Sinqeriteti dhe përmbushja e domethënies së tij

October 21, 2020

PJESË NGA LIBRI ‘’SINQERITETI DHE PËRMBUSHJA E DOMETHËNIES SË TIJ’’

 

Fjala ‘’i adhuruar’’ është përdorur edhe për epshin që ndiqet nga njeriu. Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’A e ke parë atë i cili e bëri epshin e tij të adhuruar të tijin?’’ (El Xhathijeh; 23)

Ka thënë Katade (1): Ai është personi i cili sa herë që dëshiron diçka e bën atë, nuk e frenon atë as ndershmëria e as devotshmëria.

Transmetohet nga Ebu Umameh (2) një hadith me zinxhir transmetuesish të dobët: Nuk gjendet nën qiell zot i rremë që adhurohet më i madh se epshi që ndiqet nga njeriu.

Në një hadith tjetër ceket: Fjala ‘’La ilahe il-lall-llah’’ do të vazhdojë t’i mbrojë ata që e thonë derisa t’i japin epërsi jetës materiale mbi fenë e tyre. Kur t’a bëjnë një gjë të tillë atëherë do t’u kthehet mbrapsht dhe do t’u thuhet: Gënjeni! (3)

Këtë e mbështet hadithi i saktë që përcillet nga Profeti (alejhi selam): ‘’U poshtëroftë robi i dinarit, u poshtëroftë robi i derhemit, u poshtëroftë robi i pelerinës, u poshtëroftë robi i mantelit! U poshtëroftë e më keq u bëftë, e halli kurrë mos iu zgjidhtë!”

Kjo dëshmon se ai që është i apasionuar pas diçkaje dhe i nënshtruar ndaj saj, saqë ajo është kthyer në qëllimin dhe pikësynimin e tij, miqësohet dhe armiqësohet me të tjerët për hir të saj, padyshim që ky njeri konsiderohet si rob i saj dhe ajo konsiderohet si idhull dhe zot i tij. Për këtë dëshmon gjithashtu fakti se Allahu e ka cilësuar bindjen ndaj djallit në mëkat si adhurim ndaj djallit, sikurse ka thënë: ‘’A nuk ju pata porositur o bijtë e Ademit që të mos e adhuroni djallin?’’ (Jasin; 60)

Gjithashtu ka thënë, duke cituar fjalët e mikut të Tij Ibrahimit drejtuar babait të tij: ‘’O ati im, mos e adhuro djallin, se padyshim djalli është i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.’’ (Merjem; 44)

Ai që nuk e realizon adhurimin e të Gjithëmëshirshmit dhe bindjen ndaj Tij, ai adhuron djallin me bindjen që shfaq ndaj tij. Nga adhurimi i djallit shpëton vetëm ai që është i sinqertë në adhurimin ndaj të Gjithëmëshirshmit. Këta janë pikërisht ata për të cilët Allahu ka thënë: ‘’Padyshim që ti nuk ke pushtet mbi robërit e Mi.’’ (El Hixhr; 42)

Pra, janë ata të cilët i kanë dhënë hakun fjalës ‘’La ilahe il-lall-llah’’ duke qenë të sinqertë në shqiptimin e saj dhe duke e vërtetuar atë me vepra. Ata të cilët nuk i kushtuan vëmendje askujt tjetër veç Tij, as në dashuri, as në shpresë e as në frikë apo bindje apo mbështetje. Ata të cilët ishin të sinqertë në thënien ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’, ata janë me të vërtetë robërit e Allahut. Ndërsa ai që thotë; ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’ me gojën e tij dhe më pas i bindet shejtanit dhe egos së tij; ‘’E kush mund të jetë më i humbur se ai që ndjek epshin e tij pa pasur ndonjë udhëzim nga Allahu?’’ (Kasas; 50) ‘’Mos e ndiq epshin sepse ai të devijon nga rruga e Allahut.’’ (Sad; 26)

O njeri, bëhu rob i Allahut e mos u bën rob i epshit tënd, sepse epshi e flak njeriun në zjarr. ‘’A zotrat e ndryshëm janë më të mirë apo Allahu, Një, i Vetëm, i Gjithëpushtetshëm?’’ (Jusuf; 39)

