Përse falem? – I –

May 14, 2010

Autor  Abdurrauf  El-Hanauij.

Prezantimi dhe aprovimi nga dijetari i nderuar:

Abdulaziz ibën Abdil-lah ibën Baz (Allahu e mëshiroftë).

Muftiu i përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Në emër të Allahut  Mëshiruesit  Mëshirëbërësit.

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut.

Paqja dhe bekimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka profet tjetër, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi këdo që ecën me udhëzimin e tij deri në Ditën e Shpërblimit..!

Kjo është një broshurë e rëndësishme që titullohet: «Përse falem?» përgatitur nga vëllai ynë Abdurrauf El-Hanauij (Allahu ia shbërbleftë me të mira). Unë pas dëgjimit e vlerësova si broshurë të dobishme. Autori i saj trajton rëndësinë e faljes, kujdesin për ta falur në kohët përkatëse dhe mirësitë e shumta, që burojnë nga kryerja e saj. Në anën tjetër, autori (Allahu i dhëntë sukses) thekson dhe sqaron se lënia e faljes ose shpërfillja e saj, është gjynah tepër i  madh dhe llogaria për të në Ditën e Kijametit do të jetë e vështirë. Të gjitha këto, autori i ka shkruar me një stil të këndshëm dhe të dobishëm.

E lus Allahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që t’iu bëj dobi të gjithëve me të, sepse Ai është Ndihmuesi dhe i Plotfuqishmi për këtë.

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi robin, të dërguarin dhe besnikun e shpalljes së Tij, profetin, imamin dhe zotërinë tonë Muhammed ibën Abdullah, mbi familjen, shokët dhe ndjekësit e Tij.

E shkruajti nevojtari për faljen e Zotit të tij, Abdulaziz ibën Abdilah ibën Baz. Muftiu i përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe kryetari i komisionit të dijetarëve të mëdhenj.

Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërësit.

Shoku i tij gjatë bisedës me të, i tha: “E çuditshme është çështja jote dhe i jashtëzakonshëm është fati yt. Sa e ashpër është kritika jote!   A u çudite që këta dy burra janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, shpatullat i kanë të puthitura dhe janë të bashkuar në një fjalë të vetme? Njëri prej tyre dëshiron fort, që ta zbrazë zemrën e tij tek tjetri. Ndërsa tjetri, ëndërron t’ia vendosi shpirtin në dorën e tij, si sakrificë për të.  A e di se cilët janë këta të dy? Prindi dhe fëmija. Prindi që tregohet i butë dhe fëmija që e respekton. A të lumturon kjo lidhje mes tyre?

Tha: “Po, për Zotin tim! A ka ndonjë lidhje më të fortë se ajo që lidh zemrat, sjell harmoninë dhe bashkimin dhe që është fakt për pohimin e mirësisë dhe falënderimin e begatisë? A mund të jetojë njeriu në këtë jetë i shkëputur nga lidhjet farefisnore, të fqinjësisë, shoqërisë dhe punës? A nuk është shoqëror në instiktin dhe formimin e tij?”

Shoku i tij i tha: – “Unë shoh se je i bindur në domosdoshmërinë e forcimit të lidhjes mes njerëzve, mbi themele të mëshirës dhe bashkëpunimit, si dhe të pohimit të mirësisë dhe bamirësisë.”

Tha: Patjetër.

Tha: Po sikur dikush ta mohojë të mirën dhe të mosrespektojë të drejtën?

Tha: A mund ta bëj këtë një njeri, që ka sadopak cipë, apo edhe një grimcë ndërgjegjeje?

Tha: Po. Ti.

Mori zjarr nga inati dhe u ndez, aq sa dëshiroi të reagonte ndaj tij, por më pas u përmbajt, mblodhi veten dhe tha: Përse?

Tha: Sepse ti mohon mirësinë dhe begatinë e Allahut ndaj teje.

Tha: Si kështu?

Tha: A nuk posedon Allahu mirësi dhe begati?

Tha: Natyrisht.

Tha: A meriton të falënderohet për këtë?

