Mëso vlerat e sures Ihlas

July 17, 2016

SURJA EL-IHLÂS

Mekase – 4 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
  2. Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.
  3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.
  4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Shkaku i zbritjes së këtyre vargjeve

Ubej bin Keabi, përcjell se idhujtarët arabë i thanë Profetit (alejhi selam): O Muhamed na e përshkruaj Zotin tënd? Atëherë Allahu zbriti: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” [E përcjell Ahmedi dhe të tjerë].

Ibn Xherir et Taberi shton duke thënë: Emri i Tij Es Samed është ai që as nuk lind, as nuk është i lindur, kjo sepse çdo gjë që lind vdes, e çdo gjë që vdes trashëgohet nga të tjerët, ndërsa Allahu as nuk vdes e as nuk trashëgohet nga dikush tjetër.

“Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Ai nuk ka të ngjashëm e as të barabartë dhe asgjë nuk shembëllen me Të.

[E përcjell Ahmedi 5/133,134, Buhariu në Tarih el Kebir 1/245, Ibn Xherir, ibn Ebi Asim, Hakimi etj].

Vlera e sures El Ihlas

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj), tregon se Profeti (alejhi selam) dërgoi një burrë në krye të një ekspedite. Ai u lexonte shokëve të tij në namaz dhe e mbyllte leximin duke kënduar suren: Kul Hua Allahu ehad. Kur u kthyen, ata ia permendën këtë Profetit (alejhi selam). Ai u tha: Pyeteni, pse ka vepruar në këtë mënyrë? Ata e pyetën dhe ai u tha: Sepse në këtë sure është cilësia e të Gjithmëshirshmit të Lartësuar dhe unë kam dëshirë ta lexoj atë. I Dërguari i Allahut u tha: Tregoini atij se edhe Allahu e do atë. [Buahriu dhe Muslimi].

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), përcjell se dikush dëgjoi një burrë duke lexuar suren: Kul Hua Allahu Ehad dhe duke e përsëritur atë. Kur u zgjua në mëngjes, shkoi tek Profeti (alejhi selam) dhe i tregoi për këtë -sikur po e quante pak -. I dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha: Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim, vërtet ajo është e barabartë me një të tretën e Kuranit. [E përcjell Buahriu dhe Muslimi].

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell duke thënë: Unë, erdha me Profetin (alejhi selam) dhe ai dëgjoi një person duke lexuar suren Kul Hua Allahu Ehad. I dërguari i Allahut tha: E meritoi! Unë i thash: Cfarë meritoi? Ai tha: Xhenetin! [E përcjell Maliku, Tirmidhiu dhe Nesaiu].

Abdullah bin Hubejb thotë: Një herë, na zuri etja dhe një errësirë e madhe, ne pritëm Profetin (alejhi selam) që të na printe në namaz. Ai doli, më kapi për dore dhe më tha: Thuaj! Unë heshta. Ai më tha: Thuaj! Unë përsëri heshta. Herën e tretë më tha: Thuaj! Unë i thash: Cfarë të them? Tha: Thuaj Ai Allahu është Një i Vetëm, si dhe dy suret mbrojtëse (El Felek dhe En Nas) sa herë që ngrysesh dhe zgjohesh nga tri herë dhe do të mjaftojnë për gjithë ditën. [E përcjell Abdullahu i biri i imam Ahmedit, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu].

Muadh bin Enes el Xhuheni përcjell nga Profeti (alejhi selam) se ka thënë: Kush lexon: Kul Hua Allahu Ehad nga fillimi deri në fund 10 herë, Allahu, këtij njeriu do ti ndërtojë një shtëpi në xhenet. Omeri tha: Atëherë po e shtojmë o i dërguari i Allahut! Profeti (alejhi selam) tha: Allahu jep më shumë dhe është më i mirë. [E përcjell Ahmedi me sened të dobët].

Abdullah bin Burejde përcjell nga babai i tij se ai kishte hyrë me Profetin (alejhi selam) në xhami dhe aty kishin hasur një burrë që falej dhe lutej duke thënë: O Zot, unë të kërkoj sepse dëshmoj se nuk ka të adhurar të vërtetë vec Teje, Ti je i Vetëm dhe Absolut, që nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë! Prfoeti (alejhi selam) tha: Betohem në Allahun, ai është lutur me emrin më të madh të Allahut, me të cilin kur i kërkohet Ai jep dhe kur lutet Ai përgjigjet. [E përcjellin autorët e Suneneve].

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) tregon se Profeti (alejhi selam) kur shkonte për të fjetur, në çdo natë ai mblidhte duart, pështynte pak dhe lexonte Kul Hua Allahu Ehad, Kul eudhu bi Rabil felek dhe Kul eudhu bi Rabin Nas pastaj fshinte sa të munte prej trupit të tij, e fillonte me kokën, fytyrën dhe sa të mundte prej trupit, kështu vepronte tri herë. [E përcjell Buhariu dhe të tjerë].

 

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu Fatjon Isufi

Loading...