EMRAT DHE ATRIBUTET E ALLAHUT TË MADHËRUAR

-Allahu i Lartmadhëruar e ka përshkruar veten e Tij nëpërmjet Kuranit Famëlartë dhe haditheve të Profetit (Paqja qoftë mbi të) me Emra dhe Atribute të shumtë.

-Nëpërmjet këtyre Emrave dhe Atributeve besimtarët arrijnë të njohin Krijuesin e tyre.

-Pohimi i këtyre Emrave dhe Atributeve,dhe pranimi i tyre ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe në hadithet profetike,është detyrë për çdo besimtar ngase kështu ka vepruar Profeti (Paqja qoftë mbi të) dhe shokët e tij,dhe kështu kanë vepruar të gjithë dijetarët e mirëfilltë të kohërave të hershme të fesë islame.

-Kushdo që i mohon apo nuk i pranon ato ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe hadith ai ka kundërshtuar praktikën e Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe të shokëve të tij, dhe të gjithë dijetarëve të mirëfilltë të kohërave të hershme të Islamit.

-Emrat e Allahut dhe Atributet e Tij nuk janë të ngjashëm me emrat dhe atributet e krijesave.Emrat dhe Atributet e Tij janë të përsosura dhe unike.Në Kuranin Famëlartë citohet:’’Asgjë nuk është sikur Ai’’ (Shura 11)

-Forma dhe realiteti i Atributeve të Tij është diçka e fshehtë për ne. Shpjegimi i formës dhe realitetit të tyre është i pamundur dhe i ndaluar.

-Askush nuk i njeh të gjithë Emrat dhe Atributet e Allahut të Madhëruar. Ne njohim aq sa na është treguar në Kuranin Famëlartë dhe në hadithet profetike.

-Ato janë të caktuara me argument nga Kurani dhe hadithi. Askush nuk e ka të drejtën që të sajojë emra apo atribute për Allahun e Madhëruar nga vetja e tij.

-Atributet e Allahut të Madhëruar ndahen në dy kategori kryesore:

1-Atributet që Allahu I Madhëruar ia ka përshkruar vetes së vet, disa nga të cilat lidhen me Qenien e Tij të Lartmadhëruar si: Shikimi, dëgjimi, fuqia, dija, pavdekshmëria..etj. E disa lidhen me veprat e Tij,si:Zbritja në qiellin e dunjasë në një të tretën e fundit të natës,të qeshurit,qëndrimi mbi Arsh…etj.

2-Atributet që Allahu I Madhëruar ia ka mohuar Vetes së vet: si: Vdekshmëria, gjumi, harresa, pafuqia, lodhja…etj.

-Mohimi i Atributeve të Allahut të Madhëruar që Ai ia ka përshkruar vetes së Vet  në Kuran apo në hadithet e sakta është kufër(dalje nga Islami). Siç veproi Xhehm bin Safvani dhe pasuesit e tij që njihen si ”xhehmitët” dhe Vasil bin A’taë me pasuesit e tij që njihen si ”Mu’tezilitët”

– Përngjasimi i Allahut me krijesat është gjithashtu kufër. Siç veproi Mukatili dhe pasuesit e tij që njihen si ”Mushebbiheh” ose ”Muxhessimeh”

Këto dy pikëpamje (mohimi i Atributeve të Allahut dhe përngjasimi i Tij me krijesat) janë në mënyrë unanime të devijuara dhe janë konsideruar kufër nga dijetarët.

Dijetarët e ehli sunetit i kanë kundërshtuar fuqishëm në të gjitha kohërat këto dy pikëpamje.

 

Përshtati: Rexhep Milaqi