I poshtëruar qoftë robi i derhemit! I poshtëruar qoftë robi i dinarit! Pasha Allahun, nesër nga dënimi i Allahut do të shpëtojë vetëm ai që e ka realizuar domethënien e të qënurit rob i Allahut të Vetëm, i cili nuk i ka kushtuar vëmendje asgjëje tjetër pos adhurimit ndaj Tij. Kush e di se Allahu është i Adhuruari i vetëm, atëherë le të jetë adhurimi i tij vetëm për Të (4); ‘’Le të mos shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.’’ (Kehf; 110)

Një njeri i urtë teksa ishte duke këshilluar disa prej nxënësve të tij mbi majën e një mali, tha: Askush nuk ka për t’a arritur qëllimin derisa aparenca e tij të jetë e njëjtë me të brendshmen e tij. Papritur atë e kapën të dridhura aq të forta saqë nxënësit e tij pandehën se u shembën shkëmbinjt. Ai qëndroi një kohë të caktuar në këtë gjendje, dhe kur erdhi në vete dukej si të ishte ringjallur nga varri.

Fjala ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’ kërkon që njeriu të mos dojë dikë tjetër veç Tij, sepse i adhuruar është ai që njeriu i nënshtrohet dhe nuk e kundërshton nga dashuria, frika dhe shpresa. Pjesë e përsosmërisë së dashurisë së Tij është që të duash atë që Ai do dhe të urresh atë që Ai e urren. Ai që do diçka që Allahu e urren apo urren diçka që Allahu e do, nuk e ka plotësuar teuhidin e as sinqeritetin e tij në thënien; ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’.

Tek ai gjendet prej shirkut të fshehtë aq sa është urrejtja ndaj asaj që Allahu do, apo sa është dashuria e tij ndaj asaj që Allahu urren. “Kjo ngase ata ndoqën atë që e hidhëronte Allahun dhe urryen atë që i pëlqente Atij, e për rrjedhojë Ai ua asgjësoi veprat.’’ (Muhamed; 28)

Lejthi (5) ka transmetuar nga Muxhahidi (6) në lidhje me fjalën e Allahut të Madhëruar: ‘’Ata të cilët nuk më bëjnë asgjë ortak.’’ (Nur; 55), se kuptimi i saj është: ‘’Nuk duan dikë tjetër veç Meje.’’

Në Sahihun e Hakimit (7) shënohet nga Aishja (8) (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Shirku në këtë umet është më i fshehtë se ecja e milingonës mbi gurë në natën e errët. Më e pakta e tij (e shirkut të fshehtë) është që t’a duash dikë për një padrejtësi që bën ose t’a urresh dikë për drejtësinë që mban. A është feja gjë tjetër veç dashurisë dhe urrejtjes?’’

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Thuaj, nëse e doni Allahun më ndiqni mua e Allahu do t’ju dojë juve.’’ (Ali Imran; 31)

Ky ajet është argument konkret se të duash atë që urren Allahu apo të urresh atë që do Allahu duke ndjekur epshin, të miqësohesh apo të armiqësohesh për hir të saj, bën pjesë në shirkun e fshehtë.

Hasani ka thënë: Dije se nuk mund t’a duash Allahun derisa të duash bindjen ndaj Tij.

E pyetën Dhun-Nun El Misrin (9): Kur mund të konsiderohem që e dua Zotin Tim? Ai i tha: Kur të jetë për ty ajo që Ai e urren, më e hidhur se fruti i fikusit.

Bishr Es Sirri (10) ka thënë: Nuk është prej shenjave të dashurisë të duash atë që i dashuri yt e urren.

Ebu Jakub En Nehraxhuri (11) ka thënë: Cilido që pretendon se e do Allahun ndërkohë që veprat e tij nuk përputhen me urdhërin e Tij, pretendimi i tij është i pavërtetë.

Jahja ibën Muadhi(12) ka thënë: Nuk është i sinqertë ai që pretendon dashurinë e Allahut ndërkohë që nuk respekton ligjet e Tij.

Ruejmi (13) ka thënë: Dashuria e vërtetë është dakordësia në të gjitha situatat. Pastaj recitoi:

Unë të them lepe-peqe në më thënç vdis,

Dhe lajmëtarit të vdekjes i them; Mirë se të vish!

 

Për këtë dëshmon fjala e Allahut: ‘’Thuaj: Nëse e doni Allahun më ndiqni mua dhe Allahu do t’ju dojë juve.’’ (Ali Imran; 31)

Hasani transmeton se shokët e Profetit (Paqja qoftë mbi të) thanë: Ne e donim shumë Zotin tonë, ndaj Allahu deshi që të vendosë për dashurinë e Tij një shenjë dhe për këtë shpalli ajetin në fjalë.

Nga kjo mësohet se dëshmia ‘’La ilahe il-lall-llah’’ nuk plotësohet pa dëshminë ‘’Muhamedun Resulull-llah’’. Nëse dashuria ndaj Allahut nuk plotësohet vetëm se nëpërmjet dashurisë ndaj asaj që Ai do dhe urrejtjes së asaj që Ai urren, atëherë e vetmja mënyrë për t’i njohur këto është Profeti (Paqja qoftë mbi të). Ai përcjell nga Allahu ato që Ai do dhe ato që urren, duke ndjekur urdhëresat dhe duke shmangur ndalesat e Tij. Në këtë mënyrë dashuria ndaj Allahut e bën të pashmangshme dashurinë ndaj Profetit (Paqja qoftë mbi të), besimin dhe ndjekjen e tij.

Prandaj Allahu ka ndërlidhur mes dashurisë për Të dhe dashurisë për  Profetin e Tij (Paqja qoftë mbi të) në fjalën e Tij: ‘’Thuaj: Nëse etërit dhe vëllezërit tuaj janë më të dashur për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij … ’’ (Teube; 24)

Prandaj Allahu ka ndërlidhur mes bindjes ndaj Tij dhe bindjes ndaj Profetit të Tij në vende të shumta në Kuranin Famëlartë. Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Ai tek i cili gjenden këto tri gjëra do të shijojë ëmbëlsinë e besimit; Të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur për të se kushdo tjetër, ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut, dhe të urrejë të kthehet në kufër pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij siç urren të hidhet në zjarr.’’ (14) Kjo ishte gjendja e magjistarëve pasi hyri në zemrat e tyre dashuria (për Allahun). Ata ishin të kënaqur të flijonin vetet e tyre dhe i thanë Faraonit: Gjyko si të duash! Në çastin që në zemër zë vend dashuria, gjymtyrët e trupit janë të prirura t’i binden Zotit.

Ky është kuptimi i hadithit kudsij të cilin e ka përcjellë Buhariu në Sahihun e tij, ku thuhet: ‘’Robi Im vazhdon të Më afrohet me veprat e mira vullnetare derisa t’a dua atë. Kur t’a dua bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij me të cilën prek dhe këmba e tij me të cilën ecën.’’ (15) Thuhet se në një version tjetër teksti i këtij hadithi është: ‘’Falë Meje ai dëgjon, sheh, prek dhe ecën.’’ Kuptimi i kësaj është se kur dashuria për Allahun e mbush zemrën dhe mbizotëron në të, gjymtyrët bëjnë vetëm atë që i pëlqen Zotit. Shpirti gjen prehje në përparësinë që i jep vullnetit të Zotit mbi vullnetin dhe dëshirën e vet. O njeri, adhuroje Allahun për të përmbushur vullnetin e Tij ndaj teje e jo për të përmbushur vullnetin tënd ndaj Tij! Ai që e adhuron Allahun për të përmbushur vullnetin e vet ndaj Tij, ai është nga ajo kategori e njerëzve që adhurojnë Allahun për interesat e tyre. Nëse e gjen ndonjë e mirë qetësohet, e nëse e gjen ndonjë sprovë kthehet në origjinën e tij, dhe ky njeri ka dështuar në të dyja jetët. Nëse njohja e Zotit dhe dashuria për Të është e fortë, vullneti i robit nuk bie ndesh me vullnetin e Zotit. Në një libër të hershëm thuhet: Gjëja më prioritare për atë që e do Allahun është kënaqësia e Tij, ndërsa gjëja më prioritare për atë që do dynjanë është epshi i tij.

Ibën Ebi Ed Dunja (16) ka përcjellë nga Hasani se ka thënë: Nuk kam parë me sytë e mi e as kam folur me gojën time, as kam prekur me dorën time, as jam ngritur në këmbë derisa të sigurohem se po e veproj për t’iu bindur Allahut apo për t’a kundërshtuar Atë. Nëse ajo gjë ishte vepër e mirë atëherë vazhdoja, e nëse ishte mëkat zmbrapsesha.

