Mirësitë dhe veçoritë e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes

August 23, 2017

Falënderojmë Allahun që ka bërë për besimtarin sezone adhurimi, mëshire dhe gëzimi, ç’ka i jep mundësi atij të përfitojë nga të mirat e më Bujarit.

Falënderimet i takojnë Atij që pas muajit të madhërishëm të Ramazanit dhe agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit ka bërë Dhul Hixhen muajin e haxhit, por jo vetëm.

Allahu Bujar ka mundësuar që jo vetëm ai që udhëton për të kryer adhurimin e madh, shtyllën e fesë – haxhin, por edhe ata që nuk e kanë këtë mundësi, t’ua kompensojë me adhurimin në këto dhjetë ditë.

Vlerën e këtyre ditëve duhet ta dijë çdo mysliman sepse Allahu ka plotësuar në to fenë e Tij. Allahu ka thënë: “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova mbi ju të mirat e Mia dhe kam bërë për ju islamin fe.”  (Maide: 3) Ky ajet ka zbritur në ditën e Arafatit.

Një hebre erdhi tek Umeri -radiallahu anhu- dhe i tha: Juve u ka zbritur një ajet në librin tuaj që sikur të na kishte zbritur neve hebrenjve do ta festonim atë. Umeri -radiallahu anhu- i tha: Cili ajet? Ai i tha: “Sot e përsosa për ju fenë tuaj …” Umeri -radiallahu anhu- tha: Unë e di se kur ka zbritur dhe ku ka zbritur. Ai ka zbritur mbrëmjen e ditës së Arafatit, ditën e xhuma tek profeti -alejhi salatu ues selam-.

Myslimani në këto ditë mund të bashkojë të gjitha shtyllat e fesë, mes haxhit, namazit, agjërimit dhe sadakasë.

Këto ditë janë plotësim i premtimit të Zotit ndaj Musait -alejhi selam-: “Ne i premtuam Musait tridhjetë ditë dhe i plotësuam ato me dhjetë (të tjera), duke u plotësuar kështu premtimi i Zotit të tij dyzetë ditë …” (Araf: 142) Këto janë ditët e shpalljes së Teuratit, dhe shumica e komentuesve të Kuranit janë të mendimit se tridhjetë ditët janë nga Dhul keade, ndërsa dhjetë ditët plotësuese janë dhjetë ditët e para të Dhul-hixhes. Në ditën e kurban bajramit Musa -alejhi selam- kërkoi prej Zotit të tij që ta shihte, dhe po në këtë ditë Allahu plotësoi fenë e këtij ymeti.

Allahu -aze ue xhele- u afrohet robërve të Tij në ditën e madhe të Arafatit. Ka thënë Profeti -alejhi salatu ues selam- : “Nuk ka ditë ku Allahu liron më shumë njerëz nga zjarri sesa ditën e Arafatit. Ai afrohet pastaj u krenohet melaikeve dhe u thotë: Çfarë duan këta? Në një transmetim tjetër thuhet: Unë dëshmoj para jush se i kam falur ata. Melaiket thonë: Filani është i rraskapitur d.m.th. i rënduar nga gjynahet. Ai thotë: Unë i kam falur ata.”

Hadithi është për haxhijtë që bëjnë lutje në Arafat ditët e Arafatit, por edhe për çdo besimtar jo haxhi që kërkon shpërblimin e saj me agjërim dhe vepra të mira, sepse në të thuhet ‘njerëz’ dhe jo haxhi.

Allahu i madhëruar është betuar në këto dhjetë netë duke thënë: “Pasha Agimin! Pasha dhjetë netët!” (Fexhr: 1-2). Komentuesit si Ibën Abasi, Muxhahidi e të tjerë nga selefët, thonë se këto janë dhjetë ditët e Dhul hixhes. Fakti që Allahu betohet në këto ditë tregon për vlerën e tyre tek Allahu.

Gjithashtu, në suren Haxh Allahu i madhëruar i drejtohet Ibrahimit (alejhi selam) duke thënë: “Dhe thirr njerëzit për në haxh që të vijnë në këmbë dhe hipur mbi deve nga çdo grykë e thellë. * Për të prezantuar në mirësi dhe për të përkujtuar Allahun në ditë të caktuara.” Suretu El-Haxh: 27-28.

Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes siç kanë thënë: Ibn Abasi, Ebu Musa EL-Esh’ari, Muxhahidi dhe shumë nga selefët.

