Shenja e pestë e afrimit të orës së fundit të dynjasë

February 7, 2020

Shenja e pestë e afrimit të orës së fundit të dynjasë:

Vdekje masive për shkak të një sëmundjeje epidemike.

Profeti -alejhi selam- ka njoftuar se; një vdekje masive për shkak të një sëmundje epidemike do të ndodhë në këtë umet para orës së fundit të dynjasë.

Sahabiu i nderuar Auf bin Malik -radiallahu anhu- tregon se Profeti (alejhi selam) i ka thënë: “Numëro gjashtë ngjarje para orës së fundit të dynjasë: Vdekjen time, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që u merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive…..”[1]

Në një transmetim tjetër thuhet se Profeti -alejhi selam- i ka thënë atij: “… pastaj një sëmundje që do të shfaqet mes jush me të cilën Allahu ka për t’i bërë dëshmorë fëmijët tuaj, ndërsa juve do t’u pastrojë me të pasurinë…”[2]

Kjo sëmundje epidemike mendohet të jetë sëmundja e murtajës e cila për herë të parë në Islam është shfaqur në kohën e sahabëve, pas vdekjes së profetit Muhamed -alejhi selam- dhe pas çlirimit të xhamisë së Aksasë.

Ç’është sëmundja e murtajës?

Murtaja – siç thotë mjeku i njohur Ibn Sina – është sëmundja e gjendrave vdekjeprurëse të cilat dalin në vendet e buta dhe të fshehta; zakonisht nën sqetulla, pas veshit dhe rrëzë kofshëve. Ato përcjellin në trup lëndë helmuese dhe prishin gjakun (derisa të qelbet) dhe shoqërohet me temperaturë të lartë, të vjella, të fikët dhe rrahje të shpeshta zemre. Nëse simptomat e saj janë të forta kjo sëmundje vret[3]. Këtu përfundon fjala e tij.

Në burimet e sotshme shkencore thuhet se kjo sëmundje shkaktohet nga një virus i posaçëm, i cili përhapet shumë shpejt. Ky virus mendohet se vjen nga morri i minjve apo dhe i disa kafshëve të tjera të cilat e mbartin atë, dhe kur ai e pickon njeriun virusi futet në trupin e tij. Njerëzit infektohen nga ky virus edhe duke prekur njëri-tjetrin kur njëri prej tyre është i infektuar. Gjithashtu, edhe duke prekur sendet e ndotura me të. Kur ai kalon në mushkri njerëzit e infektuar ua përcjellin të tjerëve edhe nëpërmjet piklave të lëngëta që dalin prej tyre nga kolla dhe teshtima. Murtaja godet sistemin limfatik i cili është pjesë e sistemit të imunitetit të trupit të njeriut, dhe ky është shkaku i enjtjes së gjendrave limfatike nën sqetulla, pas veshëve dhe rrëzë kofshëve. Kjo sëmundje nëse nuk trajtohet me trajtim të shpejtë mjekësor me antibiotik i vret njerëzit, dhe prandaj ajo në kohët e hershme ka vrarë shumë njerëz.

Murtaja në fjalët e profetit Muhamed (alejhi selam)

Në lidhje me këtë sëmundje janë përcjellë shumë hadithe profetike. Ato flasin për disa tematika si; aktivizimi, simptomat, qëllimi i Allahut në shfaqjen e saj, shfaqja e saj në umetin Islam, shpërblimi i atyre që vdesin prej saj dhe ruajtja prej saj.

1- Aktivizimi dhe simptomat e sëmundjes së murtajës:

Profeti Muhamed -alejhi selam- në lidhje me këtë sëmundje ka thënë:“Murtaja është goditje e armiqve tuaj prej xhinëve. Ajo është gjendër si gjendrat e devesë, dhe shfaqet nën sqetulla dhe poshtë barkut.”[4]

Fjala e tij; [goditje e armiqve tuaj prej xhinëve], tregon se armiqtë e njerëzve prej xhinëve kanë një rol të rëndësishëm në aktivizimin e kësaj sëmundjeje. Ky realitet nuk dihet te jetë përmendur nga dikush tjetër para profetit Muhamed -alejhi selam- dhe as që mund t’a përmendë dikush tjetër pas tij përderisa profetesia është mbyllur. Ai ka të bëjë me botën e padukshme të xhinëve rreth së cilës nuk mund të mësosh veçse nëpërmjet lajmeve hyjnore.

