Me ajetet e agjërimit

June 25, 2014

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit).” |Suretu El-Bekare: 183|

“Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani udhëzim për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër. Këdo që e gjen ky muaj le ta agjërojë atë.” |Suretu El-Bekare: 185|

Këto ajete i kanë zbritur Profetit alejhis selam në vitin e dytë pas hixhretit dhe me to është bërë detyrë agjërimi i Ramazanit, ndërkohë që para tij kishte zbritur urdhri për namaz në natën e ‘Israsë dhe Mi’raxhit’ tre vite para hixhretit.

Ajeti i parë: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit).” |Suretu El-Bekare: 183|

Ky ajet përmban:

 1- Allahu u thërret besimtarëve.

Allahu i Madhëruar u thërret besimtarëve në emër të besimit, ky emër i cili i veçon nga të tjerët dhe i kujton me deklaratën e shehadetit që kanë bërë para tij. Kjo lloj thirrjeje nuk vjen në këtë mënyrë veçse për një punë të dobishme ose për tu larguar nga një e keqe, siç thotë Abdullah ibn Mesudi radiallahu anhu: “Kur të dëgjosh thirrjen; ‘O ju që keni besuar’ – dëgjoje me vëmendje, sepse ajo është mirësi që po urdhërohesh për të, ose gjë e keqe nga e cila duhet të largohesh.”

Thirrja në emër të besimit përjashton ata që nuk janë në besim, sepse atyre u kërkohet si fillim Islami i cili është kushti i pranimit të punëve të tyre.

Nga kjo thirrje përjashtohet gjithashtu edhe ai që nuk e kupton atë, si i vogli dhe njeriu me të meta mendore, dhe po ashtu edhe ai që nuk ka mundësi ta zbatojë thirrjen si: i sëmuri, plaku i moshuar, gratë shtatzëna dhe gjidhënëset.

2- Thirrja është për agjërim.

Agjërimi është një lloj adhurimi ku njeriu heq dorë përkohësisht nga disa prej qejfeve të kësaj bote, për hir të Allahut të Madhëruar, për të fituar kënaqësinë e Tij dhe për ta depozituar shpërblimin e kësaj sakrifice për ditën kur njerëzit dalin para Allahut për të dhënë llogari. Ky lloj adhurimi është plotësim i rrethit të nënshtrimit të plotë para Allahut të Madhëruar, që bëhet me zemër siç është besimi, me gojë siç është shehadeti dhe përmendja e Allahut, me trup siç është namazi dhe haxhi, me pasuri siç është zekati, me largim nga qejfet e kësaj bote siç është agjërimi, dhe në fund edhe me flijim të shpirtit nëse lipset siç bëri Ibrahimi alejhis selam me të birin e tij.

Kjo gjë na kujton ajetin ku Allahu i Madhëruar i emërton pasuesit e kësaj feje ‘muslimanë’, që do të thotë ‘të dorëzuar’ ndaj Allahut, siç thotë Allahu në Kuran: “O ju që keni besuar, përkuluni në ruku, bini në sexhde, adhurojeni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira që të shpëtoni. Përpiquni me vërtetësi në rrugën e Allahut se Ai ju ka zgjedhur dhe nuk u ka bërë vështirësi në fe.  Ndiqni fenë e babait tuaj Ibrahimit! Allahu u ka emërtuar muslimanë më përpara (në librat e hershëm) dhe në këtë (Kuran).” |Suretu El-Haxh: 77-78|

3- Agjërimi, adhurim që është kërkuar edhe prej popujve të tjerë.

Njësimi i Allahut është e përbashkëta e profetëve, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Nuk kemi dërguar ndonjë profet para teje veçse i kemi shpallur: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Meje, pra më adhuroni!

Përveç njësimit ata kanë pasur edhe të përbashkëta të tjera në disa punë, si namazi dhe agjërimi. Agjërimi është përmendur në këtë ajet kurse namazi është përmendur në historinë e Musës alejhis selam, kur Allahu i thotë atij: “Unë të kam zgjedhur ty prandaj dëgjo me vëmendje se çdo të shpallet. Unë jam Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Meje, prandaj kryeje namazin për përkujtimin Tim.” |Suretu Taha: 13-14|

Mirëpo këto të përbashkëta që kanë lidhje me punët edhe mund të ndryshojnë në mënyrën, kohën, numrin dhe në lehtësinë apo vështirësinë e kryerjes. Prandaj dhe Profeti alejhis selam thotë: “Profetët janë vëllezër nga babai. Feja e tyre është një dhe nënat janë të ndryshme.”

Fjala e tij ‘nënat janë të ndryshme’, do të thotë se rregullat e adhurimit – jo të besimit – mund të ndryshojnë siç u tha më lart në; mënyrë, kohë, numër, vështirësi etj. Dhe pikërisht këtë gjë ka dashur të sqarojë Allahu në Kuran kur ka thënë: “Secilit prej tyre (profetëve) i kemi bërë ligje dhe rregulla (të veçanta).

Ngjasimi në agjërim është – siç thonë shumë komentues të Kuranit – agjërimi i tre ditëve në çdo muaj, i cili ka qenë detyrë që nga Ademi e deri te Profeti ynë, gjë e cila u anulua me vonë kur u bë detyrë agjërimi i Ramazanit por që vazhdon të jetë e pëlqyeshme dhe jo detyrë.

Është thënë gjithashtu se ngjasimi në agjërim është në vetë Ramazanin. Es-Sudij (një prej komentuesve të Kuranit që ka vdekur më 127 h) thotë: “Ju vështirësua të krishterëve agjërimi i Ramazanit sepse binte edhe në dimër edhe në verë, dhe kur ndodhi kjo gjë ranë dakord ta fiksojnë agjërimin e tyre në stinën mes dimrit dhe verës. Ata vendosën të shtojnë edhe njëzet ditë si shlyerje për ndryshimin.” Diçka të përafërt me këtë që u tha është treguar edhe nga Shabiu.

Ndërsa prej ndryshimeve në agjërim është syfyri, siç thotë Profeti alejhi selam: “Ndryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ehli kitabit është syfyri.”

Pra agjërimi i tyre ishte pa syfyr; nga iftari në iftar, gjë e cila ka qenë edhe tek ne në fillim të Islamit por që u anulua dhe u bë nga agimi në perëndim, ose nga syfyri në iftar.

Po ashtu edhe iftari nuk ka qenë në të njëjtën kohë me ne, siç thotë Profeti alejhi selam: “Feja do vazhdojë të jetë e dukshme (pjesë e jetës së njerëzve) derisa njerëzit ta shpejtojnë iftarin (ta çelin menjëherë pas perëndimit), sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë.”

Sot çifutët dhe të krishterët agjërojnë (abstenojnë) ndaj disa lloje ushqimesh dhe jo ndalim të plotë nga ngrënia dhe pirja. A është edhe kjo prej ndryshimeve që i ka bërë Allahu në rregulla apo prej ndryshimeve të tyre? Këtë vetëm Allahu e di më së miri.

4- Nga agjërimi rrjedh devotshmëria.

Agjërimi është nënshtrim i shpirtit duke e frenuar atë nga disa dëshira dhe kjo bën që njeriu ta ketë nën kontroll shpirtin e tij, dhe s’ka dyshim se njeriu është i prirur për të rendur pas qejfeve të kësaj bote siç thotë Allahu në Kuran:

Është zbukuruar për njerëzit rendja pas qejfeve; pas grave, fëmijëve, depove të floririt dhe të argjendit, kuajve për tu shaluar, bagëtive dhe të mbjellave. Ato janë plaçkë e kësaj bote dhe te Allahu është kthimi i mirë.

