetvave është pyetur: Cila është dispozita e jargëve të qenit kur bien mbi trupin e njeriut ose mbi rrobat e tij?

Përgjigjja: Jargët e qenit janë të pista, është obligim që të lahet ena ose rrobja e cila është prekur nga jargët e tij mbështetur në hadithin profetik ‘’ : ‘’Pastrimi i enës së ndonjërit prej jush kur në të lëpin qeni bëhet duke e larë atë shtatë herë, herën e parë me dhè’’.(Muslimi:279) Nëse rrobat futen në ujë të pastër dhe lahen derisa të zhduken shenjat e ndyrësisë ato bëhen të pastra me kusht që proçesi i larjes të përsëritet shtatë herë, hera e parë të bëhet me dhe ose me çdo gjë që ka të njëjtin funksion me të si sapuni…etj.

Fetvaja nr: 17558

 

RROBJA E CILA ËSHTË LËPIRË NGA QENI

Sipas malikive njargët e qenit nuk janë të pista prandaj dhe rrobja e cila është lëpirë nga ai nuk bëhet pis dhe nuk është e nevojshme që të pastrohet. Urdhëri që ka ardhur për të larë enën në të cilën ka lëpirë qeni është për higjenën e përgjithshme e jo sepse ena është ndotur.

Sipas shkollave tjera juridike ajo konsiderohet e pistë dhe duhet larë. Shkolla hambelite dhe shafiite janë të mendimit që duhet larë shtatë herë siç veprohet me enën në të cilën ka lëpirë qeni. Ndërsa shkolla hanefite është e mendimit që larja shtatë herë nuk është kusht, ajo lahet aq herë sa nevojitet që ajo të pastrohet.

 

RROBJA E CILA ËSHTË PREKUR NGA QIMET APO PUTRAT E QENIT

Sipas shkollës shafiite dhe hambelite qimet e qenit apo putrat e tij që janë të lagura kur prekin rroben e bëjnë pis atë prandaj ajo duhet larë sikurse lahet kur lëpihet nga qeni.(Sherhun Nevevi:3/185)

Sipas shkollës hanefite dhe malikite qimet dhe putrat e qenit nuk e bëjnë pis rroben. I këtij mendimi ishte dhe Ibën Tejmijeh ( El Fetava El Kubra: 1/246)

 

Përktheu dhe përshtati Rexhep Milaqi