Rregullat e gjykimit ndaj njerëzve – 1 التكفير و ضوابطه

March 9, 2012

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të Dërguarin e Tij Muhamedin, me familjen e shokët e tij dhe me këdo që ndjek rrugën e tyre deri në Ditën e Shpërblimit.

Kjo temë është e rëndësisë së veçantë. Në të janë zhytur njerëzit në të kaluarën dhe në ditët e sotme. Ajo është delikate dhe e rrezikshme, madje çon në grindje mes njerëzve dhe në përçarjen e umetit.

Kjo temë është “Gjykimi me kufër, bidat dhe fisk[1] pa dije dhe mprehtësi”

Për shkak të rrezikshmërisë së saj dijetarët janë preokupuar shumë me të, shkruan libra për të sqaruar se cilat janë të kundërtat e Islamit dhe shpjeguan gjykimin ndaj atij që bie në gjynahe të mëdha, të cilat nuk janë në gradën e të kundërtave të Islamit. Dijetarët e bënë këtë për të ruajtur umetin nga rrezikshmëritë dhe për të sqaruar të vërtetën nga e kota në këtë fushë. Për të mos folur në të dikush që nuk kupton, apo të përfshihet në të dikush që nuk i njeh rregullat dhe bazat e saj. Por edhe për të mos i lehtësuar këto çështje dikush që nuk ka aspak xhelozi për fenë e Allahut, duke përzier me këtë fe besimet e kota dhe rrugët e humbura, e në këtë mënyrë bashkohet e vërteta me të kotën, llogaritet prej umetit dikush që nuk është prej tij dhe hyjnë në fenë e Allahut gjëra që nuk janë prej saj.

Në këtë fushë nuk lejohet të flasë dikush që nuk ka dije, njohuri, mprehtësi e pjekuri. Nuk gjykohet ndaj ndokujt me kufër veçse ndaj atyre që ka gjykuar për ta Allahu dhe i Dërguari i Tij, për shkak se mund të ketë rënë në ndonjërën prej të kundërtave të Islamit për të cilat ka ixhma ndërmjet dijetarëve. Prandaj është detyrë për muslimanin që të mësojë para se të flasë, e të mos flasë veçse me dije, sepse përndryshe, nëse gjykon ndaj një muslimani me kufër, atëherë ka bërë dy krime të mëdha, njëri më i madh se tjetri:

I pari : Ka folur ndaj Allahut pa dije; Allahu i Madhëruar ka thënë : “E kush është më zullumqar se ai që trillon ndaj Allahut gënjeshtra?!”[2]. Dhe ka thënë : “Thuaj : S’ka dyshim se Zoti im i ka ndaluar të këqiat qofshin ato të dukshme apo të fshehta, e po ashtu ka ndaluar gjynahun, padrejtësinë, t’i bëni ortak Allahut diçka për të cilën nuk ka zbritur argument dhe të thoni ndaj Allahut atë që nuk e dini”[3]. Pra e ka konsideruar fjalën ndaj Allahut pa dije më të keqe se shirkun, sepse e ka përmendur pas shirkut. Allahu i Madhëruar ka thënë : “E mos thuaj atë gjë për të cilën nuk ke dije sepse dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto do të jepet llogari”[4]. Prandaj është detyrë për njeriun që të mësojë para se të flasë, sepse dija duhet para fjalës dhe veprës. Allahu i Madhëruar thotë : “Dije se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe kërko falje për gjynahet e tua dhe për besimtarët e besimtaret”[5]. Pra tregon se dija duhet para fjalës dhe punës. Fjala që nuk është ndërtuar mbi dije, sidomos në çështjet e fesë, e veçanërisht në akide, është fjalë e kotë, madje shpifje e trillim ndaj Allahut të Lartësuar. Ky ishte krimi i parë; pra të folurit ndaj Allahut pa pasur dije!

