Mirësitë e Zotit kërkojnë falenderim (Përkujtime dhe Predikime)

Tubimi i parë

Mirësitë e Zotit kërkojnë falenderim

Falenderimi i takon Allahut që na i lehtësoi mirësitë e Tij aq sa të meritojë falenderimet e të gjithë atyre që falenderojnë, ndërkohë që një pikë nga deti i mirësisë së Tij ka përfshirë mbarë botët.

Zemrat ngazëllehen prej dhuratave më të thjeshta, ndërsa mendja mbetet e shokuar përballë fakteve mahnitëse të universit që Ai krijoi.

Një mbret që sundoi tokën, u mbyt nga një mushkonjë që depërtoi përmes hundës së tij. Ndërsa ai që pati thënë: “Unë jam Zoti juaj më i madhi.” u mbyt me një gllënkë uji. Nga gjithë ai vërshim, Faraonin e mbyti një pikë uji që nuk e la të merrte frymë një herë e mirë.

Një mbret u thye nga uria për disa momente dhe kur gjen një kothere buke, kjo ia mbush zemrën plot gëzim.

Luani i tmerrshëm mund të sprovohet me një insket që bie në syrin e tij dhe mbetet i robëruar, ndërsa gjarpëri mund të lëshohet mbi elefantin e madh dhe pickimi i tij e thyen dhe e plasë përdhe!

Allahu i Lartësuar thotë:Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as në qiej, as në Tokë. Ai është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.[1]

Nëse hallet e mëdha të kanë rrethuar

Nuk gjen përkrahje dhe kush të të ndihmojë

Nëse brenga të shtyn të mbetesh i robëruar

Drejtohu tek Bujari që brengat ti largojë

Çdo rast të vështirë, të lehtë Ai e kthen

Sepse është i Lartë, i Ditur Madhështor,

Është i Butë, i Gjithëditur, dëgjon edhe shikon

Mbarë njerëzinë e krijoi me të Tijën dorë

Po të mos ekzistonte Krijuesi, njeriu nuk do të ishte qenie e denjë për t’u përmendur. Po të mos ishte Furnizuesi, njeriu nevojtarë nuk do të posedonte gjënë më të vogël.
Kushedi sa mirësi na i ka dhuruar?! Kushedi sa të mira deri tek ne i ka dërguar?! Në fe, na ruajti nga mosbesimi, në trup na ruajti nga sëmundjet, nga kurrizi i prindërve na nxori Muslimanë, na bëri të rritemi mes vëllezërve të një feje (Islamit), na mundësoi të flasim gjuhën më të pastër (kulluar) dhe na mundësoi të ndjekim rrugën më të qartë dhe më të drejtë.
Me ç’lloj falenderimi i presim mirësitë e Tij ndaj nesh? Si mund ta shpërblejmë për mirësitë që Ai solli tek ne? I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu!
Asnjë krijesë nuk e ka falenderuar siç i takon dhe askush nuk e ka lëvduar ashtu sikurse Veten e Tij e lëvdon!

Asnjë krijesë nuk e ka vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. sepse e gjithë kjo varet tek fakti se sa e njeh robi Zotin e vet,  paçka se kjo njohje është si ai deti që nuk i gjindet fundi!

I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Allahu, sa të shumta janë mirësitë e Tij dhe sa të drejta janë gjykimet e Tij!

Po ta falenderonim aq sa mundemi, mirësitë e Tij do të na i shtonte! Nëse do ta konsideronim Zot të vërtetë, Ai do të na përzgjidhte tek robërit e Tij të veçantë, por e keqja jonë është se stopuam tek arsyetimet dhe shkaqet.

Kush e di sa njerëz e pretendojnë monotezimin e në fakt janë idhujtarë ndaj Zotit të tyre? Kush e di sa të tjerë çojnë zërin duke thënë: jam robi i Allahut, a në të vërtetë është skllav i barkut? Kundërshton Allahun për tju bindur dëshirave të veta dhe e shet kënaqësinë e Alahut për të fituar kënaqësinë e një krijese të ngjashme me të!

Sa ndryshim i madh është mes atij që ndjek epshet personale, duke i konsideruar si Hyjni dhe dikujt  që i bindet urdhërave të Zotit dhe blen veten e tij për të fituar kënaqësinë e Allahut!

A nuk i vjen turp atij që pretendon dashurinë ndaj Krijuesin që të dojë një krijese dhe të sillet ndaj saj më mirë se çsillet me Zotin e Tij?!

Mexhnun Lejlanë (Të çmendurin pas Lejlasë) e panë në ëndërr pasi që kishte ndërruar jetë dhe e pyetën: Çfarë bëri Allahu me ty? Ai u tha: Më fali dhe më tha: Shko, sepse të kam bërë argument kundrejt të gjithë atyre që pretendojnë dashurinë ndaj Meje!

“Përkujtime dhe Predikime” Ibn Xheuzi

Përktheu: Fatjon Isufi

[1] Suretu Fatir 44.