Tha: Po.

Tha: Si bëhet falënderimi i Tij?

Heshti pak duke u konsultuar me mendimet e tij, por ato nuk i dhanë asnjë përgjigje.

Tha: Nuk e di, dhe u turpërua. Heshti për një çast dhe tha: Më trego mënyrën me të cilën të kryej falënderimin e Tij.

Tha: Janë dy mënyra, që së bashku vërtetojnë falënderimin:

E para: Të pohosh mirësinë dhe bamirësinë e Tij, nga thellësia e zemrës dhe jo vetëm me gjuhën tënde. Këtë ta vërtetosh duke vendosur ballin tënd mbi tokë, duke bërë sexhde dhe duke iu nënshtruar Atij.

E dyta: T’i ruash këto begati duke i shfrytëzuar në gjërat që Ai i pëlqen për ty.

Tha: Fjala jote është e drejtë dhe e vërtetë. Ti ndaj meje ke besën dhe besëlidhjen e Allahut. Unë nuk kam për ta lënë namazin sa të jem gjallë. Por, unë kam një shok të ngushtë, i cili në lidhje me të falurit është si mua. A mund të më shkruash disa fjalë në lidhje me këtë temë, që unë t’ia drejtoj atij. E, ndoshta Allahu bën që ai të udhëzohet nga shkaku yt. Të lidhi me të falurit e tij atë pjesë, që është shkëputur midis tij dhe Allahut. E kjo, ka për të qenë më me vlerë për ty se sa devetë e kuqe?

I tha: Pranoj me kënaqësi dhe nderim. Dhe gjithë qejf nisi të shkruante:

Shoku im i nderuar!

Selamun alejkum (paqja qoftë mbi ty)!

Dëgjova disa fjalë të këndshme dhe dua me gjithë zemër të t’i citoj në këto fletë. Shpresoj që të ndikojnë tek ty, ashtu siç ndikuan tek unë. Paqja qoftë mbi ty.

Shumë prej njerëzve sot, në kohën tonë, e shpërfillin të falurin dhe e shohin si një barrë të rëndë për ta. Kur e përkujton ndonjërin prej tyre, të nxjerr arsye të ndryshme, duke arsyetuar se tani është i zënë me gjëra të rëndësishme. Të tjerë pretendojnë se i kanë rrobat të papastërta dhe nuk vlen falja me to. E, kur të kthehen në shtëpi, do t’i heqin ato dhe do falen. Ndërkohë, në realitet ata gënjejnë. Disa të tjerë pohojnë se janë të shkujdesur dhe përsëritin fjalën «Allahu na udhëzoftë.» Ekziston edhe një grup njerëzish të pacipë dhe arrogantë, të zhytur në gjynahe haptazi, që e kanë ndërruar begatinë e Allahut me mohim, që nënçmojnë namazin dhe namazlinjtë, dhe më pas pretendojnë se janë muslimanë. Çfarë kanë këta njerëz, që kur përmendet Allahu i Vetëm u copëtohen zemrat dhe kur ftohen tek Allahu thonë: Dëgjuam dhe kundërshtuam ?!

« Ç’është pra me ta (mosbesimtarët) që ata i kthejnë shpinën këshillës? Si të ishin gomarë të humbur (të egërsuar), duke ikur nga bisha (a luani ) që i ndjek !» ( El-Muddethir 49-51 )

O vëllai im! Eja të analizojmë dhe të kurojmë së bashku qëndrimet e këtyre njerëzve. Të kërkojmë shkaqet, që i shtynë ata në lënien e namazit.

A mos vallë namazi është një taksë, që e paguan njeriu siç paguan gjobat padrejtësisht? A mos vallë namazi është diçka që humb kohën dhe njeriu nuk ka kohë të lirë veç nevojës së tij?

A mos vallë namazi është një parim i detyrueshëm, për të cilin njeriu detyrohet sikundër detyrohet për pranimin e parimeve politike në shtetet diktatoriale?

A mos vallë namazi është kufizim i lirisë pa kufi të njeriut dhe pengesë për të nga ushtrimi i saj?

