Mos i detyroni të sëmurët të hanë dhe të pinë

March 10, 2018

Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Mos i detyroni të sëmurët tuaj të hanë dhe të pinë, sepse ata i ushqen Allahu dhe u jep të pijnë.”
(Es Sahihah: 727)
Me renditjen e shejh Mesh’hur Hasen, hadithi nr. 3325.

Për këtë arsye edhe mjekët thonë: As dieta e as ushqimi i detyruar nuk ndihmon dot në rikuperimin e shpejtë. Në fakt, oreksi ose mungesa e tij është ajo që i ndihmon ekspertët të dallojnë mes gripit dhe një të ftohti. 

Disa nga shkaqet e anoreksisë gjatë disa sëmundjeve janë:

a) Gjatë sëmundjes prodhohet një substancë e quajtur Cytokine që ka lidhje me oreksin, dhe në varësi të sëmundjes kjo mund të vijë edhe si shkak i ndryshimeve hormonale.

b) Tretja e ushqimit i merr trupit energji, prandaj kur nuk jemi duke tretur ushqimin kjo bën të mundur që të shkojë më shumë energji për të luftuar sëmundjen.

c) Humbja e oreksit frenon rritjen e mëtejshme të viruseve, sepse duke ngrënë më pak ulet niveli i disa substancave me të cilat ushqehen viruset. E njëjta gjë thuhet edhe për bakteret, të cilat nuk do të gjejnë aq shumë glukozë dhe hekur në gjak sa u duhet për t’u ushqyer kur i sëmuri është duke ngrënë më pak.

Ky është një reagim kompleks i përkohshëm i trupit dhe mund të përshpejtojë shërimin, si dhe të ndihmon për ta rimarrë veten më shpejt pas sëmundjes. Kjo nuk duhet të kuptohet që të mos hash fare kur je i sëmurë, sepse duke u përpjekur të agjërosh dhe ta privosh kësisoj trupin tënd prej kalorive të mjaftueshme kjo mund të vështirësojë proçesin e shërimit. Trupi yt ka nevojë për rezerva energjie që të ngrejë nivelin e imunitetit në lartësitë e duhura.

Ajo që rekomandojnë ekspertët në këto raste është të dëgjosh trupin tënd dhe të hash kur të jesh i uritur, përveç pushimit të bollshëm dhe lëngjeve.

Falënderimi i takon Allahut që na ka shpallur me këtë fe ato që na bëjnë dobi dhe na largojnë nga dëmet!

Loading...