Frika ndaj Allahut cilësi e banorëve të Xhenetit

August 18, 2016

Cilësitë e banorëve të xhenetit

Frika ndaj Allahut

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abduluahid (Allahu e ruajttë!):

Robër të Allahut!

Banorët e xhenetit kanë hyrë në xhenet ngase ata në jetën e kësaj bote i frikësoheshin Allahut. Prandaj hajdeni bashkë me ne që të dëgjojmë fjalën e Zotit tonë, i Cili na lajmëron në Librin e Tij se banorët e xhenetit kur ishin në dynja frikësohesh nga Allahu Madhëruar.

Allahu Madhëruar thotë: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi, duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të Zjarrit flakërues. (Do t’u thuhet): “Hani e pini me kënaqësi, si shpërblim për atë që keni bërë!” Të mbështetur në divane të renditura, ata do të martohen me hyri sybukura. Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta. Dhe do t’ua zgjerojmë dhuntitë atyre me fruta dhe mish, si ua ka ënda. Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe. Rreth tyre do të sillen shërbyes, djelmosha si margaritarë të fshehur. Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë: “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit). Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”. Et-tur, 18-28

Zoti ynë i Lartësuar na njofton për një fragment në lidhje me banorët e xhenetit në kohën kur ata janë futur në xhenet “Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë” banorët e xhenetit pyesin njëri-tjetrin.

Më parë, Ne” d.m.th. në dynja “kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut) por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).”

Robër të Allahut!

Frika ndaj Allahut të Lartësuar është shkak për të hyrë në xhenet. Allahu Madhëruar thotë: “Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte!” Er-Rahman, 46

I Madhëruari thotë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” En-Neziat, 40-41

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush frikësohet niset herët dhe kush niset herët arrin shtëpinë. Me të vërtetë plaçka e Allahut është e shtrenjtë. Dijeni, se plaçka e Allahut është xheneti.” Hadith autentik. Tirmidhiu (2450) etj.

Robr të Allahut!

Nëse lexojmë Librin e Zotit tonë gjejmë se Allahu Madhëruar i frikëson robët e tij:

-Herë i frikëson me dënimin dhe ndëshkimin e Tij. Siç thotë i Madhëruari: “Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!” El-Buruxh, 12

I Madhëruari thotë: “Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij.” Al-Imran, 30

Po ashtu thotë: “Ta dini se Allahu është i Ashpër në ndëshkim.” El-Maide, 98

-Herë i frikëson me dënimin e ditës së Kiametit. Allahu Madhëruar thotë: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” El-Bekare, 281

I Madhëruari thotë: “Qysh do të mbroheni ju, nëse mbeteni jobesimtarë, Ditën në të cilën fëmijët do të thinjen?” El-Muzemil, 17

I Madhëruari thotë: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barren e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” El-Haxh, 1-2

-Herë i frikëson me dënimin e zjarrit të xhehenemit. I Madhëruari thotë: “Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. O robërit e Mi, më kini frikë Mua!” Ez-Zumer, 16

-Herë i frikëson me vdekjen. I Madhëruari thotë: “Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.” Kaf, 19

I Madhëruari thotë: “Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.” El-Xhumua, 8

Po ashtu thotë: “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja…” En-Nisa, 78

 

“El-Akidetu el-Evvelen” vëll. 3

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...