I dyti : Me këtë veprim ka bërë një krim ndaj këtij muslimani ndaj të cilit ka gjykuar se është qafir dhe e ka nxjerrë prej Islamit. Mbi këtë gjykim renditen një sërë çështjesh, prej tyre është se gruaja e tij duhet të ndahet prej tij e të mos qëndrojë me të, ai nuk trashëgon dhe as trashëgohet. Nëse vdes, as nuk lahet, as nuk qefinoset, as nuk i falet namazi, as nuk bëhet dua për të e as nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Ai që ka gjykuar për të se është qafir ka përgjegjësi për të gjitha këto, sepse janë pasoja të fjalës së tij. Prandaj duhet të mësojë njeriu se cilat janë veprimet, rezultat i të cilave është mohimi dhe dezertimi nga Islami. Duhet të mësojë e të mos flasë me injorancë. Të mos mendojë se kushdo që e kundërshton në mendimet e tij quhet qafir, sepse nuk del nga Islami veçse ai për të cilin ka gjykuar Libri i Allahut, Suneti i Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) dhe ixhmai[6] i muslimanëve.

Por, dija për këto çështje nga merret?! A merret prej leximit dhe prej mësimit përmendësh të teksteve?! Jo, dija nuk merret veçse nga dijetarët, nga dijetarët edukatorë të thelluar në dije, jo nga leximi i librave, as nga mësimi përmendësh i teksteve, edhe nëse tekstet e mësuara përmendësh mund të jenë të shumta, sepse jo çdokush që mëson përmendësh qoftë Kuranin ashtu edhe hadithe të shumta, bëhet dijetar! I tilli nuk është dijetar. Dijetar është fakihu dhe dija është të kuptosh drejt fenë e Allahut të Madhëruar. Kjo nuk arrihet veçse duke e marrë dijen prej fukahave dhe dijetarëve të cilët i shpjegojnë këtij personi kuptimin e drejtë të teksteve të cilat i ka mësuar përmendësh, sepse përndryshe ai mund të kuptojë gjëra që nuk kanë lidhje me Librin e Allahut apo Sunetin  e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), e nëse do të përballej me kuptimin e dijetarëve do të shikonte se kuptimi i tij ishte i shtrembër dhe se ka gabuar në imazhin e tij. Ai duhet të kthehej tek dijetarët e të merrte dijen e dobishme prej tyre, në mënyrë që të ishte i qartë dhe i sigurtë në gjërat që thotë, që punon dhe që gjykon me to.

Nëse mëson, do ti jepet sukses në fenë e Allahut, në mënyrë që të njohë të kundërtat e Islamit dhe se çfarë gjërash e nxjerrin personin nga feja.

Mëson se, para se të gjykojë për një person duke e quajtur atë qafir, apo mushrik, apo ta nxjerrë atë nga feja, duhet që të sigurohet për gjendjen e personit dhe se a përputhet ky gjykim me të apo jo?! Pra duhet të sigurohet.

Një grup Sahabësh (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) dolën në një udhëtim. Kaloi para tyre një burrë që po ngiste bagëtitë e tij dhe u tha : Es-Selamu alejkum! Atëherë Sahabët u hodhën kundër tij dhe e vranë duke menduar se është qafir dhe morën bagëtitë e tij. Pra, u nxituan në këtë gjykim dhe Allahu i Madhëruar zbriti mbi të Dërguarin e Tij fjalën : “O ju që keni besuar, kur të marshoni për në rrugë të Allahut (për në luftë) të jeni të matur (të mos nguteni) dhe atij që ju përshëndet me selam mos i thoni “Nuk je besimtar!” duke kërkuar kështu mjete (mallra) të jetës së kësaj bote, sepse tek Allahu janë janë begatitë e mëdha. Ashtu (jobesimtarë) ishit edhe ju më parë, e Allahu ju dhuroi (besimin), pra sigurohuni mirë! Allahu e di në hollësi çka punoni”[7]

Pra, i qortoi ata Allahu i Madhëruar edhe pse ishin Sahabët e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), pasi ata u nxituan në veprimin e tyre. Prandaj është detyrë të siguruarit e të mos nxituarit në gjykim ndaj njerëzve veçse me njohuri.

