Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (3)

March 10, 2008

Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (3) 

Rregulli i katërt: Emrat e Allahut tregojnë për qenien e Allahut dhe cilësitë e Tij në tre mënyra (aspekte): 

1)Përputhje(realiteti ose gjuhësore).2)Përmbajtje kuptimore.3)Nëpërmjet rrjedhojës që rrjedh nga ai emër.Shembulli i kësaj: Emri el kHaliku (Krijuesi) tregon për qenien (ekzistencën) e Allahut (me përputhje realiteti) dhe për cilësinë e krijimit me përputhje (gjuhësore). Po ashtu nëpërmjet përmbajtjes kuptimore tregon për qenien e Allahut, po ashtu tregon për cilësinë e krijimit nëpërmjet përmbajtjes kuptimore, ndërsa tregon për cilësinë e diturisë dhe fuqisë (mundësisë për gjithçka) me rrjedhojë[1]. 

Prandaj Allahu kur ka përmendur krijimin e qiejve dhe tokës ka thënë: “Ashtu që ta dini se Allahu ka fuqi (mundësi) për çdo gjë dhe se Ai ka përfshirë çdo gjë me dituri” (Talak: 12). Argumentimi (arsyetimi) me rrjedhojë është shumë i dobishëm për nxënësin e dijes nëse mediton rreth kuptimit siç duhet dhe i jep Allahu sukses për të kuptuar lidhjen që ekziston, duke arritur që nga një argument i vetëm të nxjerrë çështje të shumta.Dije se rrjedhoja nga fjala e Allahut dhe nga fjala e të dërguarit të Tij është gjithmonë e vërtetë -kuptohet nëse është nxjerrë drejt dhe saktë ajo rrjedhojë- sepse fjala e Allahut dhe të Dërguarit janë të vërteta dhe rrjedhoja që del nga e vërteta është e vërtetë. Kjo dhe për vetë faktin se Allahu e di shumë mirë se çfarë rrjedh nga fjala e Tij dhe e të dërguarit të Tij, ndaj themi që dhe ajo rrjedhojë ka qenë e qëllimshme nga Allahu. 

Kurse për sa i përket rrjedhojës që rrjedh nga fjala e dikujt tjetër veç Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka tre situata: 

1-T’i përmendet thanësit rrjedhoja e fjalës së tij dhe ai e pranon dhe i përmbahet asaj. P.sh: Ai që i mohon cilësitë vepruese të  Allahut i thotë atij që i pohon: Pohimi që ti i bën cilësive vepruese për Allahun ka si rrjedhojë të pranosh se ka veprime të Allahut që janë të reja (në kohë). Pohuesi cilësive thotë: Po, i përmbahem kësaj sepse Allahu ka qenë është dhe do të jetë veprues i asaj që Ai dëshiron dhe siç dihet fjalët dhe veprimet e Allahut nuk kanë mbarim siç tha i Lartësuari: “Sikur të ishte deti bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim do mbaronte deti para se të mbaronin fjalët e Zotit tim edhe sikur të sillnim një det tjetër shtesë si ai i pari” (Kehf 109) dhe ka thënë: “E sikur të gjitha pemët e tokës të ishin lapsa dhe atij deti ti shtoheshin shtatë dete të tjerë nuk do mbaronin  fjalët e Allahut” (Lukman 27). Realizimi i veprimeve të Tij rishtazi në kohë nuk nënkupton mangësi në lidhje me Allahun. 

2-Situata e dytë: T’i përmendet rrjedhoja e thënies thanësit të saj por ai e refuzon të ketë lidhje ndërmjet thënies rrjedhojës (pra e hedh poshtë). P.sh: Mohuesi i cilësive i thotë pohuesit: Pohimi yt sjell si rrjedhojë që Allahu të jetë i ngjashëm me krijesat në cilësitë e Tij. Pohuesi thotë: Jo ,kjo nuk është e thënë (nuk e nënkupton këtë rrjedhojë te pretenduar) sepse cilësitë e Krijuesit janë të dedikuara Atij dhe nuk u përmendën si koncept i përgjithshëm pa asnjë lloj specifikimi ashtu që të ketë vend për atë që the. Pra, cilësitë e Tij janë specifike vetëm për Të siç i takojnë Atij. 

Ashtu siç ti o mohues i cilësive pohon që Allahu ka qenie (ekzistencë) dhe thua se qenia e Tij nuk përngjasin me asnjë krijesë, atëherë çfarë dallimi ka ndërmjet qenies dhe cilësive?!Gjykimi i rrjedhojës në këto dy raste është i qartë[2]. 

3-Situata e tretë: Të mos ketë diçka të shprehur në lidhje me rrjedhojën, pra situatë e heshtur. Nuk përmendet pohimi rrjedhojës dhe as nuk refuzohet. Gjykimi në këtë rast është ti atribuohet thanësit sepse nëse i përmendet atëherë ekziston mundësia që ai ti përmbahet ose ta refuzojë. Ekziston mundësia që duke ia përmendur atë rrjedhojë e kupton pavlefshmërinë e thënies së tij dhe tërhiqet prej saj sepse rrjedhoja e gabuar tregon për pasaktësinë e thënies (mendimit). Për shkak të këtyre dy supozimeve të fundit nuk mund të arrihet në përfundimin se rrjedhoja e fjalës së dikujt është njësoj si ta ketë shprehur me gojën e tij. Nëse dikush thotë:Përderisa kjo rrjedhojë u nxor nga thënia e tij do të thotë që është njësoj si thënia sidomos kur lidhja mes tyre është e fortë. Themi ky pretendim është i refuzuar për vetë faktin se njeriu përjeton gjendje të ndryshme shpirtërore apo fizike që ia imponojnë që të mos i ketë parasysh të gjitha rrjedhojat e supozuara nga thëniet e tij. Mund të jetë i shkujdesur, të harrojë, të mos jetë në gjendje të logjikojë qartësisht përkohësisht ose detyrohet të thotë diçka i shtyrë nga presioni i debatit pa u menduar thellë në rrjedhojat e thënies, etj.

Vazhdon. . .

Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin

Përktheu: Shuajb Rexha



[1] Sh.p:që d.m.th se Krijuesi për të qenë i tillë duhet të ketë dituri gjithëpërfshirëse rreth asaj që do krijojë dhe të posedojë fuqinë dhe mundësinë për ta realizuar atë krijim

[2] Sh.p:Në situatën e parë rrjedhoja merret në konsideratë dhe pohohet ndërsa në situatën e dytë hidhet poshtë dhe nuk vlen,mohohet

Loading...