Kapitulli i moralit, mirësisë dhe lidhjet mes njerëzve (5)

December 11, 2013

91. Transmetohet nga Abdullah bin Ebu Bekr nga një burrë arab i cili i tha: U ngjesha pas profetit (alejhi selam) ditën e Hunejnit dhe në këmbë kisha një palë nallane të trasha dhe i shkela këmbën profetit (alejhi selam). Profeti (alejhi selam) më gjuajti me shkopin që e mbante në dorë dhe më tha: “Bismilah se më vrave!” Ai thotë: E kalova natën duke qortuar veten time, si i vrava këmbën profetit! Allahu e di si e kalova atë natë dhe kur erdhi sabahu dëgjova një burrë duke thënë: Ku është filani? Thashë me vete, kjo për shkak të asaj që më ndodhi dje dhe u nisa me të për te profeti (alejhi selam) i frikësuar. Profeti (alejhi selam) më tha: “Ti më shkele me nallanet tuaja dje dhe më vrave këmbën ndërsa unë të gjuajta ty me shkop. Ja, ku i ke tetëdhjetë kokë dele dhe merri ato për gjuajtjen time.”

92. Transmetohet nga Abdullahi (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Ju do të shihni pas meje egoizëm (prej udhëheqësve) dhe punë që s’i pëlqeni.” Sahabët thanë: Për ç’farë na këshillon, o i dërguari i Allahut? Ai tha: “Përmbajuni të drejtave të tyre dhe kërkojani Allahut të drejtat tuaja.”

93. Transmetohet nga Ebu Hurejra i cili ia referon profetit (alejhi selam) se tha: “Jam dërguar për ti përmbushur moralet e larta (dhe në një transmetim tjetër: moralet e mira).”

94. Transmetohet nga Ebu Musa (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Shembulli i shokut të mirë dhe i shokut të keq është si shembulli i atij që mban misk (lloj parfumi) dhe atij që i fryn shakullit. Mbajtësi i miskut, ose të jep prej tij ose ta shet atë, ose nuhat prej tij erë të këndshme. Ndërsa ai që i fryn shakullit ose do të djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij erë të keqe.”

95. Transmetohet nga Tausi se profeti (alejhi selam) i hipur në minber tha: “Ai që drejton për në morale të mira është Allahu dhe ai që largon nga moralet e këqia është po ai (Allahu).”

96. Transmetohet nga Hani (radiallahu anhu) se ai kur e ka takuar profetin (alejhi selam) e ka pyetur duke i thënë: O i dërguar i Allahut! Ç’farë gjëje të fut në xhenet? Ai i tha: “Të flasësh fjalë të mira dhe të ushqesh të tjerët.”

97. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: Profeti (alejhi selam) hyri te Fatimja (radiallahu anha) së bashku me një rob që ia kishte dhuruar asaj. Thotë Enesi (radiallahu anhu): Fatimja kishte një rrobe që kur mbulonte kokën nuk i mbërrinte deri te këmbët dhe kur mbulonte këmbët, i zbulohej koka. Profeti (alejhi selam) kur e pa gjendjen e saj i tha: S’ka gjë, se unë jam babai dhe ky është shërbëtori yt.”

98. Transmetohet nga Aishja (radiallahu anha) se profeti (alejhi selam) i tha asaj: “Atij që i është dhënë butësia (natyra e butë), i është dhënë pjesa e tij prej mirësive të dynjasë dhe ahiretit Ruajtja e lidhjeve farefisnore, morali i lartë dhe sjellja  mirë me komshitë i gjallërojnë shtëpitë dhe i zgjasin jetën (njerëzve).”

99. Transmetohet nga Umr bin El-khatab (radiallahu anhu) se tha: Njëherë profeti u ndau diçka (njerëzve) dhe unë i thashë: Vallahi, o i dërguari i Allahut, ca të tjerë e meritojnë më shumë se këta. Ai më tha: “Ata më lanë të zgjedh, ose të më kërkojnë shumë, ose të më akuzojnë për koprrac dhe unë nuk jam koprrac.”

100. Transmetohet nga Amr bin Shuajb nga babai i tij nga gjyshi i tij nga Muadh bin Xhebel se tha: U përmend tek profeti (alejhi selam) një burrë dhe thanë se ai nuk han deri sa ti japësh për të ngrënë dhe nuk largohet derisa ta largosh. Profeti (alejhi selam) tha: Keni bërë gibet (përgojim). Ata thanë: O i dërguari i Allahut ne thamë diçka që e ka. Profeti (alejhi selam) tha: Mjafton t’ia përmendësh ato që i ka (për të qenë përgojim).”

