SURJA EL-KUREJSH
Mekase – 4 vargje
Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm
- (Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh,[1]
- për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.[2]
- Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes),
- i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.
Kuptimet e Ajeteve
Zuxhaxhi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Fillimi i këtij ajeti është i lidhur me suren para-ardhëse (suren Fijl ‘Elefanti’) që do të thotë: Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh. Ai shkatërroi njerëzit e elefantit, që të mbeteshin Kurejshët të mbrojtur në udhëtimin që bëjnë dimrit dhe verës.
Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë) për fjalën e Allahut që thotë: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh.” ka thënë: D.m.th: Mirësinë time ndaj Kurjeshve
“Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.” Mbrojtje pas të cilës nuk do kenë kurrëfarë vështirësie.
Ndërsa Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) për këtë ajet: “Për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.” Ka thënë: Nevojën që ata kishin për të udhëtuar.
Ebu Salih (Allahu e mëshiroftë) rreth këtij ajeti: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh, për t’i mbrojtur ata.” ka thënë: Ata ishin tregtarë, Allahu e dinte dashurinë që kishin për të vajtur në Sham.
Ndërsa Katade (Allahu e mëshiroftë) për këtë ajet: “Për të mbrojtur fisin Kurejsh.” D.m.th traditën e Kurjeshëve, traditën e udhëtimit të tyre dimrit dhe verës.
Ibn Zejdi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ata (Kurejshët) kishin dy dalje, udhëtime, gjatë verës shkonin në sham dhe në dimër shkonin në Jemen.
“Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.”
Katade (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ata (Kurejshët) thonin: Ne jemi prej asaj që Zoti ka shenjtëruar dhe askush nuk mund të na cënojë.
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë), pasi përmend fjalën e Allahut: “Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes).” Ka thënë: D.m.th, le ta veçojnë Allahun në adhurim, si të vetëm dhe pa shok, të mos adhurojnë në vend të Tij idhuj, apo statuja. Për këtë arsye, ai që i përgjigjet këtij urdhëri, Allahu do ti japë siguri në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Ndërsa atij që e kundrshton, ia merr të dy siguritë. Siç ka thënë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” [Suretu Nahl 112].[3]
Çfarë përfitojmë nga këto ajete?
1-Vlerësimin e Kurejshëve dhe mirësitë që Allahu u ka dhuruar, gjë e cila kërkon falenderim, në të kundërtën ai që i përbuz këto mirësi, Allahu e bën të shijojnë urinë dhe frikën, për shkak të braktisjes së këtij falenderimi.
2- Obligueshmërinë e adhurimit të Allahut dhe braktisjen e çdo gjëje që adhurohet në vend të Tij.
3-Obligueshmërinë e falenderimit të mirësive, i cili realizohet duke falenderuar çdo mirësi, duke e lavdëruar Allahun dhe duke i shfrytëzuar (këto mirësi) në gjërat që Ai i do dhe është i kënaqur.
4-Ushqyerja në rast varfërie dhe siguria nga rreziqet, rreth këtyre të dyjave sillet i gjithë sistemi i një shteti. Një shtet i më i mirë, është ai që arrin tu sigurojë njerëzve këto dy mirësi të mëdha: mirësinë e të jetuarit në mirëqenie dhe mirësinë e sigurisë së plotë.
Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”
Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).
Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).
Përktheu Fatjon Isufi
[1] Sipas disa komentuesve, përmbajtja e kësaj sureje është e lidhur ngushtë me suren e mëparshme, duke lënë të nënkuptohet se shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri për të mbrojtur kurejshët.
[2] Struktura ekonomike mbi të cilën ishte ngritur mirëqenia e kurejshëve të Mekës, bazohej në dy situata tregtare: njëra ishte pelegrinazhi i përvitshëm, që sillte në Mekë të gjithë arabët e Gadishullit Arabik, kurse tjetra ishte udhëtimi i dy karvaneve vjetore, njëri drejt Jemenit gjatë dimrit dhe tjetri drejt Shamit (sot Siria, Palestina, Libani dhe Jordania) gjatë verës. Pozicioni qendror i Mekës ndërmjet Mesdheut dhe Oqeanit Indian dhe aftësitë e jashtëzakonshme të tregtarëve kurejshë, bënë që këto dy karvane të ktheheshin në pikëmbështetjen e të gjithë aktivitetit ekonomik të qytetit.
[3] Tefsiri i Ibn Kethirit 4/553.