Kjo që përmend profeti Muhamed -alejhi selam- nuk bie ndesh me atë që përmend mjekësia, sepse kjo botë është komplekse. Ajo ka të dukshmen dhe të padukshmen e saj të cilat pastaj ndërthuren me njëra-tjetrën. Ja çfarë thotë imam Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- në lidhje më këtë ndërthurje.

Ai thotë: “Këto shkaqe dhe faktorë (të përmendura nga Profeti – alejhi selam) nuk mund t’i hedhin poshtë mjekët dhe as t’i vërtetojnë ato, sepse profetët lajmërojnë për gjëra të fshehta. Ato pasoja të cilat mjekët kanë arritur t’i kuptojnë në lidhje me murtajën nuk ua mundësojnë atyre t’a mohojnë se ato ndodhin nëpërmjet shpirtrave (d.m.th. nëpërmjet botës jo-materiale). Ndikimi i shpirtrave në natyrë (në botën materiale), në çrregullimin dhe në shkatërrimin e saj, është çështje të cilën nuk e mohojnë veçse më të padijshmit e njerëzve në lidhje me shpirtrat, efektet që lënë dhe reagimin e trupave ndaj tyre.

Allahu i Madhëruar mund t’u bëjë veprimtari këtyre shpirtrave në trupat e bijve të Ademit (në trupat e njerëzve) kur bie epidemi dhe ndotet ajri, siç mund t’u bëjë atyre veprimtari në lidhje me disa lëndë të këqija të cilat shkaktojnë gjendje të keqe sidomos kur pezmatohet gjaku, bila e zezë (sekrecion i shpretkës) dhe lëngu riprodhues. Kjo ngase shpirtrat e këqinj arrijnë të bëjnë tek ai i cili i ka këto simptoma atë që s’e bëjnë me dikë tjetër, përderisa nuk ka një mbrojtje më të fortë se këto shkaqe, si; përmendja e Allahut, duaja, përgjërimi, përulja, sadakaja, leximi i Kuranit etj. Me këto vepra zbresin prej shpirtrave të pastër (melaiket) aq sa i mundin këto shpirtra të këqinj dhe e largojnë të keqen e tyre.

E kemi provuar shpesh herë ne dhe të tjerë aq sa veç Allahu e di se sa kemi parë, se me zbritjen e këtyre shpirtrave të mirë dhe afrimin e tyre ka ndikim të madh në forcimin e natyrës materiale dhe largimin e lëndëve të dëmshme. Mirëpo kjo duhet të jetë para se ato t’a pushtojnë trupin dhe t’a sundojnë atë, dhe para se trupi të dorëzohet. Ai që i jep sukses Allahu shpejton kur i ndien shkaqet e së keqes për tek këto shkaqe, të cilat i’a largojnë shqetësimet dhe janë ilaçi më i mirë. Nëse Allahu i Madhëruar do që të zbatohet caktimi i Tij e shkujdes zemrën e robit nga njohja e tyre, imagjinimi i tyre dhe dëshira për t’i vepruar. Atëherë ai as nuk i ndien dhe as anon nga ato që Allahu të zbatojë mbi të atë që është caktuar.”[5]

Ibn Kajimi -Allahu e mëshiroftë- me këto fjalë jep një shpjegim shumë të nevojshëm për të kuptuar saktë këtë realitet të njoftuar nga Profeti – alejhi selam. Kur ndërthuret e dukshmja me të padukshmen mund të rrëshqasin këmbët e atyre që nuk janë të përqëndruar në rrugën e besimit. Ky shpjegim gjithashtu i hap rrugën trajtimit të sëmundjeve epidemike me dua dhe me rukje, sepse sëmundjet duhen luftuar që në origjinë.  Kur ato kanë lidhje me botën e padukshme mbrojtja prej tyre nuk mund të bëhet me tjetër gjë veçse me ato që jemi njoftuar në lajmet hyjnore.

Fjala e tij; [gjendër si gjendrat e devesë], do të thotë se gjendrat e murtajës i ngjajnë gjendrave të devesë të cilat u shfaqen atyre në grykë.

Fjala e tij; [shfaqet nën sqetulla dhe poshtë barkut], do të thotë se këto gjendra zakonisht shfaqen në këto pjesë të trupit.

