Rëndësia e Namazit

September 11, 2007

Dobia e tretë:

Shtylla më e rëndësishme pas dëshmisë është namazi. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka cilësuar atë si shtyllë të Islamit, siç është transmetuar në hadithin e Muadh bin Xhebelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Gjithashtu, namazi është gjëja e fundit që do humbasin muslimanët, puna e parë për të cilën do të pyeten përpara Allahut të Madhëruar dhe ai e dallon muslimanin nga jomuslimani.[1]

Për të treguar më shumë rëndësinë e namazit, mund të themi se Allahu i Madhëruar i ka obliguar këto namaze natën e israsë dhe miraxhit, kur Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është ngjitur mbi shtatë qiejt. Gjithashtu, kur banorët e zjarrit pyeten se cili ishte shkaku i hyrjes së tyre në Sekar (xhehenem) përgjigjen: ”Ne nuk ishim nga ata që falnin namazin.”[2]

Namazi është vepër që largon nga të neveriturat dhe veset e këqija. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”E ti fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga gjërat e shëmtuara dhe të neveritura.”[3]

Porosia e fundit me të cilën Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e porositi umetin e tij ishte namazi. Është transmetuar nga Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: ”Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në sëmundjen e rëndë për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!” Këto fjalë përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Ndërsa Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ”Porosia më përmbledhëse që la Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në çastet kur po jepte shpirt ishte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat!” Gjithashtu, Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ”Fjalët e fundit të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat”.[4]

Allahu i Madhëruar kur përmend virtytet e besimtarëve në suren El Muminun dhe El Mearixh fillon dhe mbaron me namazin. Suren El Muminun e fillon: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur dhe të kujdesshëm.“[5] Ndërsa në fund thotë: ”Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.”[6] Gjithashtu, në suren El Mearixh thotë: ”Përveç atyre që falen, ata të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.” Ndërsa në fund të ajeteve thotë: ”Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.”[7]

Kryerja e namazit bëhet në dy mënyra. Mënyra e parë është e detyrueshme dhe do të thotë, të realizosh të paktën detyrimin, i cili largon nga ti përgjegjësinë dhe llogarinë. Mënyra e dytë është e pëlqyeshme (mustehab) dhe do të thotë, plotësimi i tij me çdo gjë që është e pëlqyeshme në namaz. Pesë namazet janë detyrë për çdo person mendërisht i shëndoshë, që ka arritur moshën e pjekurisë, qoftë mashkull apo femër. Kjo detyrë është derisa të ekzistojë shpirti në trupin e tij.

Për burrat është detyrë që namazin ta falin në xhami me muslimanët e tjerë, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

Betohem në Allahun, isha gati të urdhëroja disa njerëz që të mblidhnin dru zjarri dhe të urdhëroja ndonjë të bënte thirrjen për namaz. Të lija një njeri të ju printe njerëzve në namaz, pastaj të nisesha tek ata njerëz që nuk marrin pjesë në namaz me muslimanët e tjerë dhe më pas do dëshiroja t’iu djeg shtëpitë (për shkak të faljes së namazit në to dhe mosardhjes në xhami)”. [8]

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

Namazi më i vështirë për munafikët (hipokritët, dyfytyrëshit) është ai i sabahut dhe jacisë. Sikur ata ta dinin vlerën e tyre, do të vinin zvarrë (për ta falur në xhami). Isha gati të urdhëroja ndonjë nga muslimanët që të bënte thirrjen për namaz dhe një tjetër ta lija imam për njerëzit, ndërkohë unë do doja të shkoja me disa burra që të digjnim shtëpitë e atyre që nuk marrin pjesë në namazin me xhemat”. [9]

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë:

“Kush dëshiron që pas vdekjes ta takojë Allahun si musliman, atëherë le të kujdeset për namazin e tij. Me të vërtetë Allahu e ka urdhëruar Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ndjekë rrugët e udhëzimit, aq sa bëri që dhe namazi të përfshihet në këto rrugë. Prandaj, nëse ndonjë nga ju falet në shtëpinë e tij, ashtu siç falen disa të papërgjegjshëm, atëherë do të linit udhëzimin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse lini udhëzimin e tij, do të humbisni. Çdo njeri që merr abdes në shtëpinë e tij, duke e përsosur atë dhe pastaj niset në xhami për t’u falur me xhemat, atëherë për çdo hap që ai hedh, Allahu do t’i japë një të mirë, do t’i ngrejë një gradë dhe do t’i fshijë një të metë. Unë e kam jetuar atë kohë kur në namazin me xhemat nuk mungonte vetëm se ndonjë munafik, i cili njihej për hipokrizinë e tij. Madje në atë kohë kishte burra që nga pamundësia e tyre për të ecur, i sillnin në xhami për krahësh, derisa i vendosnin në saf (rreshti për tu falur)”. [10]

Gjithashtu, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë:

“Erdhi një burrë i verbër te Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: ”O i Dërguari i Allahut! Unë nuk kam udhërrëfyes të më tregojë rrugën për në xhami dhe kërkoi ta lejonte të falej në shtëpi. Profeti në fillim e lejoi, por kur i verbëri po largohej, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e thirri dhe i tha: “A e dëgjon thirrjen e ezanit për namaz?” Tha: “Po.” Atëherë Profeti i thotë: “Përgjigju thirrjes!” [11]

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kur nuk shihnim (mungonte) ndonjë në namazin e jacisë ose të sabahut, krijonim mendim të keq për të”. [12]

Për të vërtetuar më shumë obligimin e namazit me xhemat, ekzistojnë shumë ajete kuranore dhe tekste hadithi, të cilat tregojnë për faljen me xhemat edhe në kohën e luftës. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ti gjendesh me ata për të falur namazin, atëherë një grup prej tyre të vijë të falet me ty.“[13] Gjithashtu, janë transmetuar shumë hadithe të cilat tregojnë për faljen e namazit të frikës në mënyra të ndryshme.

Shkëputur nga libri “Erdhi t’ju mësoj fenë tuaj” faqe: 27-31 me autor Abdulmuhsin el- Abad. Përktheu Fatjon Isufi.

Fundshënime:

  1. Për më tepër shih në “Sahihun” e Muslimit hadithin me nr. 134; gjithashtu “Serinë e haditheve të sakta” të shejh Albanit (Allahu i mëshiroftë!) me nr. 1739,1358,1748.
  2. Suretu Mudethir, 43.
  3. Suretu Ankebut, 45.
  4. Të gjitha këto hadithe që përmendëm janë të sakta, të transmetuara nga Ibën Maxheh me nr. 1625, 2697, 2698, etj.
  5. Suretu Muminun, 1-2.
  6. Suretu Muminun, 9.
  7. Suretu Mearixh, 22- 23,34.
  8. Transmetuan Buhariu, nr. 644 dhe Muslimi, nr. 651 nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
  9. Transmeton Buhariu, nr. 657 dhe Muslimi, nr. 651.
  10. Transmeton Muslimi, nr. 654.
  11. Transmeton Muslimi, nr. 653.
  12. Transmeton Hakimi në Mustedrek, vëll. I, f. 211 dhe ka thënë se hadithi është i saktë. Me këtë mendim është edhe Dhehebiu.
  13. Suretu Nisa, 102.
Loading...