Rendja e pa kontrolluar me rregullat e Allahut të le bosh në ahiret, siç thotë Allahu në Kuran: “Dijeni se jeta e dynjasë është lojë, argëtim, mburrje, konkurrim në pasuri dhe fëmijë. Si puna e shiut i cili i gëzon bujqit me bimët që dalin, pastaj ato thahen, zverdhen dhe copëtohen. Në ahiret ka dënim të ashpër dhe falje prej Allahut. Nuk është jeta e dynjasë veçse përjetim mashtrues.

Atëherë agjëruesi – duke vënë nën kontroll qejfet dhe dëshirat e tij – arrin dy gjëra: shton vullnetin për punë të mira të cilat kanë vlerë tek Allahu dhe mposht dëshirën për punë të liga, kjo është kuptimi i devotshmërisë që ka dashur Allahu. Devotshmëri do të thotë të bësh mes teje dhe asaj pune që zëmëron Allahun një mburojë, dhe kjo nuk mund të ndodhë veçse me kryerjen e detyrave dhe largimin nga të ndaluarat, siç thoshte Umer bin Abdulaziz: “Devotshmëria është të lësh atë që ka ndaluar Allahu dhe të bësh atë që të ka urdhëruar Allahu.”

 Ajeti i dytë: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani, udhëzim për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër. Këdo që e gjen ky muaj le ta agjërojë atë.” |Suretu El-Bakara: 185|

Ky ajet përmban:

 1- Ramazani është një prej muajve të kalendarit hënor, sipas ndarjes së kohës në librin e Allahut.

Muaji i Ramazanit është i vetmi muaj hënor i përmendur në Kuran dhe është një prej 12 muajve që përbëjnë 12 cikle hënore (mbushje-zbrazje), sipas të cilave ndahet koha te Allahu.

Allahu thotë në Kuran: “Numri i muajve te Allahu është 12 muaj në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, pra mos i bëni në to zullum vetes tuaj.” |Suratu Et-Teube: 36|

Muajt hënorë janë: Muharrem, Safer, Rabi-ul-Euuel, Rabi-ul-Akhir, Xhumade El-Ula, Xhumade el-Ukhra, Rexhep, Shaban, Ramazan, Sheuual, Dhul-Kade, Dhul-Hixhxhe.

Llogaritja e këtyre muajve bëhet me hënën, ku çdo muaj ka 29 ose 30 ditë, një cikël i plotë hënor mbushje-zbrazje. Profeti alejhi selam në një hadith të transmetuar nga Ibn Umeri thotë: “Ne jemi umet analfabet, nuk lexojmë dhe as llogarisim. Muaji është kështu, kështu dhe kështu – duke bërë me gishta një herë 29 dhe një herë 30.” E transmeton Buhariu.

Hyrja në Ramazan bëhet si në çdo muaj tjetër, pra me shikimin e hënës, siç thotë Profeti alejhi selam në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra radiallahu anhu: “Agjëroni kur ta shihni hënën dhe çeleni (ndërpriteni agjërimin) kur ta shihni atë. Nëse retë ju pengojnë atëherë plotësojeni Shabanin 30 ditë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith përmban dy rregulla në lidhje me hyrjen në Ramazan:

a- Agjërimi duhet të jetë me shikimin e hënës me sy dhe po ashtu edhe çelja, sepse Profeti alejhi selam thotë: “Agjëroni kur ta shihni hënën dhe çeleni kur ta shihni atë!” Kjo tregon se përjashtohet mënyra tjetër që nuk bazohet në shikimin e saj por në llogaritje astronomike. Sheihu islam Ibn Tejmije thotë: Nuk njihet ndonjë kundërshtim i hershëm në këtë çështje veçse pas 100 vjeçarit të tretë të këtij umeti.

b- Agjërimi i muslimanëve duhet të jetë i përbashkët, sepse Profeti alejhi selam u drejtohet myslimanëve në shumës ‘agjëroni’. Kjo tregon se përjashtohen mendimet që thonë se çdo vend duhet të ecë me shikimin e tij të hënës. Shejhul islam ibn Tejmije thotë: “Rregulli i përfituar nga ky hadith është se kujt i mbërrin lajmi duhet të agjërojë.”

Mund të pyesë dikush se pse në hadithin e Kureibit, Ibn Abasi – radiallahu anhu – nuk punoi me shikimin e Muavijes – radiallahu anhu?

Le të përmendim si fillim hadithin e plotë për të parë ku qëndron problemi, pastaj t’i japim përgjigje pyetjes:

Kurejbi – një tabiin – e kishte dërguar atë një sahabie që quhet Ummul Fadl bint El-Harith për tek Muavija në Sham para Ramazanit. Ai thotë: “Mbërrita në Sham dhe pasi kreva nevojat e mia më zuri atje Ramazani dhe e pashë hënën natën e xhuma. Kur mbërrita në Medine në fundin e muajit, Abdullah bin Abasi më pyeti për udhëtimin dhe në fund përmendi hënën dhe më tha: ‘E patë hënën?’ I thashë: ‘E pamë natën e xhuma.’ Ai më tha: ‘Ti vetë e pe?’ – ‘Po, dhe e panë edhe të tjerët dhe agjëruan dhe agjëroi edhe Muavija.’ Ai më tha: ‘Por ne e kemi parë natën e shtunë dhe do të vazhdojmë të agjërojmë derisa të plotësojmë 30 ditë ose derisa të shohim hënën.’ I thashë: ‘Nuk të mjafton shikimi i Muavijes dhe agjërimi i tij?’ Ai më tha: Jo. Kështu na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.” E transmeton Muslimi.

Shejh El-Albani – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me përgjigjen e pyetjes tonë thotë: “Hadithi i Ibn Abasit ka ardhur për atë njeri që e ka nisur Ramazanin me shikimin e tij, dhe gjatë Ramazanit lajmërohet se në një vend tjetër e kanë parë hënën një ditë përpara. Atëherë në këtë rast ai vazhdon të agjërojë me banorët e vendit të tij derisa të plotësojnë muajin 30 ditë ose derisa ta shohin hënën përpara plotësimit të tij. Kështu mbetet hadithi i Ebu Hurejres në përgjithësimin e tij, duke përfshirë çdo njeri që i mbërrin lajmi se hëna është parë në një vend. Kjo gjë sot është e lehtë por kërkon interesimin e vendeve islame që të bëhet realitet. Tani, derisa shtetet islame të bien dakord për këtë gjë (që të mjaftohen me shikimin e njërit vend), atëherë e shoh që çdo popull të agjërojë me shtetin e tij dhe të mos përçahen.”

Fakt për atë se njerëzit e një vendi nuk duhet të ndahen në agjërim dhe në çelje, është edhe një hadith tjetër i transmetuar nga Ebu Hurejra – radiallahu anhu – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Agjërimi është atë ditë kur agjërojnë njerëzit, çelja është atë ditë kur çelin njerëzit dhe kurbani është atë ditë kur bëjnë kurban njerëzit.”  E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.

Tirmidhiu thotë në kuptimin e këtij hadithi se disa dijetarë e kanë shpjeguar këtë hadith dhe kanë thënë: Kuptimi i tij është se agjërimi dhe çelja bëhen me bashkësinë e njerëzve.

Po ashtu edhe Aishja radiallahu anha e këshillon një tabiin që quhet Mesruk për të njëjtën gjë. Mesruku thotë: “Shkova te Aishja ditën e Arafatit (duke qenë pa agjërim) dhe ajo radiallahu anha tha: Jepini Mesrukut seuik (një lloj ushqimi i lëngshëm) dhe bëjani të ëmbël. Mesruku i thotë: Nuk më pengoi gjë të agjëroj sot veçse frika se mos është dita e kurbanit. Aishja i thotë: Kurbani është atë ditë kur njerëzit bëjnë kurban, dhe çelje është atë ditë kur njerëzit çelin.” E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.

