Nën dritën e një ajeti nga surja El-Kehf

August 8, 2017

Allahu i Madhëruar në suren El-Kehf ndër të tjera thotë: “Mbaje fort veten me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim fytyrën Tij! Mos i hiq sytë e tu prej tyre për të kërkuar bukurinë e kësaj bote dhe as mos iu bind atij që ia kemi shkujdesur zemrën nga përkujtimi Jonë, pason epshin e tij dhe çështja e tij çorientohet (shpërndahet).” Suretu El-Kehf: 28. 

Fjala e Allahut [Mbaje fort veten tënde] d.m.th. pengoje fort atë, sepse fjala [sabr] e përdorur në ajet do të thotë qëndrim si qëndrimi i kafshës së lidhur për tu marrë në shënjestër, dhe që në gjuhen arabe quhet [mesbura]. Në kohën e injorancës njerëzit për zbavitje merrnin një kafshë dhe e lidhnin fort, pastaj e merrnin si shënjestër për ta gjuajtur me shigjeta veprim të cilin islami më pas e ndaloi. Ajo që ka lidhje me temën tonë është fakti se kjo kafshë në gjuhën arabe quhet mesbura dhe ka të njëjtën rrënjë me fjalën sabr. Kjo gjë na sqaron domethënien e urdhrit të ardhur nga Allahu i madhëruar që njeriu ta pengojë veten e tij për të qenë me njerëzit që e përkujtojnë atë, sepse Allahu e njeh mirë natyrën njerëzore siç thuhet në Kuran: “U janë zbukuruar njerëzve dhe u janë bërë të dashura gjërat e qejfit si; gratë, fëmijët, sasitë e mëdha të floririt dhe sermit, kuajt balashë, bagëtitë dhe të mbjellat. Këto janë kënaqësia e dynjasë dhe te Allahu ka shpërblim më të mirë se ato.” Suretu Ali Imran: 14.

Fjala e Allahut [me ata që lusin Zotin e tyre] d.m.th. jo t’i përzësh ata për të qëndruar me të tjerë sepse ky ajet ka lidhje me një ajet tjetër në suren El-En’am, ku Allahu i madhëruar thotë: “Dhe mos i përzë ata të cilët i luten Allahut mëngjes e mbrëmje duke pasur për qëllim fytyrën e Tij.  Llogaria e tyre nuk është mbi ty dhe as llogaria jote nuk është mbi ta që t’i përzësh (besimtarët) dhe të bëhesh prej zullumqarëve.” Suretu El-En’am: 52.

Sead bin Ebi Uekkas – radiallahu anhu – tregon: “Ishim me Profetin -alejhi selam- së bashku me gjashtë veta të tjerë dhe mushrikët i thanë Profetit -alejhi selam-: Largoji këta që të mos guxojnë  të na flasin! Ai thotë: Isha unë, Ibn Mesudi, një burrë nga fisi i Hudhejlit, Bilali dhe dy burra të tjerë që s’po i përmend. Profetit -alejhi selam- i shkoi ndërmend ajo që deshi Allahu t’i shkonte dhe e çoi ndërmend ta bënte. Atëherë Allahu i madhëruar i zbriti: [Dhe mos i përzë ata të cilët i luten Allahut mëngjes e mbrëmje duke pasur për qëllim fytyrën e Tij].” E transmeton Muslimi.

Në një transmetim tjetër Seadi thotë: Ajeti ka zbritur për mua, Ibn Mesudin, Suhejbin, Amarin, Mikdadin dhe Bilalin kur kurejshët i thanë Profetit -alejhi selam-: Nuk pranojmë të jemi pasues të tyre prandaj përzëri ata. E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.

Një gjë tjetër që bie në sy në këtë pjesë të ajetit është puna e veçantë me të cilën i ka përmendur Allahu i madhëruar robtë e tij, e cila që është lutja apo duaja. Duaja është punë shumë e veçantë për Allahun, madje aq e veçantë sa profeti -alejhi selam- e ka quajtur adhurimi i vërtetë. Numan bin Beshir -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:  [Duaja është adhurimi i vërtetë. – Pastaj lexoi ajetin: “Zoti juaj ka thënë: Mu lutni mua që t’ju përgjigjem! Ata të cilët tregojnë mendjemadhësi ndaj adhurimit Tim do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar.”] Suretu Gafir: 60. E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Ajeti i përmendur në këtë hadith fillon me lutjen apo duanë, pastaj në vend që të thuhej [Ata të cilët tregojnë mendjemadhësi ndaj lutjes time] siç i shkon për shtat ligjërimit, u tha ndryshe: [Ata të cilët tregojnë mendjemadhësi ndaj adhurimit tim], sepse ai që le duanë ka lënë adhurimin e vërtetë.

Fjala e Allahut [ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje]. Allahu i madhëruar këtu tregon për kohën e lutjes së tyre duke përmendur dy kohë tepër të veçanta: mëngjesi dhe mbrëmja, për të cilat kanë ardhur shumë fjalë profetike që tregojnë për mirësinë e përkujtimit të Allahut në këto dy kohë. Ja disa prej tyre!

Enes bin Malik -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Të ulem me një grup njerëzish që përkujtojnë Allahun pas namazit të sabahut derisa të lind dielli, është më e dashur për mua sesa të çliroj nga robëria katër veta nga bijtë e Ismailit. Dhe të ulem me një grup njerëzish që përkujtojnë Allahun pas namazit të ikindisë deri në perëndim të diellit, është më e dashur për mua sesa të çliroj katër veta nga bijtë e Ismailit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.