Kështu, gryka, pjesa nën sqetulla dhe pjesa poshtë barkut (rrëzë kofshëve) përbëjnë pjesët kryesore ku shfaqet sëmundja e murtajës. Mirëpo ajo mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera, siç thotë Ibn Abdulberr -Allahu e mëshiroftë: “Ajo mund të shfaqet edhe në dorë, gishta dhe ku të dojë Allahu.”[6]

Ky shpjegim mund të quhet një prej mrekullive të profetit Muhamed – alejhi selam, sepse siç u tha më lart kjo sëmundje prek sistemin limfatik i cili është një rrjet i gjerë dhe ka gjendra të përhapura në gjithë trupin e njeriut, dhe prej tyre edhe këto që përmend profeti Muhamed -alejhi selam.

2- Qëllimi i Allahut të Madhëruar në shfaqjen e sëmundjes së murtajës.

Asgjë në këtë botë, as e mirë dhe as e keqe nuk ndodh pa lejen e Allahut i Cili është Krijuesi, Pronari dhe Rregullatori i saj, dhe veprimet e Tij në këtë pronë janë veprime që kanë qëllim të caktuar. Në lidhje me këtë sëmundje, profeti Muhamed -alejhi selam- ka thënë: “Murtaja është dënim me të cilin janë dënuar ata që ishin para jush, dhe ka mbetur prej saj një pjesë e cila herë ikën e herë vjen.”[7]

Profeti -alejhi selam- në këtë citat lajmëron se me këtë sëmundje janë dënuar ata që ishin para nesh, dhe dy prej këtyre rasteve mendohet të jenë përmendur edhe në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë:

أَلَمْ تَرَ إِلَى الَّذِينَ خَرَجُوا مِنْ دِيَارِهِمْ وَهُمْ أُلُوفٌ حَذَرَ الْمَوْتِ

A ke dëgjuar për ata të cilët dolën nga vendbanimet e tyre nga frika e vdekjes dhe ishin me mijëra.[8]

Ibn Abasi -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ajet thotë: “Ata ishin katër mijë veta dhe të gjithë u larguan për shkak të murtajës.”[9]

Apo ajeti:

وَلَمَّا وَقَعَ عَلَيْهِمُ الرِّجْزُ قَالُوا يَامُوسَى ادْعُ لَنَا رَبَّكَ بِمَا عَهِدَ عِنْدَكَ لَئِنْ كَشَفْتَ عَنَّا الرِّجْزَ لَنُؤْمِنَنَّ لَكَ وَلَنُرْسِلَنَّ مَعَكَ بَنِي إِسْرَائِيلَ

Kur ata (popullin e Faraonit) i goditi dënimi (pas përgënjeshtrimit), thanë: O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga ky dënim, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lemë bijtë e Izraelit të ikin me ty.[10]

Ibn Abasi -radiallahu anhu- dhe Said bin Xhubejri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet thonë: “Dënimi ishte murtaja.[11]

Në librat e historisë përmendet edhe një rast tjetër i vjetër gjithashtu në kohën e Musait – alejhi selam, por kësaj radhe me Beni Israilët. Ngjarja njihet si historia e Bel’am bin Baura dhe në këtë ngjarje thuhet se Beni Israilët ranë në zina (imoralitet), dhe pastaj Allahu i Madhëruar i dënoi me sëmundjen e murtajës.

Dënimi i njerëzve me murtajë për shkak të zinasë është çështje e përmendur edhe nga Profeti ynë -alejhi selam- kur tha: “Nuk është shfaqur ndonjëherë ndyrësia (zinaja) në ndonjë popull derisa e kanë publikuar atë, veçse është përhapur mes tyre murtaja dhe sëmundje të cilat nuk janë njohur tek paraardhësit e tyre.”[12]

Pra, kjo sëmundje ka qenë dënimi i Allahut për njerëzit dhe dënimet zakonisht vijnë pas shkeljes së rregullave të Tij. Sa më e rëndë të jetë shkelja aq më i rëndë është dënimi, gjë që ka bërë që njerëzit të dënohen edhe me murtajë kur në mesin e tyre u shfaqen shkelje të rënda si ato të Faraonit i cili dhunoi besimtarët[13], apo zinaja e publikuar.

3- Murtaja në umetin e Muhamedit – alejhi selam.

Profeti -alejhi selam- në hadithin e mësipërm përmend se prej murtajës ka mbetur një pjesë e cila herë ikën e herë vjen. Kjo pjesë e mbetur do t’a prekë edhe këtë umet, dhe ajo për besimtarët është pastrim dhe u jep atyre gradën e dëshmorit.