Apo mos vallë namazi është diçka e lejuar, që kush do e vepron dhe nuk ka shpërblim për të, e kush do e lë dhe nuk ka gjynah për të?

A mos vallë Allahu ka nevojë për namazin tonë?

Çfarë dobie përfiton njeriu nga namazi? Dhe çfarë humbje i shkakton atij nëse e lë?  A mos vallë…..?  Pse…..?

Pyetje të shumta sillen në mendjen e njeriut që ia dikton epshi, shejtani dhe kënaqësitë e tij. Nëse ai tregohet i pafuqishëm ndaj përgjigjes, ato ngrijnë faktin ndaj tij dhe kështu ai nënshtrohet dhe poshtërohet. Më pas ato ndikojnë negativisht ndaj tij duke hedhur poshtërsira në mendjen e tij dhe ai devijon. Më pas i zbukurojnë atij punën e keqe dhe ai e shikon si të mirë, ia quajnë të saktë mendimin e tij të prishur dhe ai kapet me të, e përkrahin me polemika sterile dhe i sjellin mendime dhe dëshira të largëta, derisa hidhet në zjarr shtatëdhjetë vjeshta pa e ndier. Por, nëse ai përgjigjet mirë, i hedh poshtë dyshimet dhe i jep përparësi logjikës dhe arsyes, atëherë e ka ngritur faktin ndaj tyre dhe thjesht do pëshpëritin pa rezultat.

Le të fillojmë me rrëzimin e këtyre pyetjeve një nga një, që më pas t’u përgjigjemi atyre duke mos lënë asnjë ndjenjë pasigurie për atë që dyshon. E kush kthen shpinën më pas, këta janë keqbërësit, të padrejtët.

Së pari : O shoku im ! Namazi nuk është gjobë e përcaktuar që jepet dhe as taksë të hollash që detyrohet, por është një amanet të cilin zotëruesi i tij e sheh çdo ditë pesë herë dhe dëshmon pro teje për besnikëri, sinqeritet, përkushtim dhe ruajtje të të drejtave, dhe të shpërblen për përkujdesjen tënde të mirë me shpërblimin më të madh.

Nuk është as gjobë dhe as taksë, por është pohim i të drejtës dhe falënderim i të mirës. Është argument për pastërtinë e vetes me bindjen e të parëve, zbatimin e urdhrave të tyre dhe shprehje e asaj që përmban zemra prej dashurisë dhe vlerësimit të Allahut.

A nuk e shikon, se të gjithë njerëzit në vetvetet e tyre, madhërojnë disa të tjerë dhe i konsiderojnë sipër tyre në fuqi dhe dobi?! Dhe kthehen tek ata në raste vuajtjesh dhe fatkeqësish. Kërkojnë ndihmë prej tyre në raste problematike dhe misterioze. Në raste të tjera kërkojnë begati prej tyre dhe mbajnë simbole, që ua kujtojnë ata sa herë që i harrojnë.

Pse të krishterët marrin të adhuruar Mesihun, të birin e Merjemes        (paqja qoftë mbi të)? Pse mbajnë kryqin si simbol dhe e ngrenë mbi kishat e tyre, e varrin në gjokse dhe nxitojnë të falen nëpër kisha ?

Pse jehudët marrin të adhuruar Uzeirin (larg të metave është Allahu nga ajo që i bashkangjitin shok në adhurim)? Pse sillen rrotull një ndërteseje si përmendore, ndezin në të qirinj, lexojnë Teuratin dhe falen? Ndërsa ata që janë më të devotshëm se të tjerët mbajnë kapele të vogla dhe i vendosin në majë të kokave të tyre!  Madje, që kur ngritën shtetin e tyre në Palestinë kanë marrë yllin më gjashtë cepa si simbol të tyre!

Pse mexhusët adhurojnë zjarrin, indianët adhurojnë lopët dhe majmunët, e grupe nga batinijet adhurojnë shejtanin?