Kanë rënë në kundërshtim dijetarët se cili dhjetë ditësh është më i mirë; ai i fundit të Ramazanit apo dhjetë ditëshi i parë i Dhul hixhes? Kanë thënë: “Netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, sepse në to është një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Ndërsa ditët më të mira janë ditët e Dhul hixhes, duke iu referuar hadithit: “Nuk ka ditë ku vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu sesa këto ditë.” Allahu e di më së miri!

Transmetohet se Seid bin Xhubejri kur hynte dhjetë ditëshi përpiqej shumë për vepra të mira gati të pamundura në këto ditë, me namaz nate etj.

Veprat e mira që pëlqehen në këto ditë.

Ka thënë Profeti –sala Allahu alejhi ue selam- : “Nuk ka ditë ku vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu sesa në këto ditë (d.m.th. dhjetë ditët e Dhul hixhes). I thanë: O i dërguar i Allahut: As xhihadi në rrugë të Allahut? Ai tha: As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç një njeriu që ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë.”

Vepra e mirë është më e dashur tek Allahu në këto ditë, dhe kjo do të thotë që edhe njeriu që i vepron ato është më i dashuri tek Allahu.

Ka thënë Profeti -alejhi salatu ues selam- : “Ditët më të mira të dynjasë janë këto dhjetë ditë.”

Nga veprat e mira që mund të bësh apo të shtosh në këto ditë janë:

  • Largimi nga mëkatet, duke zbatuar kështu hadithin e Profetit -alejhi salatu ues selam- kur thotë: “Ajo nga e cila ju ndaloj largohuni dhe ajo për të cilën ju urdhëroj bëjeni aq sa të mundeni.” E transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- .
  • Të jesh i rregullt ndaj namazeve farze, t’i falësh ato në fillim të kohës, të shtosh namazet nafile, të falësh namazet si vitrin, synetet rauatib, duhanë.
  • Agjërimi i nëntë ditëve duke filluar nga dita e parë e Dhul hixhes deri në ditën e nëntë që është dita e Arafatit. Disa prej grave të Profetit -alejhi selam- kanë thënë: “Profeti -alejhi salatu ues selam- agjëronte nëntë ditët e Dhul hixhes, ditën e Ashurasë, tre ditë në çdo muaj dhe të hënën e parë të çdo muaji dhe të enjten.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani. Ndërsa për ditën e Arafatit ka thënë Profeti -alejhi salatu ues selam- : “Me agjërimin e ditës së Arafatit pres prej Allahut që të më falë gjynahet e vitit para saj dhe atij që vjen pas.”
  • Madhërimi i Allahut, madje mund të themi se logoja e këtyre ditëve është madhërim me tekbir, tehlil etj. Ebu Hurejra dhe Ibën Umeri dilnin në treg për tekbir e bashkë me ta bënin tekbir edhe njerëzit. Një formë tekbiri ka ardhur nga Ibën Abasi dhe Ibrahim Nekhaij: “Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe ila Allah, Allahu ekber, Allahu ekber, ue lilahil hamd.” “Nuk meriton të adhurohet tjetër përveç Allahut, as varr, as njeri e as melek. Nga frytet e tekbirit është se ai ngulit në zemër besimin, shton frikën dhe respektin ndaj Zotit. Allahu thotë: “Që të madhëroni Allahun për udhëzimin.” Qëllimi është për në këto ditë.  Për fat të keq shumë njerëz e kanë lënë këtë synet. Tekbiret bëhen në xhami pas namazit të sabahut të ditës së Arafatit deri në akshamin e ditës së trembëdhjetë të Dhul hixhes. Ka ardhur nga Ibrahim Nekhaij se ata bënin tekbir pas namazeve, drejtoheshin nga kibla dhe thoshin; Allahu ekber, Allahu ekber.
  • Sadaka ose nxjerrja e zekatit. Ndihma e njerëzve futet tek ihsani dhe Allahu thotë: (A është shpërblimi i ihsanit (të mirës) përveçse ihsan (me të mirë) (Rrahman: 16). Ky është premtim prej Allahut subhanehu.
  • Dhikri dhe duaja, dy nga adhurimet më të lehta, që me pak mund dhe me shumë shpërblim.
  • Leximi i Kuranit. Thotë i madhëruari: (Ata që lexojnë librin e Allahun, falin namazin dhe japin nga ajo që ne i kemi furnizuar në fshehtësi dhe hapur, shpresojnë prej një tregtie që nuk humbet) (Fatir: 29)
  • Çdo vepër tjetër e mirë si sjellja e mirë me prindërit, me komshinjtë, të ndihmosh një nevojtar etj. Ka thënë profeti -alejhi salatu ues selam- : “Mos nënvlerëso asnjë punë të mirë, qoftë dhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të qeshur”. Kjo tregon se të mirat nuk kufizohen.