Një grup i Sahabëve gjendeshin në një luftë. Me ta ishte edhe Usame ibnu Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me babain e tij), i dashuri i të Dërguarit të Allahut dhe i biri i të dashurit të tij! Ndodhi përleshje mes muslimanëve dhe mushrikëve. Njëri prej armiqve deshi të largohej, por e ndoqi atë Usama dhe një tjetër prej ensarëve, duke dashur që ta vrisnin. Kur iu afruan, mushriku tha “La ilahe il-lAllah” pra “S’meriton të adhurohet me të drejtë veçse Allahu”! Kur tha këtë fjalë, ensari u përmbajt dhe u tërhoq prapa, ndërsa Usama mendoi se ai e tha këtë që të ruhej prej vdekjes së sigurtë, prandaj e vrau! Kur erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) dhe i tregoi ngjarjen, ai i tha : “E vrave atë pasi që tha La ilahe il-lAllah?! Çdo të bësh me këtë fjalë kur të vijë ditën e gjykimit?!” Ia përsëriti “E vrave atë pasi që tha La ilahe il-lAllah?! E për së treti “E vrave atë pasi që tha La ilahe il-lAllah?! Usama (Allahu qoftë i kënaqur me të) iu përgjigj : O i Dërguar i Allahut, ai e tha këtë fjalë për t’u ruajtur nga shpata!” Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) i tha : “A mos i hape zemrën që të shikoje se ai e tha atë fjalë për t’u ruajtur?! Çdo të bësh me fjalën La ilahe il-lAllah kur të vijë ditën e gjykimit?!” Thotë Usama (Allahu qoftë i kënaqur me të) : “Dëshirova që të mos isha bërë musliman deri në atë çast”[8] Kjo, për shkak të qortimit të rëndë që i bëri Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të).

Kjo ndodhi na tregon qartë se duhet të sigurohemi në këto çështje dhe të mos nxitohemi në gjykim ndaj të tjerëve. Gjykimi duhet të ndërtohet mbi dije dhe mbi njohuri të plotë mbi gjendjen e personit, sepse nëse dikush shfaq Islamin dhe thotë dy dëshmitë, atëherë duhet të përbmahemi në lidhje me të, ashtu siç tregon kjo ndodhi e rëndësishme. Veçse nëse ai vepron diçka që e kundërshton Islamin si p.sh : t’i bëjë shirk Allahut, apo t’i lutet dikujt tjetër veç Atij, apo të veprojë ndonjë prej të kundërtave të Islamit, veçse atëherë gjykohet ndaj tij se ka dezertuar. Për sa kohë që nuk është shfaqur prej tij diçka që bie ndesh me bazat e Islamit atëherë, mendojmë mirë për të dhe gjykojmë se ai është musliman.

Edhe nëse shfaqet prej tij ndonjë vepër e keqe që në vetvete nuk është mohim apo shirk, por është vetëm gjynah, përsëri nuk gjykojmë për të se ka dalë nga Islami, sepse ai nuk ka vepruar diçka që bie ndesh me të dhe as është prej të kundërtave të tij. Madje edhe në këtë rast, duhet që të mos ketë ndonjë arsye që na ndalon për ta quajtur atë qafir, sepse mund të jetë injorant, apo mund të jetë i ri në Islam dhe nuk e di se vepra që bën është kufër.

Pas çlirimit të Mekes, Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) doli për në luftën e Hunejnit dhe bashkë me të dolën edhe shumë njerëz nga Meka që sapo kishin pranuar Islamin, prej tyre ka qenë edhe Ebu Uakid El Lejthij (Allahu qoftë i kënaqur me të). Këta të rinj panë se si mushrikët kishin zgjedhur një pemë për të qëndruar tek ajo dhe për të varur në të armët e tyre, me qëllim që të merrnin bereqet prej saj. Grupi i Sahabëve që sapo kishin hyrë në Islam i thanë Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) : “O i Dërguari i Allahut, na zgjidh edhe neve një pemë të tillë ashtu siç kanë ata!” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) nuk i quajti ata qafira, për shkak të injorancës së tyre, por tha : “Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, janë të njëjtat rrugë që ndiqen! Betohem në Atë që ka në dorë veten time se ju thatë ashtu siç i thanë beni israilët Musës : “Na bëj edhe ne një zot ashtu siç ata kanë një të tillë! Tha – Ju jeni popull injorant[9][10].

Profeti  (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) i qortoi ata dhe u tregoi se fjala e tyre ishte e ngjashme me atë të beni israilëve, por ngaqë ishin të rinj në Islam dhe nuk e dinin gjykimin për atë çështje, ai vetëm i sqaroi ata se këto fjalë janë shirk, dhe nuk gjykoi për ta se u bënë qafira, për shkak të injorancës së tyre. Prandaj kushdo që është i ri në fe dhe nuk ka pasur rast për të mësuar rregullat e Islamit, çfarëdo që të veprojë, qoftë edhe shirk apo kufër, nuk nxirret nga Islami, por atij i sqarohen të kundërtat e kësaj feje, derisa t’i kuptojë ato. Nëse më pas këmbëngul në veprimet e tij, atëherë gjykohet ndaj tij se ka dalë nga Islami.