Të gjithë këta adhurojnë të tjerë përveç a përkrah Allahut dhe i shenjtërojnë, falen për ta dhe veprojnë adhurime të ndryshme për t’u afruar tek ata. Ndërkohë që ata (të adhuruarit e tyre) janë të kotë si mendimet e tyre boshe. Ata nuk posedojnë për ta sjelljen e dobisë dhe as largimin e dëmit. Megjithatë ti nuk u mohon atyre të falurin, por më mohon mua namazin tim edhe pse është i vërtetë, i saktë, i vlefshëm dhe i dobishëm?

Ç’dobi përfitojnë ata nga adhurimet e tyre të ndryshme nga njëra-tjetra? Ç’dobi do t’u sjellin atyre të adhuruarit e tyre? Mos vallë do t’u përgjigjen atyre në lutjet e tyre?  A i kuptojnë fjalët e tyre? Mos vallë dinë se çfarë i rregullon ata dhe çfarë i prish? A i furnizojnë ata? A i ngjallin?  A i shërojnë?  A e largojnë dëmin prej tyre?  A e zbresin shiun për ta, që të mbijnë të mbjellat e tyre?

Jo, nuk bëjnë as edhe një gjë prej këtyre, kurrë. Por përsëri ata vazhdojnë adhurimin. I admirojnë nga thellësia e tyre me shenjtëri dhe respekt. Ata e konkretizojnë këtë mirënjohje me faljet e tyre.

Pa mendo, o ti i zgjuar nga gjumi, sikur dikush të jep një copë ëmbëlsire, apo të ndihmon në mbajtjen e plaçkave të tua, të tregon rrugën, shtyn bashkë me ty makinën tënde, ose të jep diçka që të ka humbur; A nuk do t’i thoshje atij: Faleminderit, dhe do ta respektoje në veten tënde, do të vlerësoje punën e tij dhe do të dëshiroje t’ia ktheje të mirën që të bëri, me më të mirë se ajo?…… Po. Edhe unë jam njeri si ti, ruaj të mirën, pranoj bamirësinë, pohoj të mirën dhe falënderoj udhëzimin. Sa më e madhe është e mira që më bëhet aq më i madh do të jetë falënderimi prej meje. A ka ndonjë që jep mirësi dhe begati si Allahu i Lartmadhëruar, i Cili më dhuroi mendjen dhe shqisat, më dhuroi furishëm furnizim të këndshëm, më begatoi me shëndet dhe mirëqënie, më udhëzoi në fenë e saktë, më dhuroi fëmijë dhe familje dhe më vendosi në një vend të mirë, mes shokëve të nderuar dhe fqinjëve të këndshëm?

Jo… Nuk gjendet në këtë ekzistencë dikush, që më ka dhuruar të mira siç më ka dhuruar Allahu i Lartmadhëruar. A të mos e falënderoj Atë për gjithë këto begati, ndërkohë që unë falënderoj dikë tjetër dhe për më të voglën të mirë që më bën?! Nuk ka dyshim se ti je dakord me mua përsa i përket falënderimit tim për Allahun dhe më inkurajon për këtë. Madje do të më shtysh me forcë nëse unë e shpërfill këtë, sepse ti nuk do që unë të jem njeri që mohon të mirën dhe nuk respekton të drejtën.

Falënderimi përshtatet reciprokisht me vlerën e dhuratës dhe pozitën e dhuruesit. Falënderimi im për atë që më jep një copë ëmbëlsire nuk është si falënderimi im për atë që më jep një pako me ëmbëlsira. Kur unë i them një të vogli: Ma jep stilolapsin që më ra, nuk është njësoj me një të madh, të cilit i them: Ma jep. Ndërsa mënyra që Allahu do prej meje për ta falënderuar për begatitë e Tij, është që të vendos ballin tim mbi tokë duke pohuar Rububijen e Tij (që Ai është Krijues, Furnizues etj., duke e veçuar me veprat e tij), duke shenjtëruar Uluhijen e Tij (me veçimin e Tij në adhurim) dhe duke pohuar bamirësinë e Tij.

