Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Musait – Pjesa e parë

April 27, 2018

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Musait (alejhi selam)!

1- Në këtë histori mësojmë butësinë dhe mëshirën e Zotit ndaj nënës së Musait, kur e frymëzoi në atë mënyrë me të cilën e shpëtoi djalin e saj. Pa harruar dhe përgëzimin që Zoti i dha asaj se do t’ia kthente të birin, premtim i cili po të mos kishte ekzistuar nënën e Musait do t’a mbyste dëshpërimi për djalin e saj.

Allahu e ktheu Musain tek nëna e tij duke i dhënë strehën e paracaktimit, sepse ishte kader i Zotit që ai (Musai) të mos pranonte asnjë gjidhënëse tjetër veç nënës së tij.

Nga kjo mësojmë se mëshira e Zotit ndaj të dashurve të Tij ndodh në gjëra që mendja nuk i percepton dhe fjalët nuk arrijnë t’i shprehin.

Medito gjithashtu në ndikimin e këtij përgëzimi, se si i erdhi fëmija që ajo t’a ushqente haptazi me gjirin e saj madje dhe të merrte pagesë duke u quajtur kështu nëna e tij, si nga ana biologjike por edhe nga ana legjislative.

Kjo bëri që zemra e saj të qetësohet edhe më shumë dhe besimi t’i shtohet, për të vërtetuar fjalën e Allahut që thotë: Por mund t’a urreni një gjë ndërkohë që ajo është e mirë për ju.” [El Bekare: 216]

Për nënën e Musait nuk kishte gjë më të urryer se fëmija i saj të binte në duart e familjes së Faraonit, e megjithatë doli që kjo të kishte mirësi dhe fryte shumë të mira.

2- Faktet e Zotit dhe ajo që pësuan popujt e mëhershëm duhet të na shërbejnë si mësime. Besimtarët përmes këtyre fakteve duhet të ndriçohen sepse Allahu i tregon këto ndodhi për të përfituar, siç thotë në Kuranin fisnik: Ne do të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.” [Kasas: 3]

3- Allahu kur dëshiron të ndodhë diçka i përgatit shkaqet dhe i sjell ato gradualisht, dhe jo të gjitha në një moment.

4- Një popull i shtypur, edhe nëse e arrin kulmin e dobësisë nuk duhet t’a mbizotërojë (mund) dembelizmi nga rendja pas të drejtave që i takojnë. Nuk duhet të bier në pesimizëm ndaj synimit të majave, sidmos kur bëhet fjalë për padrejtësi. Ashtu sikurse Allahu i shpëtoi Beni Israilët edhe pse ishin të dobët dhe të skllavëruarit e Faraonit dhe parisë së tij, Ai (Allahu) ishte që i ndihmoi dhe u mundësoi qëndrim në tokë dhe përdorimin e vendeve të tyre (Faraonit dhe parisë së tij).

5- Një popull i cili qëndron i poshtëruar dhe i përulur dhe nuk i kërkon të drejtat që i takojnë, nuk do të ketë prespektive në mbajtjen e fesë por as në mbajtjen e jetesës  në tokë.

6- Frika e natyrshme nga krijesat nuk bie ndesh me imanin (besimin) dhe as nuk e cënon atë. Siç i ndodhi nënës së Musait me frikën që ajo pati për djalin e saj, apo edhe vet Musait nga gjërat e frikshme që i kanoseshin.

7- Imani shtohet dhe pakësohet, këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Allahut kur thotë: “Që të bëhej besimtare e vërtetë.” [Kasas: 10]

Qëllimi i imanit (besimit) në këtë ajet është shtimi i tij dhe shtimi i qetësisë me të.

8- Prej mirësive më të mëdha që Zoti i jep robit është kur i jep forcë në rastet e vështira dhe të mbushura me frikë. Duhet ditur se ashtu sikurse imani dhe shpërblimi i tij rriten, gjithashtu këtij njeriu i mundësohet edhe të thotë të vërtetën dhe të veprojë gjënë e duhur, kurse idetë dhe mendimet e tij qëndrojnë të palëkundura.

Ndërsa ai që nuk e gëzon këtë forcë për shkak të shqetësimit dhe frikës, fillon i humbet idetë, mendja e tij shpërqëndrohet dhe nuk përfiton nga vetja e tij në këtë situatë.

9- Njeriu edhe nëse e di dhe e ka bindje se caktimi dhe paracaktimi i Zotit është i vërtetë dhe se premtimi i Allahut ka për të ndodhur patjetër, nuk duhet të neglizhojë në shkaqet që i sjellin dobi. Shkaqet dhe rendja pas tyre po ashtu janë pjesë e kaderit të Allahut.  Allahu i Lartësuar i premtoi nënës së Musait se do t’ia kthente përsëri Musain, megjithatë kur Musai ra në duart e familjes së Faraonit nëna e tij dërgoi motrën e Musait t’a ndiqte, duke marrë në këtë mënyrë shkaqet e duhura për atë situatë.

10- Mësojmë se lejohet dalja e gruas për të kryer punët e saj, qoftë dhe duke biseduar me gjininë e kundërt përderisa nuk ekziston arsye ndalimi. Si rasti i motrës së Musait, apo atyre dy vajzave nga Medjeni.

11- Lejimi i marrjes së pagesës kundrej kujdestarisë apo gjidhënies, siç veproi nëna e Musait. E themi këtë sepse legjislacioni i popujve para nesh konsiderohet legjilacion edhe për ne, përderisa nuk kemi në sheriatin tonë argument që e pezullon atë.

 

“Kisasul Enbija” (Historitë e Pejgamberëve) nga Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...