Profeti -alejhi selam- në lidhje me këtë çështje thotë: “Murtaja është shehade (të rënit shehid apo dëshmor) për çdo musliman.”[14] Apo hadithi: “Murtaja është shehade për umetin tim dhe rahmet për ta, ndërsa ndaj mohuesve është dënim.”[15]

Ai gjithashtu e ka përmendur atë edhe tek llojet e shehidëve në umetin e tij kur u ka thënë sahabëve: “Cila punë të bën dëshmor?” Sahabët i thanë: Të vritesh në rrugën e Allahut. Atëherë ai u tha atyre: “Kështu dëshmorët do të jenë pak. Grada e dëshmorit është në shtatë gjëra përveç vrasjes: Ai që vdes nga murtaja është dëshmor. Ai që vdes nga sëmundjet e barkut është dëshmor. Ai që vdes nga mbytja në ujë është dëshmor. Ai që vdes nga shembja e strehës së tij është dëshmor. Ai që vdes nga lungat është dëshmor. Ai që vdes nga djegia është dëshmor. Femra që vdes nga shtatzania është dëshmore.”[16]

Imam El-Baxhi dijetari dhe komentuesi i njohur i haditheve, në lidhje me këtë hadith thotë: “Këto vdekje janë të vështira dhe prandaj Allahu i Madhëruar i ka bërë mirësi umetit të Muhamedit – alejhi selam, duke i bërë ato pastrim për gjynahet e tyre dhe shtim të shpërblimit derisa i barazoi ata me dëshmorët.[17]

Duke vështruar me kujdes në këto sqarime dhe në fjalët e Profetit – alejhi selam, mund të themi se arritja e gradës së dëshmorit për këtë umet nëpërmjet sëmundjes së murtajës është për dy arsye:

E para: Ai i cili vdes nga kjo sëmundje vdes duke duruar një gjendje të vështirë ashtu si vdes dëshmori i luftës duke duruar plagët e marra.

Në lidhje me këtë arsye ka ardhur edhe një hadith nga profeti Muhamed -alejhi selam- i cili tregon për një debat i cili do të zhvillohet ditën e llogarisë mes dëshmorëve të luftës dhe të vdekurve në krevate në lidhje me dëshmorët e murtajës, ku thotë: “Do të debatojnë dëshmorët dhe të vdekurit në krevate para Zotit tonë në lidhje me ata të cilët kanë vdekur nga murtaja. Dëshmorët do të thonë: Ata janë si ne. Janë vrarë si jemi vrarë ne. Të vdekurit në krevate do të thonë: Ata janë si ne, vdiqën në krevate ashtu si vdiqëm ne. Atëherë Allahu i Madhëruar do t’ju thotë: Shikoni plagët e tyre. Nëse plagët e tyre janë si plagët e të vrarëve, atëherë ata janë si ata dhe me ata. Kur shihet se plagët e tyre janë si plagët e tyre (dmth: të vrarëve) atëherë ata do të barazohen me shokët e tyre.”[18]

E dyta: Ai i cili vdes nga kjo sëmundje ka vdekur në luftë me armiqtë e xhinëve, siç vdes dëshmori në rrugë të Allahut nga lufta me armiqtë e njerëzve.

Shumë hadithe kanë ardhur më këtë tematikë dhe përveç atyre që u përmendën më lart është edhe hadithi: “O Allah, bëje vdekjen e umetit tim me vrasje në rrugën Tënde në luftë dhe me murtajë!”[19]

Ibn Haxheri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë hadith thotë: “Dijetarët thonë se Profeti -alejhi selam- ka dashur që umeti i tij të arrijë llojin më të lartë të dëshmorëve, atë të vdekjes në rrugën e Allahut nga dora e armiqve të tyre, ose prej njerëzve ose prej xhinëve.[20]

4- Ruajtja nga sëmundja e murtajës.