Njerëzit përkulen para idhujve të tyre dhe i adhurojnë përveç Allahut, kur në të vërtetë ata nuk posedojnë asnjë dobi, madje i largojnë ata nga e vërteta dhe udhëzimi. Shumë prej tyre përkulen para liderave të tyre, duke i madhëruar dhe lartësuar, e ndonjëherë ata janë krijesat më të liga të Allahut. Po unë, a të mos përkulem për Allahun, Sunduesin e gjithçkaje, Krijuesin e Gjithësisë, Zotin e qiejve dhe të tokës, i Cili sjell dobi dhe dëmton, jep dhe ndalon, jep jetë dhe vdekje, që kërkon llogari për kanalin (pra për gjërat e mëdha) dhe për lëvozhgën e bërthamës së hurmës arabe?

Së dyti: Namazi nuk është diçka ku humbet kohën. Përkundrazi, kur njeriu shkëputet nga zhurma e punës dhe britmat e atyre që vijnë dhe ikin, kur qetësohet nga lodhja e marrjes dhe dhënies, shitja dhe blerja, nga grindja dhe pazarllëku, nga të mësuarit dhe mësimdhënia, nga kërkesat e verifikuesve dhe rishikuesve dhe qëndron në faltoren e tij, duke u shkëputur nga të gjitha këto gjëra të mërzitshme, çlodhet në vetvete dhe i qetësohet zemra, i rehatohet trupi, i shuhet inati, i kufizohen epshet dhe qëndron disa minuta duke lutur Atë që do.

“Kulmi i dashurisë arrihet

në kohën kur veçohesh me atë që do”

Kërkon ndihmë dhe përkrahje, kërkon t’i dhuroj fuqi për gjërat e mira, durim gjatë përpjekjeve dhe falje kur dëmton ndonjë nga krijesat, kur vështron dikë me shikim të zymtë, kur i thotë dikujt ndonjë fjalë të vrazhdë ose me ndonjë gjest të ashpër. Këto minuta që ai është duke u falur janë për të si një karrikim me depozitë dhe zbutës i prekjes në ndjenja.

Kjo pikënisje fisnike dhe e lartë ishte tradita e të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Ai pasi preokupohej me ndonjë gjë, shpejtonte për në namaz dhe kur kthehej me forcë të shteruar nga lufta thoshte: «O Bilal! Na qetëso me namazin.»D.m.th.: Thirre ezanin, që namazi të jetë qetësim për ne nga vuajtjet dhe problemet e jetës.

Njeriu është krijesë e dobët dhe me fuqi të kufizuar, që nuk mundet të punoj vazhdimisht. Atij i duhet patjetër çlodhje trupore dhe  mendore, dhe kjo nuk i mundësohet atij askund, përveçse në namaz. Rehatimi është gjysma e jetës së tij, prandaj Allahu i Lartësuar e bëri natën qetësim dhe gjumin plogështi e rehati. Sa kohë shpenzon namazliu gjatë namazit? Nëse zgjatet dhe stërgjatet nuk e kalon çerek ore. O ti i logjikshëm! A i kursen vetvetes minuta të pakta, herë pas here gjatë ditës tënde, për të arritur të gjitha këto dobi? Ti tregohesh bujar duke harxhuar orë të tëra nëpër vizita dhe pagjumësi darke!

Së treti: Namazi nuk është parim politik i një kryetari, diktator dhe mizor, që i imponon popullit të vet mendimet e tij duan apo nuk duan ata. Por, namazi është zbatim i fesë të cilën njeriu e ka përqafuar me dëshirën dhe vullnetin e vet, pa detyrim dhe dhunë.  « Nuk ka dhunë në fe. » ( El-Bekare 256 )

Namazi nuk është parim politik që ndryshon sipas rastit, apo që përshtatet me mendimet e kryetarëve. Ai nuk është një ligj i vendosur sot në parim, që nesër të shqyrtohet përfundimisht, ndërsa pasnesër t’i bëhet një ndryshim, e më vonë të prishet nga themeli për arsye aksidentale (të papritura). As nuk mund të vonohet zbatimi i tij, sa të pëlqehet dhe miratohet nga organi përkatës, apo të shpresohet miratimi i tij nga organi më i lartë në vend. Namazi është një shtyllë nga shtyllat e Islamit, madje shtylla më madhështore e Islamit pas dy dëshmive.