101. Transmetohet nga Aishja (radiallahu anha) se profeti (alejhi selam) i tha: “Unë e dalloj zemërimin dhe kënaqësinë tënde. Ajo i tha: Si e dallon atë, o i dërguar i Allahut? Profeti (alejhi selam) i tha: Ti, kur je kënaqur thua: Patjetër, pasha zotin e Muhamedit ndërsa kur je e zemëruar thua: Jo, pasha zotin e Ibrahimit.” Ajo i tha: Po, i largohem vetëm emrin tënd.”

102. Transmetohet nga Ibn Abasi se profeti (alejhi selam) tha: “Banorët e xhenetit janë ata që Allahu ua mbush veshët me lavdërimet e njerëzve dhe ata i dëgjojnë ato dhe banorët e zjarrit janë ata që Allahu ua mbush veshët me sharjet e njerëzve dhe ata i dëgjojnë ato.”

103. Transmetohet nga Said bin Zejd El-ensari se një burrë i tha profetit (alejhi selam): O i dërguar i Allahut më jep një këshillë? Profeti (alejhi selam) i tha: Të këshilloj, të kesh turp prej Allahut siç ke turp prej një njeriu të mirë prej të afërmve të tu.”

104. Transmetohet nga Umri (radiallahu anhu)  se profeti (alejhi selam) tha: “Mos u ulni rrugëve (aty ku ka lëvizje njerëzish) dhe nëse e keni të domosdoshme atëherë jepjani hakun asaj. Profeti (alejhi selam) u pyet: Kush është haku i saj? Ai u përgjigj: Ulja e shikimit (prej gjërave të ndaluara), kthimi i selamit (përshëndetjes) dhe tregimi i rrugës atij që ka humbur rrugën.”

105. Transmetohet nga Abde bin Hazn se tha: U krenuan para njëri-tjetrit mbajtësit e deveve dhe mbajtësve të deleve dhe profeti (alejhi selam) u tha: “I është dhënë profetësia Musait dhe ai ka qenë bari delesh, i është dhënë profetësia Daudit dhe ai ka qenë bari delesh dhe më është dhënë profetësia mua dhe unë kam ruajtur delet në Exhjad (emër vendi).”

106. Transmetohet nga Suejd bin Amir El-ensarij që ia referon profetit (alejhi selam) se tha: “Mbajini lidhjet me farefisin qoftë edhe me selam.”

107. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se tha: U pyet profeti (alejhi selam) se kush i fut njerëzit më shumë në xhenet dhe ai tha: Të pasurit frikë Allahun dhe morali i lartë. Dhe ajo që i fut njerëzit me shumë në xhehenem është goja dhe aureti (pjesët e turpshme).”

108. Transmetohet nga Fudale bin Ubeid që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Tre lloje njerëzish mos pyesni për ta: Ai njeri që ka lënë xhematin (bashkësinë e myslimanëve), kundërshton prijësin e tij dhe vdes i tillë, ai robi apo robëresha që arratiset dhe vdes si e tillë dhe ajo grua e cila burri i saj nuk është i pranishëm, ia ka plotësuar nevojat e saj dhe ajo zbukurohet për të tjerët, pra mos pyesni për ta. Gjithashtu dhe tre lloje njerëzish mos pyesni për ta: Ai që mundohet ta shoqëroj Allahun në petkun e tij -dhe petku i tij i sipërm është madhështia dhe petku i tij i poshtëm është krenaria-, ai që dyshon për Allahun dhe ai që e humb shpresën prej mëshirës së tij.”

109. Transmetohet nga Abdullah bin Umr (radiallahu anhu)  se profeti (alejhi selam) tha: “Tre lloje njerëzish Allahu nuk i shikon ata ditën e kiametit: Ai që i keqtrajton prindërit, ai që vazhdimisht pi alkool dhe ai që ia përmend tjetrit atë që ia ka dhënë. Gjithashtu  tre lloje njerëzish nuk futen në xhenet: Ai që i keqtrajton prindërit, ai që nuk ka xhelozi për familjen e tij dhe ajo grua që do ti ngjaj burrave.”

110. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Turpi është pjesë e imanit (besimit) dhe imani të fut në xhenet ndërsa fjalët e këqija vijnë prej vrazhdësisë dhe vrazhdësia të fut në zjarr.”