Këto çështje janë të rëndësishme dhe duhet maturi në to,  sepse ndoshta ai që lëshon gjykime ndaj të tjerëve duke i quajtur ata qafira, mund të jetë injorant dhe rrjedhimisht edhe gjykimet e tij janë të bazuara mbi injorancën e tij. Kështu, edhe ai ndaj të cilit është gjykuar mund të jetë injorant dhe nuk e meriton atë gjykim derisa çështjet t’i sqarohen në mënyrë të mirfilltë. Pra këto çështje janë delikate dhe duhet në to siguri dhe pjekuri. Duhet kthyer tek dijetarët dhe duhen pyetur ata si për veprën, ashtu edhe për personin. Si mund të gjykojë dikush ndaj njerëzve në mënyrë të tillë pasi dihet se nuk i takon askujt prej nxënësve fillestarë e as lexuesve, që të gjykojnë muslimanët e t’i nxjerrin ata prej fesë duke ditur se as vetë nuk i njohin të kundërtat e Islamit?! Prandaj kjo çështje është shumë e rrezikshme.

Është detyrë për këdo që ka rënë në gabime të tilla të pendohet tek Allahu i Madhëruar dhe të frenojë gjuhën e tij nga të bërit njerëzit qafira. Të mësojë para se të flasë dhe të pyes dijetarët. Këto çështje hulumtohen, studjohet gjendja e personit se a është i justifikuar apo jo, shtjellohen të gjitha rrethanat dhe pastaj gjykohet për të! Por të gjitha këto kanë nevojë për kuptueshmëri të mirëfilltë të fesë!

Të vrasësh një person është krim i rëndë, por ky krim është më i lehtë sesa të gjykosh për të se është qafir.

Vrasja e besimtarit është kërcënuar ashpërsisht nga Allahu i Madhëruar që thotë : “Ai i cili vret një besimtar me vetëdije do të ketë si shpërblim Xhehenemin, përgjithmonë do të jetë në të, Allahu është zemëruar me të, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të tmerrshëm”[11]

Kjo është shenjtëria e gjakut të muslimanit, ndërsa shenjtëria e fesë së tij është më e madhe tek Allahu, prandaj nxjerrja prej feje është më e keqe se vrasja e tij. Nëse i merr gjithë pasurinë, kjo është haram; ka thënë Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) : “S’ka dyshim se gjaku juaj, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju”[12]. Nëse i merr gjithë pasurinë padrejtësisht është më e lehtë sesa të gjykosh për të se është qafir dhe se ka dezertuar, nëse ai nuk e meriton këtë. Dije se nëse ti gjykon ndaj një personi se ka mohuar, apo ka dezertuar, apo e etiketon atë me fjalët “qafir” apo “munafik”, “armik i Allahut” e ai nuk i meriton këto, atëherë këto fjalë të kthehen ty, siç është transmetuar në hadith se : “Nëse dikush i thotë vëllait të tij : – “o qafir”, apo ” o  munafik” apo “i pistë” apo “armik i Allahut” e ai nuk është ashtu, atëherë ato fjalë kthehen kundër thënësit”[13].

Pra gjynahu i këtyre fjalëve kthehet tek thënësi i tyre dhe ato nuk e cënojnë aspak të akuzuarin, sepse ai nuk i meriton. Në këtë rast ti bën krim ndaj vetes tënde, prandaj frikësoju Allahut o ti musliman, ruaje gjuhën tënde dhe mos gjyko me kufër për atë që nuk e meriton. Mos u nxito në këtë çështje, por kthehu për të tek dijetarët para se të nxjerrësh gjykimin ndaj dikujt se ka mohuar nëse ai shfaq Islamin.