Kjo është gjendja e kategorisë së ashikëve (të përmalluarve) të vërtetë. Kuptojeni këtë (Allahu ju mëshiroftë), sepse kjo është prej çështjeve të imëta dhe të ndërlikuara të Teuhidit. Për këtë e kishte fjalën Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) me rastin e mbërritjes në Medine kur tha: Duani me gjithë zemër! (17) Këtë transmetim e ka përmendur Ibën Is’haku(18) dhe të tjerë veç tij. Nëse zemra e tij mbushet me dashurinë për Allahun, atëherë asgjë nuk do të jetë më boshe për të se dëshirat dhe egot e tij.

Për këtë e kishte fjalën poeti (19) në vargjet e mëposhtme:

Eci me zemër të kyçur nga dashuria që kam për ty,

Askënd tjetër s’lejoj të banojë në të me ty.

Sytë mbyllur do doja t’i mbaja derisa të të shihja ty,

Çdo qelizë e qënies sime është mpirë nga dashuria për ty.

Jo të gjithë ashikët janë të sinqertë në mallëngjimin e tyre,

Lotët që rrjedhin çurg mbi faqe janë dalluesi më i mirë midis tyre.

Ashikët e sinqertë nga mallëngjimi treten, e ashikët e shtirur s’frenojnë dot as gjuhën e tyre.

Nuk janë ashikë ata që pretendojnë se kanë fuqi në duart e tyre,

Ashikë janë ata që ç’shikojnë e ç’dëgjojnë ia atribojnë të Dashurit të tyre!

 

Poshtëshënimet:

1) Ebul Hatab, Katade ibën Diameh Es Sedusi El Basri, memorizuesi i haditheve, komentatori i Kuranit, eksperti i arabishtes, i  gjenealogjisë dhe i historisë së Arabëve. Lindi më 61 hixhri dhe vdiq më 118 hixhri në qytetin e Vasitit në Jug të Irakut.

2) Sahabiu madhështor Ebu Umameh Sudej ibën Axhlan ibën Uehb. Pseudonimi i tij ishte Ebu Umameh El Bahili. Sipas Sufjan ibën Ujejne ai ishte sahabiu i fundit që ndërroi jetë në Sham. Vdiq më 86 hixhri ose 81 hixhri. Allahu qoftë i kënaqur me të!

3) E ka përcjellë Ibën En Nexhari nga Zejd ibën Erkami. Nuk është i saktë. Ndodhet në librin ‘’El Xhamiu El Kebir”.

4) Shiko broshurën ‘’El Ubudijeh’’ të Ibën Tejmijes, sepse autori ka cituar këtu një pjesë të madhe nga broshura në fjalë.

5) Imami i madh Lejth ibën Sad, imami i popullit të Egjiptit në kohën e tij në fushën e hadithit dhe jurisprudencës. Origjinën e kishte nga Horasani. Lindi në Kalkashendeh dhe vdiq në Kajro. Ishte prej fisnikëve bujarë. Vdiq më 175 hixhri (Allahu e pastë mëshiruar).

6) Ebul Haxhaxh Muxhahid ibën Xhebër bënte pjesë në brezin e tabiinëve. Ishte prej profesorëve të mëdhenj të këndimit të Kuranit dhe interpretimit të tij. Lindi më 21 h dhe ndërroi jetë më 104 h.

7) Imami Ebu Abdilah Muhamed ibën Abdilah Ed Dabij En Nejsaburi, memorizuesi i madh i haditheve i njohur si El Hakim. Autor i shumë librave dhe imam i besueshëm. Imam Dhehebiu ka thënë në librin El Mizan: Shpesh në librin e tij El Mustedrek cilëson të sakta hadithe që janë tepër të dobëta. Kishte tendenca shiite por pa e sulmuar Ebu Bekrin dhe Umerin. Vdiq më 405 h (Allahu e pastë mëshiruar). Hadithi në fjalë është i dobët siç e kam sqaruar në librin tim ‘’Vargu i Haditheve të Dobëta’’ me nr. 3755.