Në dorën e Allahut është edhe e keqja edhe ruajtja prej saj, kështu Ai u ka mësuar profetëve të Tij se si të ruhen prej sëmundjeve të cilat janë prej caktimit të Tij. Profeti Muhamed -alejhi selam- në lidhje me murtajën ka lënë një porosi shumë të nevojshme, dhe ka thënë: “Nëse dëgjoni për të (murtajën) se ka rënë në ndonjë vend mos hyni tek ai vend. Dhe nëse bie në ndonjë vend dhe ju jeni aty mos dilni prej tij.”[21]

Kjo porosi ka për qëllim izolimin e sëmundjes, sepse sëmundjet epidemike janë me pasoja të rënda për njerëzit. Nëpërmjet kontakteve infektojë njëri-tjetrin dhe nuk ka shpëtim për ta përveç izolimit. Për izolimin e të sëmurit Profeti -alejhi selam- porosiste: “Ai që ka deve të sëmura të mos i afrohet atij që i ka devetë e shëndosha.”[22]

Mirëpo në lidhje me murtajën e ka shtuar më shumë masën mbrojtëse duke izoluar jo vetëm të sëmurin por edhe zonën e tij, sepse pasojat e saj janë më të rënda. Izolimi i zonës do të thotë se ata që janë jashtë saj nuk duhet të hyjnë në atë zonë, dhe as ata që janë në atë zonë nuk duhet të dalin prej saj edhe nëse mendojnë se janë të paprekur. Kjo porosi konsiderohet një prej mrekullive të profetit tonë Muhamedit – alejhi selam, sepse në atë kohë nuk njihej ajo që njohim ne sot në lidhje me sëmundjet epidemike si periudha e inkubacionit. Sëmundjet epidemike kanë një periudhë që quhet ‘periudha e inkubacionit’ ku njeriu mund të jetë i infektuar por simptomat e saj nuk i janë shfaqur, derisa të kalojë periudhën e inkubacionit. Nevoja për këtë porosi është shumë e madhe për çdo sëmundje epidemike, sidomos për ato sëmundje të cilat janë të reja dhe nuk u dihet asnjë trajtim mjekësor.

Në lidhje me masat mbrojtëse prej murtajës është edhe strehimi në dy vendet e shenjta Meke dhe Medine, të cilat Allahu i Madhëruar me rahmetin e Tij i ka mbrojtur nga kjo sëmundje, siç njofton Profeti -alejhi selam- kur thotë: “Nuk ka ndonjë vend veçse do të shkelë në të Dexhali, me përjashtim të Mekes dhe Medines. Nuk ka ndonjë grykë (vend depërtimi) prej grykave të tyre, veçse ka melaike të rreshtuara për t’i ruajtur ato. Nuk hyn në to as Dexhali dhe as murtaja në dashtë Allahu.”[23]

Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Më erdhi Xhibrili -alejhi selam- duke mbajtur sëmundjen e etheve dhe të murtajës. Ethet i la në Medine, ndërsa murtajën e dërgoi në Sham.”[24]

Ky përjashtim mendohet të jetë bërë me qëllim që të mbetet një vend në tokë për besimtarët për t’u strehuar, edhe nga sprovat e besimit edhe nga sprova e shfarosjes së plotë. Ai vend nuk mund të ishte tjetër veç Mekes dhe Medines ku është dhe origjina e besimit të tyre.[25]

Këto janë mënyrat profetike të ruajtjes prej kësaj sëmundje. Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar për mëshirën e Tij ndaj këtij umeti! Paqja dhe përshëndetja e Tij qofshin mbi Profetin tonë i cili nuk ka lënë gjë që ka ditur prej Allahut të Madhëruar në dobi të këtij umeti, veçse ka njoftuar për të! Amin!

Murtaja si shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.  

Le të kthehemi edhe njëherë tek hadithi i Profetit -alejhi selam- kur i thotë Auf bin Malik – radiallahu anhu: “Numëro gjashtë ngjarje para orës së fundit të dynjasë: Vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që u merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive…..[26].

Imam Ibn Kethiri në lidhje me këtë shenjë thotë: “Kjo ngjarje ka ndodhur në 10 ditë dhe është murtaja e Amuasit (vend në Sham në afërsi të xhamisë së Aksasë) në vitin e 18 të hixhretit. Prej saj kanë vdekur shumë prej sahabëve të mëdhenj si: Muadh bin Xhebel, Ebu Ubejde, Jezid bin Ebu Sufjan, Shurahbil bin Hasene, Ebu Xhendel Sehl bin Umr dhe babai i tij, dhe El-Fadl bin El-Abas bin Abdulmutalib -Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.”[27]

Ibn Kethiri pastaj shton dhe thotë: “Thuhet se kanë vdekur 25 mijë veta dhe thuhet gjithashtu se kanë vdekur 30 mijë veta.”[28]

Murtaja ka rënë disa herë gjatë historisë Islame dhe ka marrë shumë jetë njerëzish, mirëpo dijetarët mendojnë se shfaqja e parë e saj është për qëllim në këtë hadith dhe kjo për disa arsye:

E para: Murtaja e Amuasit është murtaja e parë në historinë Islame e cila ka ndodhur sipas renditjes së hadithit menjëherë pas çlirimit të xhamisë së Aksasë.