Të parët që kanë gabuar në këtë çështje duke gjykuar ndaj muslimanëve që janë qafira, kanë qenë hauarixhët! Fitneja e tyre është shfaqur në kohën e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) kur njëri prej tyre erdhi tek Ai dhe e gjeti duke ndarë plaçkën e luftës pas kthimit nga Hunejni. Ai iu drejtua Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) duke i thënë : “O Muhamed, mbaj drejtësi sepse nuk je duke mbajtur!” Ai iu përgjigj : “Mjerë për ty, e kush mund të mbajë drejtësi nëse unë nuk mbaj?!” pastaj tha : “Do të dalin prej këtij lloji, njerëz që do të nënçmoni namazin tuaj përpara namazit të tyre, agjërimin tuaj para agjërimit të tyre, por ata rrëshqasin nga Islami ashtu siç rrëshqet edhe shigjeta nga harku!”[14]

Pra, edhe pse faleshin, agjëronin, lexonin Kuran dhe e kujtonin Allahun shumë, Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) gjykoi për ta se do të rrëshqasin nga feja për shkak se rruga e tyre është të bërit e muslimanëve qafira, pra nxjerrin nga feja ata që nuk e meritojnë të nxirren! Prandaj nëse dikush gjykon me mohim ( kufër) ndaj dikujt që nuk e meriton këtë gjykim, atëherë kjo tregon se gjykuesi është prej hauarixhëve për të cilët Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë : “Kudo që t’i takoni vritini ata, nëse i arrij do t’i vras sikur të vrisja popullin e Adit”[15]

Në hilafetin e Prijësit të besimtarëve Ali ibnu ebi Talibit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) pas përleshjes së tij me banorët e Shamit në Sifijn, banorët e Shamit kërkuan të gjykoheshin, prandaj ngritën Kuranet mbi shtizat e tyre duke dashur të gjykohen tek Kurani. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e quajti këtë veprim dredhi dhe nuk pranoi ofertën e tyre. E kundërshtuan atë hauarixhët të cilët bënin pjesë në ushtrinë e tij dhe i thanë se duhet të frenojnë luftën kundër tyre. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) insistonte se kjo ishte dredhi, por ata e kundërshtuan me forcë se nuk duhet të luftonin! Atëherë u zgjodhën dy prej Sahabëve për të gjykuar për këtë ngatërresë, por, hauarixhët nuk u kënaqën me këtë. Ata ngritën krye kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe e quajtën atë qafir duke i thënë : Ti ngarkove njerëzit për të gjykuar ndërsa Allahu i Madhëruar thotë “Gjykimi i takon vetëm Allahut”[16] Ti vure njerëzit të gjykojnë prandaj je qafir! Gjithashtu gjykuan edhe ndaj Sahabëve të tjerë, madje hoqën dore nga bindja ndaj tij duke e quajtur veten të pavarur dhe u mblodhën në një vend të quajtur Harura!

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) u dërgoi atyre Ibnu Abasin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili ishte edhe djali i xhaxhait të tij, për të diskutuar me ta dhe ai iu përgjigj të gjitha dyshimeve dhe keqkuptimeve të tyre dhe i rrëzoi ato, duke u bërë të qarta gabimet e tyre. U kthyen prej tyre gjashtë mijë, ndërsa shumica qëndroi në rrugën  e tyre të shtrembër duke quajtur qafira Aliun dhe Sahabët e tjerë  (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). Kjo ishte e para shfaqje e tekfirit! Aliu i luftoi ata në vendin e quajtur Nahrauan, ku edhe fitoi ndaj tyre duke i shfarosur ata, e kështu arriti shpërblimin e përmendur nga Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të)!

Hauarixhët vazhdojnë të shfaqen në çdo kohë dhe bëjnë qafira muslimanët, por edhe këta të fundit i kanë luftuar ata sa herë që janë shfaqur e për këtë falenderimi i takon Allahut. U shfaqën në kohën e Muauijes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), në kohën e AbdulMelik ibnu Miruan dhe në kohëra të ndryshme në shtetet Islame. Sa herë që janë shfaqur, muslimanët i kanë luftuar dhe kanë fituar ndaj tyre. Ndërsa ata nuk vrasin qafirat, por vrasin muslimanët, ashtu siç ka treguar për ta Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të): “Luftojnë besimtarët dhe lënë adhuruesit e idhujve”[17]

E tillë është gjendja e hauarixhëve në çdo kohë, prandaj kush ka mendimet e tyre dhe bën qafira muslimanët, bën qafira qeveritarët e muslimanëve, apo bën qafira dijetarët, atëherë themi se ky person është pjesëtar i këtij grupi të humbur që duhen vrarë, por pasi të thërriten për t’u kthyer tek e vërteta. Nëse këmbëngulin në mendimet e tyre atëherë vriten ashtu siç i vrau Ali ibnu ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe të tjerët pas tij.

Ky është një problem i rrezikshëm e i keq, prandaj duhet që muslimani t’i frikësohet Allahut të Madhëruar e të mos gjykojë me kufër apo dezertim nga feja për dikë pa pasur dije e siguri.

Dijetarët nuk quajnë qafira veçse ata që i ka quajtur Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ata që janë të zhytur në dije, të thelluar në të, nuk gjykojnë me kufër veçse për ata që është theksuar dhe qartësuar kufri i tyre në Librin e Allahut të Madhëruar dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të).

Ndërsa injorantët, të nxituarit dhe të vegjëlit që mendojnë se dijnë, gjykimin me kufër ndaj të tjerëve e kanë gjënë më të lehtë, e për këtë them me keqardhje “La haule ue la ku-uete il-la bil-lah”[18] Kushdo që kundërshton mendimet dhe rrugën e tyre gjykojnë ndaj tij me kufër. Kjo është cilësi e keqe dhe e nënçmuar.

Problematika e tekfirit është një rrëshqitje e madhe, prandaj është obligim për këdo që i frikësohet Allahut të Madhëruar, që nëse është injorant, nuk i lejohet të flasë pa dije. Nëse është me dije duhet që të sigurohet e të mos përçapë drejt këtij gjykimi të rrezikshëm, veçse pasi të jetë siguruar në çdo aspekt se ky person apo ky grup ka dalë nga Islami.

Duhet që muslimani të frenojë gjuhën e tij nga kjo çështje e rrezikshme dhe të mos ulet e as të shoqërohet me njerëz që kanë këto cilësi. Të mos shoqërohet me këtë grup të humbur e të rrëshqitur që bëjnë qafira muslimanët, sepse nëse ulet me ta do të ndikohet e do të bëhet si ata, prandaj duhet t’u qëndrojë larg e të ndahet prej tyre.

Në luftën e Tebukut, disa prej hipokritëve filluan të flisnin mes njëri-tjetrit. Ata folën për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) dhe për shokët e tij. Thanë: Nuk kemi parë si këta lexuesit tanë, nuk kemi parë më gënjeshtarë se ata, as më hamësa e as më frikacakë kur takohen me armikun! Pra kishin për qëllim Profetin dhe shokët e tij.  Mes tyre ishte një djalosh që folësit i tha me ashpërsi: Gënjeve, ti je munafik, do të lajmëroj të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) për këtë !

Ky djalosh i kundërshtoi sepse kishte në zemrën e tij besim dhe xhelozi për fenë e Allahut të madhëruar. Shkoi të lajmëronte Profetin (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), por shpallja e kishte paraprirë duke i zbritur Profetit dhe ai u lajmërua për veprimin e atyre personave para se të të arrinte ky djalosh!

Kur zbriti shpallja mbi të, i Dërguari i Allahut urdhëroi që të niseshin e të iknin nga ai vend. Ai i hipi devesë së tij. Munafikët erdhën tek ai për t’u justifikuar e për të kërkuar falje. Ata thoshin: – O i Dërguar i Allahut, ishte vetëm një argëtim për të harruar lodhjen e udhëtimit! Por Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) nuk i përfillte aspak justifikimet e tyre , ndërsa ata vareshin pas samarit të devesë së tij dhe thoshin : – O i Dërguar i Allahut, ishte vetëm një muhabet rruge, lehtësonim me të vështirësitë e udhëtimit! Ai (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) nuk i përfillte ata, por lexonte Fjalën e Allahut të Madhëruar: “E nëse i pyet ata (se pse vepruan ashtu) do të thonë : – Ne vetëm po luanim e argëtoheshim! Thuaj: – A me Allahun, me argumentet e Tij dhe me të Dërguarin e Tij ishit duke u tallur?! Mos u justifikoni, ju keni mohuar pasi besuat”[19] Nuk i shikonte e nuk shtonte më shumë se ajo që kishte zbritur i Lartësuari.[20]

Ajo që dua të dëshmoj me të nga kjo ndodhi është se ai që foli në atë rreth njerëzish ishte vetëm një, ndërsa të tjerët heshtën dhe nuk e kundërshtuan atë, prandaj Allahu gjykoi ndaj të gjithëve se kishin mohuar, përveç atij që nuk i pranoi fjalët e tyre dhe shkoi tek Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të).

Pra kjo çështje është e rrezikshme prandaj nuk i lejohet askujt të ulet apo të shoqërohet e të miqësohet me këtë grup të rrëshqitur të cilët bëjnë qafira muslimanët dhe prijësat e tyre pa pasur aspak zgjuarsi, largpamësi, apo ndonjë lloj koncepti për dijen. Ata lejojnë gjakun dhe pasurinë e muslimanëve prandaj duhet t’u largohemi e të mos dëgjojmë fjalët që thonë, t’i braktisim e të mos shoqërohemi me ta. Kjo ishte për çështjen e tekfirit.

Përsa i përket çështjes së bidatit dhe të gjykuarit për dikë se është i tillë:

Kuptimi gjuhësor i fjalës ‘bidat’ është ‘diçka e shpikur që nuk ka pasur më parë shembull’. Ky është edhe kuptimi i fjalës së Allahut të Madhëruar “Shpikësi i qiejve dhe i tokës”[21] Pra: Ai që i bëri të ekzistojnë pa pasur më parë diçka të ngjashme me to, sepse Allahu i krijoi ato pasi nuk ekzistonin.

Kuptimi terminologjik fetar i kësaj fjale është “Diçka e re në fe që nuk ka argument nga Libri i Allahut apo nga Suneti i Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të)”. Sepse adhurimet nuk kryhen veçse me argument dhe nuk ka në to vend për llogjikë e mendime! Feja dhe adhurimi janë ato që i argumenton Kurani dhe Suneti, ndërsa ato adhurime që nuk kanë argument janë bidat (risi).

Profeti  (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë : “Nëse dikush punon një punë që nuk është pjesë e çështjes sonë atëherë ajo i refuzohet atij”[22]. Ndërsa në një transmetim tjetër: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo i refuzohet atij”[23]. Dhe ka thënë : “S’ka dyshim se fjalët më të mira janë Fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), gjërat më të këqia janë shpikjet në fe, e çdo bidat është humbje”[24] në një transmetim shtohet: “e çdo humbje të çon në zjarr”[25].

Kjo është për shkak se Allahu i Madhëruar e ka plotësuar dhe përsosur fenë, prandaj ajo nuk ka nevojë për shtesa.

Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) nuk vdiq veçse pasi feja u përsos. Allahu i Lartësuar thotë : “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush mirësinë time dhe kam zgjedhur për ju fenë Islame”[26]. Ky ajet iu shpall Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) kur ishte në Arafat, ditë xhumaje, në haxhin e lamtumirës. Pas zbritjes së këtij ajeti, profeti jetoi vetëm tetëdhjetë e një ditë derisa i erdhi vdekja! Pra nuk vdiq derisa Allahu përsosi fenë e Tij.

Prandaj, nëse dikush shfaq një adhurim për të cilin nuk ka argument nga Kurani apo Suneti, atëherë themi se ky adhurim është bidat dhe i refuzohet atij që e vepron, kushdo qoftë ai e sado grada të ketë arritur në adhurim e në asketizëm! Pra, nëse dikush shfaq diçka dhe pretendon se ajo vepër është e mirë, qoftë adhurim, dhikër etj., atëherë e studjojmë atë. Nëse ka argument e pranojmë, por nëse nuk ka, atëherë e refuzojmë fjalën e tij edhe nëse ai njihet si njeri me dije dhe si adhurues i madh. Pra nuk shikojmë personin, por argumentin nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të).

Nuk mundesh të gjykosh ndaj një personi se është bidatçi vetëm nëse ai shfaq në fe diçka që nuk ka argument. Prandaj mos gjyko ndaj njerëzve se janë bidatçi për shkak të ndonjë veprimi që ti nuk ke dije për të e as njohuri, sepse ti nuk e njeh të gjithë fenë, ti nuk ke njohuri për gjithçka ka ardhur nga Allahu i Madhëruar dhe nga i Dërguari i Tij (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të). Pra, nuk lejohet gjykimi ndaj njerëzve me bidat veçse nëse shfaqin diçka që nuk mbështetet me argumente nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Profetit. Duhet të sigurohesh e të mos i gjykosh njerëzit se janë bidatçi veçse pasi të jesh bindur se veprimi i tyre nuk ka argument dhe se dijetarët kanë gjykuar për të se është bidat.

