Qëndrueshmëria në Sunet ka nevojë për kuptimin e sahabëve

Qëndrueshmëria në Sunet ka nevojë për kuptimin e sahabëve

Shejh Sulejman Er-Ruhajli (Allahu e ruajttë!): Transmetohet nga El-Irbad bin Sarije radijAllahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ju këshilloj për devotshmëri ndaj Allahut, për dëgjim dhe bindje edhe nëse ju urdhëron një rob. Sepse, ai që do jetojë prej jush ka për të parë kundërshtime të shumta. Prandaj kapuni fort pas Sunetit tim dhe sunetit të prijësve të drejtë e të udhëzuar. Kapuni fort pas tij me dhëmballë. E kini kujdes nga çështjet e shpikura, sepse çdo risi (bidat) është humbje.[1]

Medito në këtë fjalim të Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kujt i drejtohet me të? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u drejtohet me këtë sahabëve radijAllahu anhu dhe u thotë atyre: “ai që do jetojë prej jush” d.m.th. kush do ketë jetë të gjatë pas meje në këtë umet, pra, në umetin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, “ka për të parë kundërshtime të shumta”. Pra, ka për të parë përcarje.

Por kush është detyra (në këtë rast)?

Prandaj kapuni fort pas Sunetit tim” pra, kapuni fort mbas sunetit tim.

Pastaj Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “dhe sunetin e prijësve të drejtë udhëzuar”. Dijetarët thonë: Kapja fort mbas Sunetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është i mjaftueshëm. Por Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha “dhe sunetin e prijësve të drejtë e të udhëzuar” që ta dimë se qëndrueshmëria në Sunet ka nevojë për kuptimin e sahabëve. Jo çdokush që lexon një hadith e kupton atë në formën e saktë, porse kuptimi i saktë është kuptimi i shokëve të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pastaj Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem sqaroi se kundërshtimi i asaj në të cilën kanë qenë sahabët radijAllahu anhu është rruga e humbjes, duke thënë: “E kini kujdes nga çështjet e shpikura”. E ato janë çështjet të cilat u shpikën pas sahabëve radijAllahu anhu, të cilat e përcajnë umetin në grupacione, “sepse çdo risi (bidat) është humbje.

“Usulu Ehlis-Sunneh Hidajetun ue Emanun”

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Shënon Ahmedi (17142), Ebu Daudi (4607), Tirmidhiu (2676), Ibën Madhe (42, 43 dhe 44) dhe Bejhakiu në “Es-Sunenu El-Kubra” (20338) dhe teksti është i tij. Tirmidhiu ka thënë: “Hasen Sahih”. Hadithin e ka konsideruar të saktë (sahih) Shejh Albani në “El-Irvau” (2455)