Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.Historia e shtatë.

August 23, 2016

Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Historia e shtatë.

AbdullahbinMesudi-radiallahuanhu- tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Beni Israilët kur u larguan nga koha e profetëve dhe u ngurtësuan zemrat e tyre, shpikën një libër nga ana e tyre, sipas dëshirave dhe fjalëve të gjuhëve të tyre sepse e vërteta e ardhur prej Allahut ishte pengesë mes tyre dhe ndjekjes së dëshirave të tyre dhe kështu e hodhën librin e Allahut pas shpine sikur nuk dinin gjë. Ata thanë: paraqiteni këtë libër para Beni Israilëve! Nëse ata ju pasojnë, lërini dhe nëse ju kundërshtojnë atëherë vritini! Pastaj thanë: Jo, por dërgojani filanit një burrë prej dijetarëve të tyre! Ai nëse e pranon nuk do ta kundërshtojë njeri dhe nëse ju kundërshton vriteni se nuk do t’ju kundërshtojë njeri pas tij. Ata ia dërguan atë atij dhe ai mori një letër, shkroi në të librin e Allahut, pastaj e futi atë në një brirë, e vari në qafë, veshi mbi të rrobat e tij pastaj shkoi te ata dhe ata ia paraqitën librin dhe i thanë: E beson këtë libër? Ai u tha duke bërë me shenjë nga kraharori –dmth librin në brirë-: unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj?! Dhe kështu ata e lanë atë të qetë. Ai kishte disa shokë që e vizitonin shpesh dhe kur i erdhi vdekja dhe ata ia hoqën rrobat, gjetën bririn dhe brenda tij librin. Ata thanë: a nuk e keni parë kur thoshte: unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj atë?! Pra, ai ka pasur për qëllim këtë libër që është në brirë. Kështu u përçanë Beni Israilët duke u ndarë në shtatëdhjetë e ca grupe më të mirët prej tyre pasuesit e burrit të bririt” e transmeton Bejhakiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Dobitë e përfituara nga këto histori:

1- Largimi nga koha e profetëve do të thotë zbehje e mësimeve të tyre sepse profetët kanë lënë shembullin e mirë te njerëzit, gjë të cilën nuk mund ta bëjë në atë mënyrë askush pas tyre. Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe profeti ynë -alejhi selam- në lidhje me këtë ymet: “Brezi më i mirë i njerëzve janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Pastaj do të vijnë njerëz të cilët dëshminë e tyre e japin para betimit dhe betimin e tyre e bëjnë para dëshmisë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Fjala e tij [dëshminë e tyre e japin para betimit dhe betimin e tyre e bëjnë para dëshmisë]dmth: nxitojnë nëdhënien e dëshmisë dhe bërjen e betimit sa nuk dinë me cilën të fillojnë dhe kjo ndodh kur dobësohet devotshmëria dhe nuk e ndjejnëpërgjegjësinë e tyre

2- Ngurtësimi i zemrave është shkak për zhytjen e njeriut në gjynahe deri edhe në ato më të shëmtuarat siç është ndryshimi i librit të Allahut duke gënjyer edhe në emër të tij, gjë e cila është zullumi më i madh siç thotë Allahu në Kuran: “Kush është më zullumqar sesa ai që gënjen në lidhje me Allahun dhe përgënjeshtron të vërtetën kur i vjen?! A nuk është xhehenemi vend strehim për mohuesit?!”suretuEz-Zumer: 32.

Kjo cilësi e shëmtuar ka qenë e përhapur te Beni i Israilët derisa Allahu i madhëruar i përmend edhe në Kuran duke thënë: “Mjerë për ata që e shkruajnë librin me dorën e tyre pastaj thonë ky është prej Allahut për të për të fituar diçka nga dynjaja. Mjerë për ata prej asaj që kanë shkruar dhe mjerë për ata prej asaj që fitojnë”suretuEl-Bakara: 79.

Sa i qëlluar është përshkrimi i Allahut për zemrat e Beni Israilëve kur thotë: “Pastaj atyre ju ngurtësuan zemrat dhe ato janë si gurë apo më të ngurta sepse nga gurët ka që çahen dhe prej tyredel ujë…”suretuEl-Bekara: 4.

Këtu Allahu i madhëruar tregon për zemrat e Beni Israilëve të cilat janë të forta si guri dhe nuk zbuten asnjëherë madje edhe më të ngurta se gurët sepse prej gurëve ka që çahen dhe del prej tyre ujë burimi dhe s’ka dyshim se zemra nuk arrin deri në këtë gjendje veçse me gjynahe të mëdha dhe me përsëritjen e tyre.

3- E vërteta është gjithmonë pengesë e përhapjes së të kotës prandaj dhe ata deshën ta zhdukin të vërtetën për ta përhapur të kotën se ndryshe nuk do t’ia arrinin dot qëllimit. Kështu që duhet ruajtur patjetër libri i Allahut i cili e përmban të vërtetën prej Allahut për të asgjësuar të kotën siç përmendet në Kuran: “Ne gjuajmë me të vërtetën të kotën dhe ajo e thyen dhe shkatërron atë”suretuEl-Enbija: 18.

4- Aty ku ka dijetarë ka begati sepse ata me dijen e tyre arrijnë ta dallojnë të mirë nga e keqja pastaj me anë të rolit të tyre edukativ tkurret e keqja dhe përhapet e mira në tokë prandaj dhe pengesa e tyre e dytë pas librit të Allahut ishin dijetarët dhe vendosën ti vrasin nëse kundërshtojnë.

5- Kur njeriu nuk arrin dot të ndryshojë të keqen, i mjafton atij ta urrejë atë me zemër siç thotë profeti ynë -alejhi selam-: “Kush sheh një të keqe, ta ndryshojë atë me dorën e tij dhe nëse nuk mundet, ta ndryshojë atë me gojë dhe nëse nuk mundet, ta ndryshojë atë me zemër…” e transmeton Muslimi. Pikërisht kjo ishte ajo që ndodhi me këtë dijetar kur u mjaftua me ndryshimin me zemër duke fshehur të vërtetën sepse shfaqja e saj përbënte rrezik më të madh për të.

IbnMesudi -radiallahuanhu- pas këtij tregimi porosiste: “Kush do të jetojë prej jush do të shohë punë të këqija; i mjafton ndonjërit prej jush kur nuk ka mundësi ti ndryshojë ato që Allahu ta dijë se zemra e tij i urren”.

6- Përdorimi i fjalëve me dy kuptime për tu larguar nga gënjeshtra e qartë është më parësore se gënjeshtra sepse ajo është cilësi e keqe edhe pse në të tilla raste mund të lejohet. Kjo është cilësi e njerëzve të cilët nuk janë mësuar të gënjejnë dhe kur detyrohen për diçka e thotë atë ama për qëllim kanë diçka të vërtetë.

7- E vërteta është një dhe e kota është e shumëllojshme dhe nuk shpëton veçse ai që kapet pas të vërtetës. Kjo është për qëllim te fjala e tij [më të mirët prej tyre janë pasuesit e burrit të bririt]sepse profeti -alejhi selam- në një hadith tjetër ka njoftuar se grupi i shpëtuar nuk është vetëm se një: “Janë përçarë çifutët në shtatëdhjetë e një grupe, një në xhenet dhe shtatëdhjetë në zjarr” e transmeton IbnMaxhe dhe e saktëson sheikh Albani.

 

Shkroi: Teuta XEKA.

Loading...