Ngritja e duarve në namaz

Ngritja e duarve në namaz

Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ngrihej për të falur namazin i ngrinte duart e tij deri në lartësinë e supeve, pastaj merrte tekbir (thoshte Allahu ekber). Dhe kur binte në ruku vepronte të njëjtën gjë, po ashtu edhe kur ngrihej nga rukuja. Por, një gjë të tillë nuk e bënte kur ngrinte kokën nga sexhdja.” Muslimi

Në një transmetim tjetër: “Nuk i ngrinte duart midis dy sexhdeve.”

Buhariu në një transmetim shton: “Nuk e bënte këtë (s’i ngrinte duart) kur binte në sexhde.

Po ashtu ai (Buhariu) në një transmetim tjetër përcjell: “Kur ngrihej nga dy rekatet (teshehudi i parë për në rekatin e tretë) i ngrinte duart.”

Në dy “Sahihat” përcillet hadithi i Malik bin El-Huvejrith njëjtë si hadithi i Ibën Umerit ku thuhet: “Kur falej merrte tekbir (thoshte Allahu ekber) pastaj ngrinte duart.

Nxjerrja e haditheve:

Hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anhuma e shënon Muslimi (390), Buhariu në “Kapitulli i ezanit”, tema: “Ngritja e duarve kur merr tekbir, kur shkon në ruku dhe kur ngrihesh prej saj” (736), Ebu Daudi në “Kapitulli i namazit”, tema: “Ngritja e duarve në namaz” (721) etj.

Hadithin e Malik bin El-Huvejrith radijAllahu anhu e shënon Muslimi (391), Buhariu në “Kapitulli i ezanit”, tema: “Ngritja e duarve kur merr tekbir, kur shkon në ruku dhe kur ngrihesh prej saj” (737), Ebu Daudi “Kapitulli i namazit” (745) etj.

Dobitë që përfitohen nga hadithet:

E para: Të dy hadithet tregojnë për ligjshmërinë e ngritjes së duarve në katër vende në namaz:

Në tekbirin fillestar. Bazuar në hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anhuma se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ngrihej për namazi i ngrinte duart.”

Dhe në hadithin e Malik bin El-Huvejrith radijAllahu anhu: “Kur falej merrte tekbir dhe pastaj ngrinte duart.

Në lidhje me ngritjen e duarve në këtë vend (tekbirin fillestar) ka dakortësi midis dijetarëve. Shih “El-Ifsah” (1/123). Ndërsa për pjesën tjetër -se ku dhe kur ngrihen duart- ka mendime të ndryshme nga dijetarët, porse xhumhurët janë të mendimit se lejohet ngritja e tyre.

Kur shkon në ruku. Bazuar në hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anhuma: “Kur shkonte në ruku vepronte të njëjtën gjë (i ngrinte duart si në tekbirin fillestar).”

Kur ngrihesh nga rukuja. Bazuar në hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anuuma: “Dhe kur ngrihej nga rukuja vepronte të njëjtën gjë.”

Kur ngrihesh nga teshehudi i parë për në rekatin e tretë. Bazuar në hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anuma të cilin e shënon Buhariu: “Kur ngrihej nga dy rekatet (për në rekatin e tretë) i ngrinte duart.

Dhe në hadithin e Ebu Humejd Es-Sai’dij radijAllahu anhu të cilin e shënon Ebu Daudi: “pastaj kur ngrihej prej dy rekateve merrte tekbir (thoshte Allahu ekber) dhe i ngrinte duart…”

El-Hatabi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Hadithi i Ibën Humejd-it (Es-Sai’dij) për ngritjen e duarve kur ngrihesh nga teshehudi i parë (për në rekatin e tretë) është hadith sahih.” Shih “Mealim Es-Sunen” (1/354)

Në këtë pikë xhumhurët janë kundërshtuar nga imam Ebu Hanife dhe Eth-Theuri të cilët kanë thënë: “namazliu i ngre duart vetëm në tekbirin fillestar.” Shih “El-Hidajeh” (1/51) dhe “El-Mugnij” (2/172).

Këta janë argumentuar me hadithin e El-Berau bin Azib radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur fillonte namazin i ngrinte duart afër veshëve pastaj nuk e bëntë më një gjë të tillë.” Hadithin e shënon Ebu Daudi dhe Ahmedi. Zinxhiri i hadithit është i dobët (daif), ngase në të gjendet Jezid bin Zijad, i cili konsiderohet i dobët (daif). Hadithin e ka konsideruar të dobët Buhariu, Ahmedi, Shafiu, Ibën Ujejneh etj.

E dyta: Të dy hadithet tregojnë për formën legjitime deri ku ngrihen duart. E ato janë dy forma:

-deri në lartësinë e supeve

-deri tek majat e veshëve.

E treta: Si burrat dhe gratë janë të njëjtë në këtë pike. Pra, përsa i përket ngritjes së duarve. Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk transmetohet ndonjë argument i saktë që të bëj dallim mes burrit dhe gruas përsa i përket ngritjes së duarve. Tek hanefitë është se burri i ngre duart deri tek veshët ndërsa gruaja deri te supet, sepse kjo formë është mbulim për të” Shih “El-Fet’h” (2/221).

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme