Namazi i vitrit

June 30, 2015

Namazi i vitrit është sunet i fortë. Profeti ﷺ e ka falur gjithmonë edhe kur ka qenë në udhëtim[1] dhe i ka inkurajuar njerëzit për faljen e tij.

Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se ai ka thënë: “Vitri nuk është i detyrueshëm ashtu si namazet e detyrueshme, por ai është sunet që e vendosi i Dërguari i Allahut ﷺ”.[2]

Tek Ibën Maxhe është: Vitri nuk është i domosdoshëm siç janë namazet e detyrueshme, por i Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin dhe tha: “O ju ithtarët e Kuranit! Faleni vitrin (tekun), sepse Allahu është Tek dhe e do tekun![3]

Ky namaz përbëhet nga një rekat, së paku, dhe njëmbëdhjetë rekate më e shumta. Profeti ﷺ thotë:

اجعلوا آخرَ صلاتِكم بالليلِ وتراً

“Fundin e namazit tuaj të natës faleni tek.” Mutefekun alejhi.

Transmetohet nga Ebu Ejubi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi i vitrit është e drejtë e Allahut. Kush dëshiron ta falë me pesë rekate, le ta bëjë e kush dëshiron ta falë me tri rekate, le ta bëjë dhe kush dëshiron ta falë me një rekat, le ta bëjë.”[4]

Koha e tij

Koha e tij fillon pas namazit të jacisë deri në lindjen e agimit. Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se ajo ka thënë: “Nga e gjithë nata, i Dërguari i Allahut e ka falur vitrin në fillim të saj, në mes të saj dhe në fund të saj, por në fund, vitri i tij ishte deri në kohën e syfyrit.”[5]

Kush frikëoshet se nuk ngrihet dot për namaz nate, atëherë le ta fal vitrin para se të fle. Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

مَنْ خَافَ أَنْ لَا يَقُومَ مِنْ آخِرِ اَللَّيْلِ فَلْيُوتِرْ أَوَّلَهُ, وَمَنْ طَمِعَ أَنْ يَقُومَ آخِرَهُ فَلْيُوتِرْ آخِرَ اَللَّيْلِ, فَإِنَّ صَلَاةَ آخِرِ اَللَّيْلِ مَشْهُودَةٌ, وَذَلِكَ أَفْضَلُ

“Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin para se të flejë, kurse ai që është i sigurt se do të ngrihet në fund të natës, ta falë në fund të saj, sepse leximi i Kuranit në fund të natës është i dëshmuar (prezantojnë engjëjt) dhe kjo është më e mira.” Muslimi.

Cfarë lexohet në namazin e vitrit

Transmetohet nga Ubej bin Keab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në namazin e vitrit, i Dërguari i Allahut lexonteSebbihisme rabbikel-eala”, “Kul ja ejjuhel-kafirun” dhe “Kul huvAllahu ehad”. Ai nuk jepte selam veçse në fund të tre rekateve.[6]

Duaja e kunutit që thuhet në namazin e vitrit

Transmetohet nga El Hasen bin Ali radijAllahu anhu se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më mësoi disa fjalë që t’i them në lutjen (kunutin) e namazit të vitrit: “O Zot! Më udhëzo bashkë me ata që ke udhëzuar! Më jep shëndet bashkë me atë që u ke dhënë shëndet! Më ruaj dhe më përkrah bashkë me ata që ke ruajtur e përkrahur! Më jep begati në atë që më ke dhënë! Më ruaj nga e keqja e asaj që ke caktuar, sepse vetëm Ti cakton gjithçka dhe askush nuk cakton mbi Ty! Askush nuk poshtërohet nëse Ti e përkrah dhe e bën mik. I Pastër nga çdo e metë je Ti, o Zoti ynë, dhe i Lartësuar.”[7]

Duaja që thuhet në përfundimin e namazit të vitrit

Prej Sunetit është që në fund të vitrit ose pas tij, personi të thotë atë që transmetohet nga Ali bin Ebi Talib radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thoshte: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike – O Zoti im, të lutem që me anë të kënaqësisë tënde të më mbrosh nga hidhërimi Yt! E me faljen tënde të më mbrosh nga dënimi Yt! Kërkoj mbrojtjen tënde nga Ti! Unë assesi nuk mund të të madhëroj ashtu siç e meriton. Ti je i Madhëruar ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde.”[8]

Imam En Nevevij (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është e pëlqyeshme (mustehab) që pas vitrit personi të thotë tri herë: “Subhanel malikul kuddus” dhe “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.”[9]

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Prej Sunetit është që personi në fund të vitrit të tij (para dhënies së selamit ose pas tij) të thotë: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.”[10]

Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Prej duave të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.”[11]

Komisioni i përhershëm për fetua thotë: “Po ashtu ajo që transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thoshte në fund të vitrit të tij: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.”[12]

Shënim: Shtesa “rabbil melaiketi uer-ruh” te duaja “Subhanel-malikul kuddus” pas vitrit nuk saktësohet (është daif).

Prej sunetit është dhe falja (ndonjëherë)

e dy rekateve pas namazit të vitrit

Transmetohet nga Umu Seleme radijAllahu anha se: “I Dërguari i Allahutfalte dy rekate pas vitrit.”[13] E transmeton Tirmidhiu.

E transmeton gjithashtu edhe Ahmedi dhe Ibën Maxheh, i cili shton: “duke qenë ulur.”[14]

Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij

Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij, atëherë le ta falë pas lindjes së diellit, çift dhe jo tek. Transmetohet se Ebu Seid el Hudri radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush fle pa e falur vitrin ose e harron atë, le ta falë kur t’i kujtohet![15]

 Pergatiti Unejs Sheme

[1] Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu: “I Dërguari i Allahut e fali vitrin mbi devenë e tij.” Hadith autentik.

[2] Hadith autentik. En-Nesai (1676) dhe Tirmidhiu (454).

[3] Autentik. Ibën Maxheh (1169).

[4] Hadith autentik. Ebu Daudi (1422), En-Nesai (1712), Ibën Maxheh (1190).

[5] Hadith autentik.

[6] Hadith autentik. En-Nesai (1701).

[7] Hadith autentik. Ebu Daudi (1425), Ibën Maxheh (1178), “Mishkatul Mesabih” (1273) dhe “Irvaul Galil” (429).

[8] E ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Ebi Daud” (1282) dhe “El Irvau” (43).

[9] “El Mexhmuu”.

[10] “Kijamu Ramadan”, “Sahihu Ebi Daud” (1282) dhe “El-Irva” (430).

[11] “Fetaua nurun ala ed derb”.

[12] Përmbledhja e parë, vëll. 7, “Es Salah 2”

[13] Hadith autentik Tirmidhiu (471)

[14] Hadith autentik. Ibën Maxheh (1195). Shih librin tonë “Sunetet e harruara” pj. 4

[15] Hadith autentik. Ebu Daudi (1431), “Sahihul Xhami” (6562).

 

 

Loading...