Ti, vetëm duhet të thuash : “Dijetarët kanë gjykuar për këtë gjë se është bidat”, por nëse ti gjykon pa u siguruar, pa pjekuri, pa u bazuar tek dijetarët dhe tek fjalët e tyre, atëherë ky është gabimi më i madh i cili shkakton përçarjen e muslimanëve, armiqësimin mes tyre, mendimin keq për njëri-tjetrin dhe të tjera dëme të mëdha, prandaj mos quaj askënd bidatçi pa pasur argument nga libri i Allahut të Madhëruar, Suneti i Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), apo pa pasur ixhma (vendim unanim) nga muslimanët se kjo çështje është bidat. Nëse i posedon këto të fundit atëherë, diskuton me personin dhe i sqaron atij gjykimin për veprimin e tij, sepse ndoshta ai e vepron atë nga injoranca, imiton dikë tjetër, apo ka ndonjë arsye të tretë.

Pra ti e sqaron atë dhe nëse ai këmbëngul në veprimin e tij pasi i është bërë e qartë, atëherë gjykohet ndaj tij se është bidatçi, për shkak se ka insistuar për diçka që nuk është prej fesë, prandaj quhet bidatçi.

Pra, kjo çështje ka nevojë për siguri, maturi, pjekuri e mosnxitim.

Në këtë kohë është shtuar shumë injoranca mes njerëzve, po ashtu edhe ata që pretendojnë se kanë dije. Janë shtuar lexuesit dhe janë pakësuar dijetarët, ashtu siç ka lajmëruar Profeti  (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të).

Prandaj është detyrë për muslimanët që të sigurohen në këto çështje dhe të mos nxitohen në gjykimet e fesë, në gjykimin me kufër apo me bidat etj, derisa të binden për gjykimin e sheriatit nga Libri i Allahut të Madhëruar, nga Suneti i të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), apo nga ixhmai i dijetarëve, sepse këto çështje janë të rrezikshme dhe nuk u lejohet atyre që nuk janë dijetarë të flasin për to.

Kjo është ajo ç’ka desha të këshilloj në këtë takim, duke ju lutur Allahut të Madhëruar të na lehtësojë kuptimin e fesë ne të gjithëve, të na mësojë atë që na bën dobi, e të na bëjë dobi me atë që na ka mësuar!

I lutem Allahut të Lartësuar të na mundësojë që ta shikojmë të vërtetën ashtu siç është dhe të na bëjë risk pasimin e saj dhe ta shikojmë të kotën siç është e të na largojë prej saj! Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë  Muhamedin, mbi familjen e gjithë shokët e tij.

Vijon …

Përktheu Mirandi Usame Shehaj


[1] degjenerim

[2] Sure EnAmë , ajeti 21

[3] Sure A’raf , ajeti 33

[4] Sure Isra , ajeti 36

[5] Sure Muhamed , ajeti 19

[6] Mendimi unanim i tyre.

[7] Sure En Nisa ; ajeti 94

[8] Transmeton Imam Buhari në Sahihun e tij me nr 6872.

[9] Sure A’rafë ; ajeti 138

[10] Transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij me nr 21894. Tirmidhiu në sunene me nr 2180. Sahih

[11] Sure En Nisa ; ajeti 92

[12] Transmeton Buhari ; nr 105

[13] Transmeton Muslimi ; nr 112

[14] Transmeton Buhari ; nr 6163

[15] Hadithi i mëparshëm.

[16] Sure Jusuf ; ajeti 67

[17] Transmeton Buhari ; nr 3344

[18] Përmendja e kësaj shprehjeje nga shejhu tregon për gabimin e madh që bëjnë të tillë njerëz. Kuptimi i saj është “S’ka ndryshim e as fuqi për ndryshim veçse nga Allahu”

[19] Sure Teube ; ajeti 65-66

[20] Për më shumë shiko Tefsirin e Ibnu Kethirit 4171

[21] Sure En Amë ; ajeti 101

[22] Transmeton Buhari ; 42292

[23] Transmeton Buhari ;  nr 2697

[24] Transmeton Muslimi ; nr 867

[25] Transmeton Nesai ; nr 1578

[26] Sure Maide ; ajeti 3

Dosje:

Loading...