Veprat e mira janë shkak për udhëzim. Thotë Allahu në Kuranin kerim: (Ata që udhëzohen Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri) (Muhamed), që do të thotë se kush përpiqet në vepra të mira Allahu ia hap rrugët e udhëzimit dhe ia shton devotshmërinë.

Ndodh që ai i cili nuk shkon në haxh por i shfrytëzon këto dhjetë ditë, të arrijë të mira më shumë se ai që bën haxh, sepse është i përmalluar për të por nuk i është dhënë mundësia. Ka thënë Profeti -alejhi salatu ues selam- : “Veprat janë sipas nijetit.” Kur u kthyen sahabët në Medine pas luftës së Tebukut, Profeti -alejhi salatu ues selam- u tha atyre: Në Medine ka njerëz që nuk keni kaluar luginë dhe as nuk keni ecur ndonjë distancë vetëm se kanë qenë me ju. U çuditën sahabët dhe thanë: Si mundet kjo o i dërguar i Allahut? Ai tha: Po, sepse ata i ka penguar arsyeja. Ka thënë Allahu aze ue xhel: “As për ata që erdhën tek ti që t’i pajisësh, e ti u the unë nuk gjej se me çfarë t’ju pajis. Ata u kthyen dhe sytë e tyre lotonin nga mërzia se nuk kishin furnizim.” (Teube: 92). Ata fituan shpërblimin.

Kjo do të thotë se mehrum (i penguar nga shpërblimi) është ai zemra e të cilit është shkëputur nga Allahu.

Nga adhurimet dhe veçoritë e këtyre ditëve është edhe kurbani. Thotë Allahu -xhele ue ala- në Kuran: “Falu për Zotin tënd dhe bëj kurban.” (Keuther: 2) “Thuaj; namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak, me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i myslimanëve.” (En’am: 162- 163). Kjo është prej synetit të Profetit -alejhi salatu ues selam- dhe prej fesë së Ibrahimit. Kjo na kujton historinë e Ibrahimit me Ismailin kur i tha: “Kur u rrit ai i tha: O biri im, unë shoh në ëndërr sikur të ther ty. çfarë mendon ti? Ai tha: O babai im, bëj atë që urdhërohesh, do të më gjesh mua në dashtë Allahu prej durimtarëve . Dhe e kompesuam atë me një kurban të madh.” (Safat: 102-107). Allahu e ka bërë këtë synet deri në ditën e kijametit. Qëllimi prej kurbanit është bindja ndaj Allahut: “Nuk do t’i arrijë Allahut mishi i tij e as gjaku i tij, por do t’i arrijë devotshmëria juaj.”

Disa dijetarë thonë se kurbani është shkak për falje mëkatesh, dhe se një nga urtësitë e kurbanit është se për çdokënd që meriton ndëshkim nga nefsi mëkatar që urdhëron për keq të presë kurban si kompensim për njeriun që meriton të ndëshkohet. Thotë Allahu për Musën -alejhi selam- : “Kur i tha Musai popullit të tij: O populli im, ju i bëtë padrejtësi vetes tuaj duke marrë viçin (për Zot). Pendohuni tek Zoti juaj dhe vritni veten tuaj. Kjo është më mirë për ju tek Krijuesi juaj, – dhe kështu ai ua pranoi pendimin. Ai është Pranues i pendimit dhe i mëshirshëm.” (Bekare: 55)

Kurbani është për të gjithë njerëzit anembanë, në haxh apo jashtë tij. Është një nga synetet e forta, madje shumë dijetarë e konsiderojnë vaxhib për atë që ka mundësi.

*Në ditën e festës është e pëlqyer të veshësh rrobat më të mira duke ndjekur kështu synetin e Profetit -alejhi salatu ues selam- .

*Profeti -alejhi salatu ues selam- në ditën e kurban bajramit agjëronte derisa kthehej nga namazi dhe e çelte me mishin e kurbanit, në kundërshtim me ditën e fitër bajramit ku është e pëlqyer të çelet para se të shkosh në xhami.

*Ditët e teshrikut janë ditë ngrënie, pirje dhe dhikri (përmendje të Allahut). Myslimani në këto ditë ndien bujarinë e Zotit, ndien se është në mikpritjen e Rrahmanit. Është pyetur Xhafer es Sadiku se pse nuk agjërohet në këto ditë? Ai ka thënë: Sepse njerëzit janë në mikpritjen e Rrahmanit.

Përgatiti: Teuta Xeka

Loading...