Gjykimi i daljes imam në xhamitë që kanë imamë apo përgjegjës të caktuar

September 26, 2017

Gjykimi i daljes imam në xhamitë që kanë imamë apo përgjegjës të caktuar.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Mos iu bëj kujt imam në familjen e tij dhe as në vendin e sundimit të tij.” E transmeton Muslimi.
Fjala e Profetit -alejhi selam- [… dhe as në vendin e sundimit të tij], d.m.th. të mos i bëjë dikush imamin dikujt në vendin ku është sundimtar apo pushtetar.
Imam Et-Tibij, një prej komentuesve të haditheve profetike i vdekur në vitin 743 H, në komentimin e hadithit thotë: “Nëse dikush i prin dikujt në namaz në vendin e sundimit të tij, kjo gjë çon në nënvlerësimin e pushtetit dhe nxit për lënien e bindjes ndaj tij (pushtetarit). Po kështu, edhe nëse i prin tjetrit në shtëpinë e tij apo para popullit të tij kjo gjë çon në zemërime dhe braktisje dhe shfaqjen e mosmarrëveshjeve, për largimin e të cilave është ligjësuar bashkimi në xhemat gjatë faljes. Prandaj nuk duhet t’i prijë ndokush atij që është pushtetar sidomos në festa dhe të xhuma, dhe as imamit të lagjes apo të zotit të shtëpisë”. Shih ‘Sherh El-Mishkat’: 4/1153.
Dijetarët në kuptimin e hadithit fusin edhe daljen para imamit të caktuar të xhamisë pa lejen e tij, sepse ai për detyrën që ka është pushtetar në xhaminë ku është caktuar për imam. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për përgjegjësin e xhamisë nëse një xhami nuk ka imam por ka një përgjegjës, që do të thotë se nuk duhet të dalë njeri të bëjë imamin pa lejen e tij.

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...