Një tjetër çështje që të çon në të njëjtin përfundim: Në çeljen e Ramazanit kur kemi vetëm një dëshmitar që ka parë hënën dhe nuk plotësohen dy, atëherë njerëzit do të agjërojnë që të plotësojnë muajin 30 ditë. PO shikuesi i hënës çfarë duhet të bëjë, ta çelë vetëm apo të agjërojë me njerëzit?

Përgjigja nga Shejhul islam Ibn Tejmije: “Ai që e ka parë hënën i vetëm nuk duhet ta çelë Ramazanin në publik dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë dijetarët. Por, a i lejohet ta çelë fshehurazi? Ka dy mendime mes dijetarëve, më i sakti prej tyre është se nuk duhet ta çelë fshehurazi.”

Pra, të agjërojë atë ditë me njerëzit që të bëjë Bajram me ta ditën tjetër.

2- Zbritja e Kuranit në Ramazan.

Ky ajet na lajmëron se zbritja e Kuranit është bërë në Ramazan dhe këtë gjë e sqaron më tepër Ibn Abasi – radiallahu anhu – i cili thotë: “Allahu e ka zbritur të gjithë Kuranin në Ramazan në qiellin e dynjasë në Bejtul-izzeh (shtëpia e krenarisë, Qabja e qiellit të dynjasë), pastaj prej aty ka zbritur pjesë-pjesë (deri në fund të jetës së Profetit alejhi selam).” Pra, zbritja në këtë ajet është bërë nga Leuhi Mahfudhi për në Bejtul-Izzeh.

Në të vërtetë ky muaj është edhe muaji i zbritjes së librave të tjerë, siç tregon Uathile bin Usku’ radiallahu anhu se Profeti alejhi selam ka thënë: “Kanë zbritur fletushkat e Ibrahimit në natën e parë të Ramazanit, ka zbritur Teurati pasi kanë kaluar gjashtë netë nga Ramazani, Inxhili pasi kanë kaluar trembëdhjetë netë nga Ramazani, dhe ka zbritur Kurani pasi kanë kaluar njëzet e katër netë nga Ramazani.” E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

3- Disa cilësi të Kuranit.

Ky ajet përmban tre cilësi të Kuranit:

a- Udhëzues i njerëzve për në rrugë të drejtë.

b- Qartësues i rrugës së drejtë.

c- Dallim i rrugës së drejtë nga rruga e shtrembër e humbjes.

Kush lexon Kuranin do të gjejë në të  përgjigjet e pyetjeve: Kush është njeriu? Përse është njeriu në këtë botë? Ç’rrugë duhet të ndjekë njeriu në këtë botë? Kur të mbërrijë në fund të rrugës çfarë ka për të gjetur atje?  Ndërsa kush nuk ulet me të nuk ka për t’i njohur kurrë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Pra, kush ulet me Kuranin nuk ka për tu ngritur i hutuar dhe as nga rruga e drejtë i larguar, por i udhëzuar dhe për çdo gjë që i duhet i mirinformuar.

4- Caktimi i Ramazanit si muaji i agjërimit për të kujtuar mirësinë e zbritjes së Kuranit.

Allahu i Madhëruar e përfundon ajetin me urdhërin për agjërim, pas një parathënie të gjatë. Lind pyetja: Përse gjithë ajo parathënie?!

Përgjigjja është se Allahu sikur do të thotë: Zbritja e Kuranit është mirësia më e madhe që ju kam bërë, sepse në të është udhëzimi, qartësimi i rrugës së drejtë dhe dallimi mes të vërtetës dhe të kotës. Prandaj agjërojeni këtë muaj – mes gjithë muajve të vitit – për ta kujtuar këtë mirësi.

Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin! Lutja jonë e fundit është: Falenderimi dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të botëve!

Loading...