111. Transmetohet nga Amr bin Habib se ai i tha Said bin Halid bin Amr bin Uthman: A nuk e di se profeti (alejhi selam) tha: “Është varfëruar dhe ka humbur ai njeri që Allahu nuk i ka hedhur në zemër  mëshirë për njerëzit.”

112. Transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti (alejhi selam) tha: “Dy cilësi nuk bashkohen në zemrën e mynafikut (hipokritit) gjakftohtësia (përmbajtja e vetes për të mos u nxehur menjëherë a për të mos u rrëmbyer) dhe dija e fesë.”

113. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se profeti (alejhi selam) tha: “Më të mirët prej jush janë ata që kanë moralin më të lartë.”

114. Transmetohet nga Ebu Hurejra se tha: Kam dëgjuar profetin (alejhi selam) duke thënë: “Më të mirët prej jush në islam janë ata me moral më të lartë nëse  kuptojnë”

115. Transmetohet nga Hamza bin Suheib nga babai i tij se Umri (radiallahu anhu) i kishte thënë Suhajbit: Do të ishe burrë i mirë nëse nuk do ti kishe tre cilësi! Ai i tha (Umrit): Cila janë ato? Umri i tha: Ke përdorur llagapin si baba (të emërtuarit babai i filanit p.sh Ebu Ahmed) pa pasur fëmijë, thua se je arab kurse në të vërtetë je romak dhe shpenzon shumë në ushqim. Ai i tha (Umrit): Përsa i përket të parës se kam përdorur llagapin si baba pa pasur fëmijë atëherë profeti (alejhi selam) është ai që më ka emërtuar Ebu Jahja, ndërsa përsa i përket të dytës se unë them se jam arab dhe në të vërtetë jam romak atëherë dije se unë jam nga fisi i El-nemir bin Kasit (fis arab) porse romakët me morën për rob nga El-meusil (vend në Irak) dhe pasi që u rrita e njoha prejardhjen time dhe përsa i përket të tretës se unë shpenzoj shumë në ushqim, kjo ngaqë kam dëgjuar profetin (alejhi selam) duke thënë: “Më i miri prej jush është ai që ushqen të tjerët.”

116. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) që ia referon profetit (alejhi selam) se tha: “E mëshiroftë Allahu atë njeri i cili pasi i ka bërë të padrejtë vëllait të tij i kthehet dhe i kërkon hallallin (falje) para se ti vijë llogaria në atë ditë që s’ka dinar as dërhem (lloj monedhe) dhe nëse ka punë të mira i merren atij si shlyerje e padrejtësisë dhe nëse nuk ka punë të mira i jepet prej të këqijave të tjetrit.”

117. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se profeti (alejhi selam) tha: “Kënaqësia e Allahut është te kënaqësia e prindit dhe zemërimi i Allahut është te zemërimi i prindit.”

118. Transmetohet nga Abdullah bin Amr që i referohet profetit (alejhi selam) se tha: “Mëshiruesit( ata që i mëshirojnë të tjerët),i mëshiron Mëshiruesi-tebaraka ve teala- pra mëshironi ata që janë në tokë tju mëshirojë ai që është në qiell. Kurse  farefisnia është pjesë e Allahut kush i mban lidhjet me të e afron Allahu dhe kush i ndërpret ato e largon Allahu.”

119. Transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti (alejhi selam) tha: “E pyeti Musa Zotin e tij   për gjashtë cilësi të cilat mendonte se nuk i ka njeri veç tij, ndërsa të shtatën nuk e pëlqente dhe i tha: “O Zoti im! Cili nga robtë e tu është më i devotshmi? Allahu tha: Ai që më përmend mua dhe nuk më harron. Musa i tha: Cili nga robtë e tu është më i udhëzuari? Allahu i tha: Ai që ndjek rrugën e drejtë. Musa i tha: Cili nga robtë e tu është më i drejtë(në gjykim)? Allahu i tha: ai që gjykon për të tjerët siç gjykon për vete. Musa i tha: Cili nga robtë e tu është më i dituri? Allahu i tha: Ai i cili nuk lodhet nga nxënia e dijes, mbledh dijen e njerëzve tek dija e tij. Musa i tha: Cili nga robtë e tu është më krenar? Allahu i tha: Ai i cili kur ka mundësi ta marrë hakun e tij e fal tjetrin. Musa tha cili nga robërit e tu është më i  pasur? Allahu i tha: Ai i cili kënaqet me atë që ka. Musa i tha: Cili nga robtë e tu është më i varfëri? Allahu i tha: Ai i cili nuk kënaqet me atë që ka. Thotë profeti (alejhi selam): Nuk është pasuri të kesh shumë, pasuri është të kesh shpirtin e ngopur. Allahu kur ia do të mirën dikujt ia bën shpirtin e ngopur dhe i fut në zemër devotshmëri dhe nëse ia do dikujt të keqen, e bën atë të ketë frikë varfërinë.”

120. Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi se profeti (alejhi selam) tha: “Të sharit e myslimanit vëllain e tij është shthurje (prishje e moralit), vrasja e tij është mosbesim dhe pasuria e tij është e  paprekshme ashtu si dhe jeta e tij.”

121. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: Kaloi pranë nesh profeti (alejhi selam)  kur ishim të vegjël dhe na tha: Es-selamu alejkum, o fëmijë!”

122. Transmetohet nga Aliu (radiallahu anhu) se tha: Kur e kapa shpatën e profetit (alejhi selam) pashë të shkruar: “Lidhu me atë që ndahet prej teje(nga farefisi), bëj mirë atij që të ka bërë keq dhe thuaj të vërtetën edhe nëse është kundër teje.”

123. Transmetohet nga Xhabiri (radiallahu anhu) se tha: kam dëgjuar profetin (alejhi selam) duke thënë: “Libri i punëve do të jetë në qafën e ç’do njeriu, siç thotë Allahu: Dhe ne ç’do njeriu ia lidhim librin e tij pas qafës﴿

124. Transmetohet nga Enes bin Malik se tha: Shkuan disa jehudë (çifutë) te profeti (alejhi selam) dhe ai pyeti për ta dhe ne i thamë: Janë jehudë, o i dërguari i Allahut dhe ata nuk i lyejnë flokët. Profeti (alejhi selam) tha: “Largojuni cilësive të çifutëve (lyeni flokët) por jo  me ngjyrë  të zezë.”

125. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: “Ishte profeti (alejhi selam) njëherë me një burrë.I vjen këtij  djali dhe ai e puth dhe e ul atë në prehër pastaj i vjen vajza dhe ai e merr dhe e ul atë anash tij. Profeti (alejhi selam) tha: “Pse nuk barazove mes tyre?!”

126. Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah që ia referon profetit (alejhi selam)  se tha: “Tek munafiku (hipokriti) gjenden tre cilësi: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban dhe kur i besohet diçka nuk e ruan.”

127.Transmetohet nga Ebu seleme se tha: U sëmur njëherë Ebu El-radad El-lejthi dhe Abdurrahman bin Auf i shkon për vizitë. Ebu el-radad i thotë: Më i miri dhe më i afërti, ashtu siç të kam njohur, o Ebu Muhamed. Abdurrahman bin Aufi i tha: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë se Allahu ka thënë: Unë jam Allahu, unë jam Mëshiruesi. Kam krijuar farefisninë dhe i kam vënë një emër të nxjerrë nga emri im. Kush i ruan lidhjet me farefisin, i ruaj edhe unë lidhjet me të dhe kush i pret ato i pres edhe unë lidhjet me të.”

128. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Flini në mesditë sepse shejtanët nuk flenë në mesditë.”

129. Transmetohet nga Ebu Hurejra që ia referon profetit (alejhi selam) se tha: Unë dhe kujdestari i jetimit – i tij ose i dikujt tjetër- jemi si këta dy gishta në xhenet nëse i frikësohet Allahut. Maliku bëri me shenjë me gishtin tregues dhe me gishtin e mesit.”

130. Transmetohet nga Neufel bin Ebu Akrab se tha: U pyet Aishja: A dëgjohej poezi te profeti (alejhi selam)? Aishja (radiallahu anha) tha: “Ka qenë gjëja më e urryer për të.”

131. Transmetohet nga Abdullah bin busr shoku i profetit (alejhi selam) se tha: “Profeti (alejhi selam) kur vinte tek dera, kërkonte leje për të hyrë dhe nuk qëndronte përballë saj por rrinte pas murit derisa ti jepej leje ose kthehej mbrapsht.”

132.  Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se tha: “Kur profeti (alejhi selam) ecte, shokët e tij ecnin përpara tij në mënyrë që të linin melaiket  pas shpinës së  tij”.

 

Dosje:

Loading...