O musliman! Përderisa e zgjodhe këtë fe, me pëlqimin e mendjes dhe pa e përqafuar me dhunë, atëherë duhet patjetër të zbatosh rregullat e kësaj feje tërësisht.

A nuk je dakord me mua se, çdo shtetas i një shteti të caktuar është i detyruar të zbatoj ligjet e atij shteti. E nëse ai refuzon do të vihet midis dy gjërave: Ose të nënshtrohet dhe t’i zbatoj, ose të dorëzoj shtetësinë dhe të largohet nga ai vend.

Unë nuk e di, se si mund të friksohet njeriu nga polici dhe nuk friksohet nga Krijuesi i tokës dhe i qiellit? Le të shohim bashkë një tjetër arsye: Në kohën që semafori ka ndezur dritën e kuqe, ndalen me dhjetra makina, ndoshta qindra, dhe nuk mund ta kalojnë, edhe pse mes shoferëve mund të jetë njeriu më me pozitë ?!

Pra bijtë e Ademit, nuk guxojnë të kundërshtojnë shenjën e kuqe të semaforit, por kundërshtojnë urdhrat e Allahut të Lartësuar, e sfidojnë me kundërshtime dhe të këqija dhe kapërcejnë kufijtë që Ai i vendosi për ta?!

Ky është një argument që tregon mendjet e tyre të shëndosha, apo mendjet e tyre të mangëta? Gjyko vetë nëse je prej të drejtëve.

Së katërti: Namazi nuk është kufizim i lirisë personale dhe nuk e pengon njeriun të përdori lirinë e tij.

Njerëzit në shoqëritë njerëzore kanë rënë dakord, se nuk janë kafshë, që jetojnë në sipërfaqen e tokës, siç jetojnë kafshët në pyje. Ata kanë lirinë e tyre në ideologji, fjalë dhe punë, që është e kufizuar me sistemin gjithëpërfshirës dhe kanunin mbizotërues. Sikur të mos ishte ky kufizim, nuk do të kishte mbarëvajtje asnjë popull, nuk do të lindte asnjë komb, nuk do të kishte mbarëvajtje në marrëdhëniet e ndërsjellta midis individëve të shoqërisë dhe nuk do të vazhdonte gjinia njerëzore.

Parazitët, që veprojnë çfarë u vjen në mendje, që jetojnë nëpër rrugë si jetesa e qenëve endacakë, nuk munden të kundërshtojnë urdhrat e pushtetit dhe as ligjet e shtetit. Edhe “kolegët” e tyre prej kafshëve të pyjeve kanë një sistem mbi të cilin ecin. Sikur të pyesësh ndonjë nga biologët profesionistë do të ta vërtetonte këtë që po të them. Ndoshta shembulli më i mirë, që do të të jap është ai që shikon me sytë e tu; Se si bletët e një koshereje, ndihmojnë njëra-tjetrën, gjithashtu milingonat, e ndihmojnë njëra-tjetrën kur tërheqin diçka nga mbeturinat e ushqimit!

Ti o musliman, je i lirë në çështjet e tua personale, ha ose agjëron, fle ose rri zgjuar, rri në vendin tënd ose udhëton, shet ose blen. Dhe kjo liri është e kufizuar me sistemin qiellor, është e kufizuar me kufijtë e Sheriatit. Prej lirisë tënde është të shkëputesh nga puna për t’u ulur disa minuta në xhami, që t’i rikthesh vetvetes forcën dhe energjinë tënde. Më pas, do të dalësh i mbushur me energji të reja nga ndihma e Krijuesit tënd, që të vazhdosh punën tënde dhe sakrificën për mënyrën e jetesës.