8) Nëna e besimtarëve Aishja e bija e të Sinqertit Ebu Bekër (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ishte bashkëshortja e Profetit të Allahut (Paqja qoftë mbi të). Profeti i vendosi pseudonimin nëna e Abdullahit dhe ajo ishte më e ditura ndër gratë e tij në fushën e jurisprudencës. Përcolli nga Profeti një numër prej 2210 hadithesh. Vdiq më 58 h dhe u varros në varrezat e Bekijes. Shiko gjithashtu librin e imam Zerkeshiut ‘’El Ixhabeh Tima Istedraket’hu Aisheh Ale Sahabeh’’, botim i shtëpisë botuese El Mekteb El Islami me recensimin e Profesor Afganit. Aty është nxjerrë në pah dija e saj mahnitëse

9) Dhun-Nun El Misri, asketi i mirënjohur. Quhej Theuban bin Ibrahim ose Fejd ibën Ibrahim. Imam Dhehebiu në librin El Mijzan ka thënë: Ka përcjellë disa hadithe mbi saktësinë e të cilave ka pikëpyetje. Origjinën e kishte nga Nubia. Vdiq më 245 h (Allahu e pastë mëshiruar).

10) Bishr ibën Es Sirrij El Efueh, Ebu Amr Predikuesi. Lindi në Basra dhe më pas u zhvendos në Mekë. U akuzua se mbronte konceptin e Ibën Xhehmit nga i cili u pendua dhe hoqi dorë. Mbante këshilla dhe predikime. Ishte mutekelim (teolog) dhe hadithet e tij gjenden në gjashtë burimet e hadithit. Vdiq më 195 h në moshën 63 vjeçare (Allahu e pastë mëshiruar).

11) Is’hak ibën Muhamed Ebu Jakub En Nehraxhuri, nga Nehra Xhurij që ndodhet midis Ahuazit dhe Mejsanit. Ishte prej dijetarëve sufij. Mësoi prej Xhunejdit, Amr ibën Uthman El Mekij, Ebu Jakub Es Susij dhe të tjerë. U vendos në tokën e shenjtë pranë Qabes për vite me rradhë. Vdiq më 330 h (Allahu e pastë mëshiruar).

12) Predikuesi asket, Ebu Zekerija Jahja Ibën Muadh Er Razi. U shpërngul në Belh ku qëndroi disa kohë, më pas u rikthye në Nejsabur ku vdiq në vitin 250 h.

13) Ebu Muhamed Ruejm ibën Ahmed El Bagdadi. Ishte nga populli i Bagdadit, ishte jurist i shkollës Dhahirite të Daud El Esbehanit, ishte ekspert i këndimeve të Kuranit. Shkencën e këndimit të Kuranit e mësoi nga Idris ibën Abdul Kerim. Vdiq më 303 h(Allahu e pastë mëshiruar).

14) E përcjell Buhariu dhe Muslimi nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të).

15) Hadithi është i saktë, siç e kam shtjelluar në vargun e haditheve të sakta me nr. 1640.

16) Imami Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed ibën Sufjan El Bagdadi, memorizuesi i madh i haditheve i njohur si Ibën Ebi Ed-Dunja. Ishte i besueshëm, shkroi disa libra. Vdiq më 208 h (Allahu e pastë mëshiruar).

17) E përcjell Ibën Is’haku pa zinxhir transmetimi sikurse është në librin “Biografia Profetike” e Ibën Hishamit.

18) Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Jesar, i liruar nga skllavëria nga njerëz të fisit El Mutalibi. Njëri ndër imamët e mirënjohur të popullit të Medines dhe historianët më të vjetër të historisë së arabëve. Është autor i librit “Biografia Profetike” nga i cili e ka përcjellë Ibën Hishami. Autor i librit Kitabul Hulefa, bënte pjesë në rrymën kaderite dhe ishte një nga memorizuesit e mëdhenj të haditheve. Ishte nga ata transmetimi i të cilëve është argument, me kusht që të deklarojë se e ka dëgjuar nga ai që transmeton hadithin. Jetoi dhe vdiq në Bagdad më 151 h.

19) Ahmed ibën Husejn El Mutenebih në poemën e tij e cila nis me vargjet:

Në t’u bëfshin fli ata që nuk të arrijnë,

Nuk mbetet mbret pa u bërë për ty fli!

 

Libri: كلمة الاخلاص وتحقيق معناها – Sinqeriteti dhe domethënia e përmbushjes së tij.

Autor: Ibën Rexheb El Hanbeli

Poshtëshënimet: Shejh Albani

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...