Kitabu Teuhid (1)

March 26, 2008

 

 

    Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër përveçse të më adhurojnë” (Dharijat 56) dhe ka thënë: “Vërtetë Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar(tu thonë): Adhurojeni vetëm Allahun dhe largojuni tagutëve” (Nahl 36) dhe ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni dikë tjetër veç Tij dhe me prindërit të silleni mirë” (Isra 23) dhe ka thënë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok asgjë” (Nisa 36) dhe ka thënë: “Thuaj: Ejani tu lexoj çfarë u ka ndaluar Zoti juaj. U ka porositur që të mos i bëni shok Atij asgjë” (Enam 151).

     Ibn Mesudi ka thënë: Kush dëshiron të dijë se cila është porosia e vulosur (e fundit) e Muhamedit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-  atëherë le të lexojë fjalën e të Lartësuarit: “Thuaj: Ejani tu lexoj çfarë u ka ndaluar Zoti juaj.U ka porositur që të mos i bëni shok Atij asgjë  deri tek : “Kjo është rruga ime drejtë ndaj pasojeni atë[1].

    Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli i cili tha: Isha hypur së bashku me Profetin -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-  mbi gomar dhe ai më tha: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij dhe e drejta e robërve ndaj Tij? Thashë: Allahu dhe i Dërguari Tij e dinë më së miri. Ai tha: “E drejta e Allahut ndaj robërve është ta adhurojnë dhe të mos i bëjnë shok Atij asgjë, ndërsa e drejta e robërve ndaj Allahut është që të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë shok Atij asgjë”. Thashë: A t’i përgëzoj njerëzit? Tha: “Jo mos i përgëzo se pastaj do i mbështeten kësaj” transmetohet në dy Sahihet[2].

 

Nga kjo përfitohen dobitë e mëposhtme:

1)      Urtësia në krijimin e xhinëve dhe njerëzve.

2)      Adhurimi është vetë teuhidi sepse armiqësia rreth tij ka ndodhur (mes profetëve dhe popujve të tyre).

3)      Kush nuk ka teuhid nuk e ka adhuruar Allahun. Kësaj i përputhet kuptimi i ajetit Kuranor: “As ju nuk adhuroni atë që unë adhuroj”.

4)      Urtësia në dërgimin e profetëve.

5)      Dërgesa(shpallja) ka përfshirë çdo popull.

6)      Feja e profetëve ka qenë e njëjtë.

7)      çështja madhore është se adhurimi i Allahut nuk mund të arrihet veçse duke mohuar tagutët (çdo gjë adhurohet përveç Allahut). Ky është kuptimi i ajetit Kuranor: “Kush i mohon tagutët dhe i beson Allahut,ai është kapur për lidhjen më të fortë”.

8)      Termi tagut është i përgjithshëm që përfshin çdo gjë që adhurohet përveç Allahut.

9)      Rëndësia e madhe që kishin te selefët tre ajetet e qarta dhe të përsosura të sures Enam, ajete të cilat përmbajnë në vetvete 10 çështje, ku e para e tyre është: ndalimi nga shirku.

10)  Ajetet e qarta në suren Isra përmbajnë në vetvete 18 çështje, të cilat Allahu i filloi me fjalën: “Mos bëj me Allahun një të adhuruar tjetër sepse do të jesh (ngelesh) i nënçmuar dhe i poshtëruar” dhe i mbylli me fjalën e Tij: “Mos bëj me Allahun një të adhuruar tjetër se do hidhesh në Xhehenem i qortuar dhe i përzënë”. Allahu na e tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e çështjeve të përmendura duke thënë: “Kjo është nga urtësia që Zoti yt ka shpallur tek ti”.

11)  Ajetin e sures Nisa që njihet dhe si ajeti 10 të drejtave, Allahu e filloi me fjalën e Tij: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok Atij asgjë”.

12)  Vërejtja rreth porosisë së Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-  në prag të vdekjes.

13)  Njohja e detyrës që kemi ndaj Allahut.

14)  Njohja e të drejtës së robërve ndaj Allahut nëse ata e kryejnë obligimin e tyre.

15)  Këtë çështje nuk e dinin shumica e sahabëve.

16)  Lejimi i fshehjes së diturisë kur ka dobi.

17)  Pëlqyeshmëria e përgëzimit të muslimanit me çfarë e gëzon atë.

18)  Frika se mos mashtrohet robi duke iu mbështetur mëshirës së Allahut.

19)  Thënia: Allahu dhe i Dërguari e dinë më së miri, kur ai që pyetet nuk e di atë gjë

20)  Lejimi i dhënies së diturisë vetëm disa njerëzve veçmas të tjerëve.

21)  Modestia e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, gjë e cila duket në hipjen e gomarit dhe në shoqërimin e dikujt me të në kafshë.

22)  Lejimi i shoqërimit mbi kafshë.

23)  Vlera e Muadh bin Xhebelit.

24)  Vlera dhe rëndësia e madhe e kësaj çështje.

 

Vazhdon . . .

 

Autor Muhamed Abduluehab

Përktheu Ebu Duxhanah, Shuajb Rexha 



[1] Transmeton  këtë ether Tirmidhiu nr 3072 dhe Bejhakiu në Shuabul iman sic thuhet kjo në Durrul Menthur 3/381

[2] Transmeton Buhariu 128,2856,5967  dhe Muslimi 30

Loading...