Prej lirisë tënde është të jesh i kufizuar me sistemin e Krijuesit tënd, i Cili përgatiti për ty të gjitha shkaqet e lumturisë dhe fatmirësisë në këtë jetë dhe jetën tejtër.

Prej lirisë tënde është të mos i nënshtrohesh asnjë force në tokë, përderisa forca e Allahut është me ty, që të mbron dhe pengon.

Prej lirisë tënde është të thuash çfarë të duash, të punosh çfarë të duash, të shkruash çfarë të pëlqen, të tregtosh çfarë dëshiron, me kusht, që të mos i kalosh kufijtë, se kur kalon kufijtë, u hyn në hak të tjerëve dhe cënon të drejtat e tyre. Këtë Islami e ka ndaluar, siç e kanë ndaluar edhe ligjet njerëzore.

Së pesti : Namazi nuk është diçka e lejuar si gjërat e jetesës, që kush do i vepron dhe nuk ka shpërblim për të, e kush i lë nuk ka gjynah për të. Por namazi është diçka e domosdoshme dhe e formës së prerë. Ka një kohë të caktuar, formë të veçantë, mënyrë karakteristike dhe plan të shkruar. Ti nuk ke aspak të drejtë ta deformosh atë duke i shtuar apo i hequr. Nuk pranohet asnjë mendim për ta ndryshuar atë para ose mbrapa. Namazi është si kafshata, që vendoset në gojë dhe jo në vesh. Është si ajri që hyn i pastër nga goja ose hunda dhe jo nga poshtë këmbëve. Nëse ke mundësi të ndryshosh diçka nga pozicioni i zemrës, tërheqjen dhe shtrirjen e saj, ose të zgjerosh dhe ngushtosh frymëmarrjen tënde, atëherë le të kesh mendim në çështjen e namazit.

Namazi është si puna, që ti kryen nëse je i punësuar, ose si shitblerja tënde nëse je tregtar. Nëse ti vazhdon punën dhe zbaton detyrat e tua do ta meritosh shpërblimin në fund të muajit duke marrë rrogën, ose duke mbushur xhepin me fitim. Por, nëse ti mungon në punë ose  shpërfill detyrën tënde, do të të mbajnë nga rroga aq sa ke munguar dhe shpërfillur. Pra, ke për të humbur fitimet që i mendoje.

Shpeshherë njeriut i kërkohet llogari për gjërat e lejuara ashtu siç ndodh me detyrimet. Shiko, nëse ti vendos një stacion në radio pas mesnate dhe ul veshin për të dëgjuar, derisa ai buçet me gjithë fuqinë, ose ti vetë fillon të këndosh me gjithë forcën tënde, e atëherë do të shqetësoheshin fqinjët dhe do të të qortonin. Ata do të trokisnin në portën tënde si patrullë, për të thyer radion tënde, ose që të ulësh zërin se ndryshe do të ndëshkohesh!  Por a nuk e ke të lejuar të dëgjosh radion kur të duash dhe si të duash? Atëherë përse u kufizua liria jote?!

Përgjigjja është: U kufizua me një sistem të veçantë ose të përgjithshëm, që nuk duhet të kapërcehet. Atëherë, si duhet të jetë ajo që Allahu ua obligoi robëve të Tij, që besuan se Ai është i Adhuruari i Vërtetë, që duhet të adhurohet dhe Krijuesi, Furnizuesi dhe Poseduesi. Ata pëlqyen për vetet e tyre Sheriatin dhe fenë e Tij, a vallë janë të lirë ata në adhurimin e Tij dhe të falurit për Të, apo janë të kufizuar me urdhrat e Tij dhe të ngarkuar për zbatimin e tyre ?

Së gjashti: Po, namazi është nevojë shumë e domosdoshme, që njeriut ia kërkon jeta ashtu siç kërkon ushqimin dhe të pirët. Ushqimi dhe të pirët janë rezistencë për trupin dhe mënyrë jetese, ndërsa namazi është rezistencë e shpirtit dhe mjeti i qetësisë. Ai shmang njeriun nga veset e ulëta, që më pas të ketë mbarëvajtje në të gjitha çështjet jashtë namazit, siç pati mbarëvajtje dhe përkushtim para Zotit të tij në namaz.

