A lejohet të kalohet para atij që falet në dy vendet e shenjta?

August 14, 2017

Shkëputur nga libri: “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut” vëll. 4.
Autor: Sheih Husein El-Auaishe (një prej nxënësve të njohur të sheih Albanit -Allahu e mëshiroftë-).

Sheihu i nderuar në librin e tij thotë:

Ndalimi i kalimit përpara njeriut që falet në dy vendet e shenjta.

Sheih Albani në librin “Haxhi i Profetit -alejhi selam-” thotë: Ki kujdes o vëlla të mos kalosh përpara ndonjërit që falet në xhaminë e Qabes apo në xhami të tjera. Kjo për shkak të fjalës së Profetit -alejhi selam- : “Sikur ta dijë ai që kalon përpara atij që falet se çfarë mëkati ka, që të qëndrojë dyzet është më mirë për të se sa të kalojë përpara tij”.
Ka thënë transmetuesi: Nuk e di nëse ka thënë dyzet ditë, apo muaj, apo vite? E kanë transmetuar dy shejhat në Sahihat e tyre.
Siç nuk të lejohet kjo nuk të lejohet gjithashtu të falesh pa sutra (pengesë), por duhet të falesh me çdo gjë që i pengon njerëzit të kalojnë përpara teje. Nëse ndonjëri do të kalojë mes teje dhe sutres tënde ti duhet ta pengosh atë, dhe për këtë ka hadithe dhe ngjarje. Përmendim prej tyre:
1- “Nëse ndonjëri prej jush vendos përpara vetes si fundi i shalës, le të falet dhe të mos e vrasë mendjen se kush kalon pas tij.”
2- “Nëse falet ndonjëri prej jush tek një gjë që e pengon nga njerëzit dhe do ndonjëri të kalojë para tij, le ta shtyjë në kraharor lehtë dhe ta largojë sa të mundet. Nëse kundërshton le ta shtyjë më shumë sepse ai është shejtan.”
3- Ka thënë Jahja bin Kethiri: “Kam parë Enes bin Malikun që hyri në xhami pastaj nguli diçka apo përgatiti diçka që të falej tek ajo”. E transmeton Ibën Seadi me zinxhir të saktë.
4- Transmetohet nga Salih bin Kisani se ka thënë: “Kam parë Ibën Umerin duke u falur në Qabe dhe nuk lejonte njeri t’i kalonte përpara.” E transmeton Ebu Zur’ah Dimeshkiu në librin (Tarih Dimeshk), po ashtu Ibën Asakir në librin (Tarih Dimeshk) me zinxhir të saktë.
Në hadithin e parë kuptohet obligimi i vënies së sutres, dhe nëse njeriu e bën këtë nuk i prish punë kush kalon pas saj.
Në hadithin e dytë kuptohet obligimi i largimit të kalimtarit përpara atij që falet nëse falet me sutra, ndalimi i kalimit qëllimisht dhe se ai që e bën këtë është shejtan.
Ah sikur ta dija se me çfarë fitimi kthehet haxhiu kur kthehet ndërkohë që ka merituar këtë emër “shejtan”?!
Dy hadithet kanë kuptim të përgjithshëm dhe nuk janë të posaçëm për ndonjë xhami, as për ndonjë vend. Ato përfshijnë xhaminë e Qabes dhe xhaminë e Profetit në mënyrë më parësore, sepse këto hadithe i ka thënë Profeti -alejhi selam- në xhaminë e tij. Pra në origjinë ajo është për qëllim me to, ndërsa xhamitë e tjera e ndjekin atë.
Dy hadithet e përmendura janë argumente të qarta se xhamia e Qabes futet tek këto hadithe. Kjo thuhet nga disa mutauifinë e të tjerë se xhamia e Qabes dhe xhamia e Profetit janë të përjashtuara nga ndalimi. Kjo nuk ka bazë në synet e as nga ndonjë nga sahabët, përveç një hadithi që është transmetuar për xhaminë e Qabes. Por zinxhiri i tij nuk është i saktë dhe nuk ka argument për atë që pretendohet.”
Ndërsa ajo që transmetohet nga Kethir bin Kethir bin Mutalib bin Ebi Dia’ah nga disa prej familjes së tij, nga gjyshi i tij, se; ai e ka parë Profetin -alejhi selam- duke u falur pas derës së Beni Sehm, dhe njerëzit kalonin para tij ndërkohë që mes tyre nuk kishte sutra.

Ka thënë Sufjani: Nuk kishte sutra mes tij dhe Qabes. Ky është hadith i dobët.
Gjithsesi, në këtë çështje ka shumë fjalë. Në mënyrë përmbledhëse mund të themi:
Për të ardhur keq është që të mos respektohen shenjtëritë e dy haremeve prej shumë e shumë njerëzve, që në shumë raste kanë mundësi t’i shmangen kalimit përpara njeriut që falet. Madje edhe në raste kur e bëjnë këtë në xhami të tjera nuk shmangen në dy xhamitë e shenjta, duke pretenduar se lejohet të kalohet! E kanë kuptuar sikur origjina është lejimi! Ah sikur ta kishin kuptuar se kjo është në raste domosdoshmërie kur nuk ka rrugëdalje tjetër! Allahul mustean (Allahut i kërkojmë ndihmë)!

 

Përktheu dhe përgatiti: Teuta Xeka

Loading...