Kjo nëse për qëllim nga fjala [lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje] është përkujtimi i Allahut (dhikri), e nëse është për qëllim namazi i këtyre dy kohëve sabahu dhe ikindia siç thonë disa komentues të Kuranit, atëherë mirësia është akoma më e madhe. Për këtë gjë kanë ardhur disa hadithe:

1- “Kush fal dy kohët e freskisë (sabahun dhe ikindinë) futet në xhenet.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- “Nuk ka për të hyrë në zjarr ai i cili është falur para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij.” E transmeton Muslimi.

3- “Do ta shihni Zotin tuaj siç e shihni këtë hënë (duke bërë me shenjë nga hëna e plotë) pa vështirësi në shikimin e saj. Prandaj, nëse keni mundësi mos t’ju ikin namazi para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, bëjeni.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

4- “Ndërrohen mes jush melaiket e natës dhe të ditës dhe bashkohen në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Pastaj ngjiten ata të cilët ishin me ju dhe Allahu i madhëruar i pyet, edhe pse Ai e di mirë se çfarë bëjnë, dhe ata i thonë: I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Përmendja e Allahut në këto dy kohë të veçanta i shkon për shtat këtyre robëve të veçantë të Tij.

Fjala e Allahut [e që kanë për qëllim fytyrën Tij] d.m.th. i luten Allahut me sinqeritet për të.

Sinqeriteti në këtë ajet është shprehur me një diçka tepër të veçantë që është kërkimi i robit me punën e tij fytyrën e Allahut, dhe kjo na kujton me ajetin e Kuranit ku Allahu thotë: “Atë ditë ka fytyra të lumtura. * Te Zoti i tyre duke shikuar.” Suretu El-Kijame: 22-23. Ibn Abasi në komentimin e ajetit thotë: Duke parë te fytyra e Zotit të tyre.

Këtë gjë e ka njoftuar edhe Profeti -alejhi selam- siç tregon Suhejbi -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të futen banorët e xhenetit në xhenet Allahu do t’iu drejtohet dhe do t’u thotë: A doni t’ju shtoj ndonjë gjë? Ata i thonë: A nuk na i ke zbardhur fytyrat?! A nuk na ke futur në xhenet dhe na ke shpëtuar prej zjarrit?! Atëherë Allahu i madhëruar e heq perden dhe ata e kuptojnë se nuk u është dhënë gjë më e dashur për ta sesa shikimi i Zotit të tyre.” E transmeton Muslimi.

Pra, ata me punën e tyre kërkojnë shikimin e Allahut ditën e kiametit, që do të thotë se kërkojnë shpërblimin e ahiretit madje shpërblimin më të madh të ahiretit dhe jo shpërblimin e dynjasë.

Fjala e Allahut; [Mos i hiq sytë e tu prej tyre për të kërkuar bukurinë e kësaj bote dhe as mos iu bind atij që ia kemi shkujdesur zemrën nga përkujtimi jonë, pason epshin e tij dhe çështja e tij çorientohet (shpërndahet)].

Allahu i madhëruar pasi që urdhëroi profetin e Tij për të qëndruar gjithmonë me besimtarët të cilët e përkujtojnë Allahun duke dashur fytyrën e Tij, e ndalon atë nga e kundërta e kësaj gjëje të cilën e shpreh në dy forma:

E para: Të mos i largojë qoftë edhe sytë nga besimtarët.

E dyta: Të mos ju bindet jobesimtarëve në asgjë që ka lidhje me përbuzjen e besimtarëve apo veprave të tyre të mira.

Allahu i madhëruar do t’i tregojë Profetit -alejhi selam- se porosia për të qëndruar me ata që përkujtojnë Allahun nuk pranohet asesi prej tij të shkelet, të harrohet apo të nënvlerësohet.

Pastaj Allahu i madhëruar në fund të këtij ajeti i tregon profetit -alejhi selam- për disa cilësi të jobesimtarëve:

E para: Shkujdesja e tyre ndaj përkujtimit të Allahut. Madje Allahu i madhëruar i tregon profetit -alejhi selam- se ata me këtë vepër nuk na sfidojnë neve dhe as nuk e bëjnë atë gjë kundër vullnetit tonë, por ne jemi ata që ua shkujdesim zemrat e tyre për shkak se nuk e meritojnë këtë mirësi.

E dyta: Rendja e tyre pas epshit, punë e cila ua bllokon arsyen apo logjikën.

Këto dy cilësi kur bashkohen së bashku i hapen robit dyert e çdo të keqje sepse zemrën e ka të shkujdesur dhe logjikën e ka të bllokuar, siç thotë sheihul-islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë: Shkujdesja me ndjekjen e epshit është baza e çdo të keqje.

Kjo gjendje në të cilën gjendet robi pas shkujdesjes së tij nga përkujtimi i Allahut dhe rendjen pas epshit, i shkon përshtat shprehjes së fundit me të cilën Allahu e përfundon ajetin duke thënë: [dhe çështja e tij çorientohet (shpërndahet).] D.m.th. ai kalon në huti për të mos e njohur rrugën e drejtë dhe për të humbur mes rrugëve, siç shpërndahen rruazat kur këputet vargu që i lidh ku asnjëra prej tyre nuk është në drejtim të tjetrës.

Përgatiti: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...