Namazi është vija ndarëse midis Imanit dhe kufrit (Besimit dhe mosbesimit).  Në hadith ka ardhur: «Midis kufrit dhe Imanit është lënia e namazit.»

Çfarë përfiton Islami nga ata muslimanë të rremë, kur ata kundërshtojnë urdhrat e tij?!  A nuk janë ata si fëmija i paedukuar që përputhet në mbiemër me familjen e tij, por që i kundërshton në sjellje?! A shpresohet mirësi nga ai që nuk shpreson për vetveten mirësi?!

Ne muslimanët nuk duam të jemi si shkuma mbi ujë, që numërohen qindra milionë, ndërsa njerëzit e mirë dhe të devotshëm nuk i kalojnë dhjetëra milionë.

Një fishek i vetëm i mbushur me barut me të cilin vrasim armikun, është më i mirë se një stivë me fishekë të zbrazët. A mund të ngrihet një çadër me një mijë kunja, kur nuk ka një shtyllë në mes?!  Dhe shtylla e Islamit është namazi.

Namazi është një nevojë shumë e domosdoshme për njeriun, sepse disiplinon moralin e tij, qeth instiktet e tij, e pengon atë nga egërsia e shkatërrimit dhe devijimit dhe e ndalon nga çdo vepër e ulët dhe e padrejtë. Si mund të veprojë gjynahe ai, që e di se pas pak do të qëndrojë para Zotit të tij të Lartmadhëruar, që nuk e pranon këtë qëndrim nga ai vetëm nëse është i pastër në zemrën, shpirtin dhe gjymtyrët e tij?! A nuk e ke parë se si shumica e muslimanëve u ndalua nga alkoli, kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: «Mos u afroni në falje kur jeni të pirë.» (An-Nisa  43). Si mund të afrohen në të kur janë ngatërruar me krimin e dehjes?! Ndërkohë që duhet t’i afrohen patjetër; Sepse falja përsëritet çdo ditë pesë herë?!  Atëherë le të braktiset alkoli përfundimisht, që të jenë gjithmonë të gatshëm për të takuar Allahun e Lartmadhërur.

Namazi, o shoku im, është peshore me të cilën njeriu peshon punët e tij midis dy namazeve, ashtu sikurse doktori mat temperaturën e të sëmurit herë pas here. Nëse punët e tij janë të mira, i thotë: Nxito dhe përparo! Nëse është e kundërta i thotë: Kthehu dhe përmbaju parimeve dhe rregullave në mënyrë të drejtë.

Kur të dëgjojë muezinin që thërret: “Allahu Ekber”, të përqëndrohet në gjendjen e tij dhe ta dijë se Allahu është më i madh se ajo që ai është. Duhet të shkëputet nga jeta e dynjasë dhe t’i përgjigjet thirrësit të Allahut.

Të jesh i sigurt, se ai që falet është njeri nga i cili pritet mirësi dhe devotshmëri. Por edhe nëse e sheh të deformuar në pjesën më të madhe të kohës, dije se një ditë namazi i tij do ta frenojë nga ky deformim; Sepse ai lexon Kur’an në faljen e tij. Sado i pavëmendshëm të jetë në të, patjetër që do të ketë disa çaste në të cilat do të përqëndrohet në atë që lexon, dhe kanë për t’iu dridhur gilcat ( tejzat) e zemrës dhe kanë për t’iu zgjuar ndjenjat e mirësisë. Këtë e përforcon fjala e Allahut të Lartësuar: «Vërtet që falja e namazit parandalon nga çdo vepër e papëlqyer dhe e padrejtë.» (El-Ankebut 45).  Ndërsa ai që nuk falet, nuk e lexon Kur’anin dhe kështu nuk përfiton asgjë prej tij,por vazhdon të qëndrojë i shkujdesur në humbjen  e tij dhe i zhytur në gjynahe.

Vazhdon ….

Përshtati në  shqip  Bledar Ali

Dosje:

Loading...