E dyta: Murtaja e Amuasit është ajo e cila i ka prekur sahabët dhe brezin e tyre, brezin më të mirë të këtij umeti të cilët kishin dalë jashtë vendit të tyre në rrugën e Allahut të Madhëruar. Ata me ushtrinë e tyre kishin zbarkuar në atë vend për t’u përgatitur për luftë kundër armiqve dhe Allahu i Madhëruar deshi t’i pastrojë me qëllim që t’i shpërblejë më pas me mirësitë më të plota të xhenetit të Tij.

E treta: Profeti -alejhi selam- është lutur që vdekja e umetit të tij të jetë shehade me vrasje në luftë për çështjen e Allahut dhe me murtajë, dhe -siç u tha më lart- që të dyja janë luftë: njëra me armiqtë e njerëzve dhe tjera me armiqtë e xhinëve.

Imam El-Kurtubiu -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me kuptimin e kësaj duaje thotë: “Mendoj se me fjalën [umetin tim] Profeti ka patur për qëllim sahabët, sepse Allahu i Madhëruar i zgjodhi shumicën e tyre për t’i bërë dëshmorë në luftë për çështjen e Tij, edhe me murtajën e cila ra në kohën e tyre dhe vdiqën prej saj pjesa e mbetur. Kështu, Allahu i Madhëruar ua bashkoi atyre të dyja shkaqet.”[29]

Kjo është sëmundja e murtajës si shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë dhe disa detaje rreth saj. Lusim Allahun e Madhëruar të na mbrojë nga e keqja dhe këdo që ia ka caktuar Allahu të vdesë prej saj, t’a pastrojë atë prej gjynaheve dhe t’a pranojë shehid siç ka pranuar prej të parëve të këtij umeti! Amin!

Dr. Abdullah Nabolli

————————————–

[1] E transmeton Buhariu.

[2] E transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.

[3] Shih fjalët e autorit në librin e tij “El-Kanun fij Et-Tib”: 3/164.

[4] E transmeton Ahmedi dhe Taberani, dhe e saktëson shejh Albani.

[5] Shih fjalët e autorit në librin ‘Zad El-Mead’: 4/36.

[6] Shih fjalët e autorit tek libri ‘El-Istidhkar’: 8/252.

[7] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[8] Suretu El-Bekara: 243.

[9] E përmend Ibn Kethiri në tefsir me zinxhir të saktë:  1/661.

[10] Suretu El-Earaf: 134.

[11] Shih tefsir Ibn Ebi Hatim: 5/1550.

[12] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

[13] Në këto momente që po shkruaj këto rreshta është një sëmundje epidemike e cila është përhapur në Kinë dhe që quhet “Corona Virus”. Kjo sëmundje për çudi është shfaqur në këtë vend pas një dhunimi të rëndë që i është bërë besimtarëve musliman ujgurë në besimin e tyre, dhe çdo fatkeqësi e cila vjen pas një pune të shëmtuar sipas praktikës së Allahut në lidhje me popujt është dënim.

[14] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[15] E transmeton Ahmedi, Taberani etj. dhe e saktëson shejh Albani.

[16] E transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Nesaiu etj. dhe e saktëson shejh Albani.

[17] Shih fjalët e autorit në librin ‘El-Munteka’: 2/27.

[18] E transmeton Ahmedi dhe Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.

[19] E transmeton Ahmedi dhe Hakimi, dhe e saktëson shejh Albani.

[20] Shih fjalët e autorit në librin ‘Fet’h El-Bari’: 10/182.

[21] E transmeton Buhriu dhe Muslimi.

[22] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[23] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[24] E transmeton Ahmedi dhe Taberani, dhe e saktëson shejh Albani.

[25] Shih çfarë thotë imam El-Hatabi tek libri ‘Sherh Sahih El-Buhari’: 10/485.

[26] E transmeton Buhariu.

[27] Shih fjalët e autorit në librin e tij ‘El-Bidaje ue Nihaje’: 6/202.

[28] Shih fjalët e autorit në librin e tij ‘El-Bidaje ue Nihaje’: 7/93.

[29] Shih fjalët e autorit në librin ‘El-Mufhim’: 5/612.

Loading...