Mëso rreth sures En Nasr (Ndihma e Allahut)

August 2, 2016

SURJA EN-NASR[1]

Medinase – 3 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)
  2. dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,
  3. atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.

Mesazhi kryesor që përcjell kjo SURE?

Buhariu dhe të tjerë përcjellin nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ka thënë:

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) më mirrte me vete në shoqrinë e atyre që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit. Mbase disa prej tyre mbanin diçka dhe thonin: Përse e merr këtë (djalosh) në prezencën tonë, ndërkohë edhe ne kemi fëmijë si ai? Omeri tha: Ju e dini tashmë kush është ai.

Një ditë, Omeri më thirri dhe më futi në mesin e tyre, unë e kuptova se ai më ftoi që tu tregonte diçka. Ai (Omeri) u tha: Çfarë mendoni për fjalën e  Allahut që thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)?

Disa prej tyre thanë: Allahu na urdhëron që ta falenderojmë dhe të kërkojmë falje në momentin kur vjen fitorja dhe çlirimi i Tij.

Disa të tjerë heshtën dhe nuk thanë asnjë fjalë. Omeri më tha: A këtë mendim ke edhe ti o ibn Abas? Jo, i thashë unë.

Atëherë çfarë thua për këtë? I thashë: Kjo është shenjë e afrimit të vdekjes së Profetit (alejhi selam) të cilën ia tregoi Zoti i Lartësuar duke i thënë: Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) kjo është shenjë e afrimit të vdekjes, “atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.”

Omeri tha: Nuk di të ketë sqarim tjetër veç asaj që ti përmende!

Imamët e hadithit përcjellin nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) dhe ky transmetim është i Buhariut ku thotë: Pasi zbriti surja: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).”  Sa herë që falej Profeti (alejhi selam) i shtonte këto fjalë: “Subhânek ell-llâhumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li” (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, më fal!).

Mesruku përcjell nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) gjatë rukusë dhe sexhdes i shtonte këto fjalë: “Subhânek ell-llâhumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li” (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, më fal!). Në këtë mënyrë ai interpretonte Kuranin (suren Nasër). [E përcjell Muslimi me nr 484].

Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i tha: O i Dërguari i Allahut, më mëso ndonjë lutje me të cilët të lutem gjatë namazit. Ai i tha: Thuaj “Subhânek ell-llâhumme ue bihamdike. Rabi inni dhalemtu nefsi dhulmen kethira, ue inni ealemu ennehu la jegfirudh dhunube ila ente, feg firli magfiraten min indike uer rahmni inneke entel gafuru rrahijm. (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, unë i kam bërë vetes time shumë padrejtësi dhe jam i vetdijshëm se mëkatet nuk i fal askush veç Teje. Prandaj më fal me një falje të gjerë nga ana Jote dhe më mëshiro, sepse vërtet Ti je Falës dhe Mëshirues.) [E përcjell Buahriu me nr 7387].

Komenti i përgjithshëm

  1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.”

Muxhahidi ka thënë: Është për qëllim çlirimi i Mekes.

Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.

Dije se pas kësaj shumë shpejt ke për të ndërruar jetë.

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Kjo sure ishte shenjë dhe cak të cilin Allahu ia tregoi Profetit (alejhi selam) dhe e ngushëlloi përmes saj duke i thënë: Ti nuk do të jetosh pas kësaj vetëm se një kohë të shkurtër.

Katade (Allahu e mëshiroftë) thotë: Vallahi, pas kësaj (sure) ai jetoi shumë pak, ndoshta dy vite, pastaj ndërroi jetë.

Ebul Alijeh thotë: Kur zbriti fjala e Allahut : Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.” dhe Profeti e kuptoi ndarjen e afërt nga kjo botë, sa herë që ngrihej prej ndonjë tubimi thoshte: Sbhaneke Allahume ue bihamdike, eshhedu en la ilahe ila Ente, estagfrikuke ue etubu ilejke. (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. Dëshmoj se nuk ka të adhuruara të vërtetë përveç Teje, tek Ti kërkoj falje dhe vetëm tek Ti pendohem. [E përcjell Ibn Xheriri në tefsirin e tij 30/330].

Taberaniu dhe të tjerë përcjellin nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënqaur prej tij) se kur zbriti fjala e Allahut: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.” e deri në fund të sures, ibn Abasi tha:

Kjo sure, ishte shenjë për Profetin (alejhi selam), pas kësaj ai filloi të përpiqej më shumë se çdo herë tjetër në çështjet e ahiretit (botës tjetër).

Në një hadith, i Dërguari i Allahut ka thënë: Pas kësaj erdhi çlirimi dhe fitorja dhe erdhën banorët e Jemenit. Dikush i tha: O i Dërguari i Allahut, kush janë këta banorët e Jemenit? Ai tha: Ata janë njerëz me zemra të ndieshme  dhe me natyrë të butë, ndërkohë që imani (besimi) është Jemenas (vjen prej andej) dhe fikhu (dituria) është Jemenase. Në një version tjetër ka thënë: Urtësia është Jemenase. [E përcjell Nesaiu në el Kubra 6/525, Ibn Xherir 30/332, Taberaniu 11/328 dhe hadithi është i saktë].

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

Si dhe nga libri “Ahkam el Kuran”

Autor Ebu Bekr ibn el Arabi el Maliki

Përktheu Fatjon Isufi

[1] Kjo ishte surja e fundit që iu dha Profetit (a.s.), duke mbyllur kështu një cikël shpalljesh që zgjaste prej njëzetë e tre vjetësh. Ajo ishte shpallja e fitores së përgjithshme të Islamit mbi mosbesimin dhe e kthimit masiv në Islam të të gjithë Arabisë. Kur Muhamedi (a.s.) mori këtë shpallje, e kuptoi se Zoti i tij i Madhëruar po e paralajmëronte për ndarjen e afërt nga kjo botë dhe për këtë lajmëroi të afërmit e tij më të ngushtë. Gjatë gjithë kohës që parapriu vdekjen e tij tokësore, Profeti (a.s.) thoshte vazhdimisht në namazet e tij: “Subhânek ell-llâhumme rabbena ue bihamdik. All-llahumme gfir li” (I Lartësuar qofsh, o Zoti im, dhe i Falënderuar. O Zot, më fal!).

Loading...