Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – pjesa e pestë

October 16, 2017

“…. dhënia e zekatit …” Shejh Salih el-Feuzani, Allahu e ruajt, thotë: Zekati është i lidhur me namazin sepse përmendet përherë bashkë me namazin. Ai është e drejta obligative te pasuritë e të pasurve për të varfrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” |Edh-Dharijat: 19|

Zekati është obligim dhe nuk është në dëshirën e njeriut, që nëse do e jep si diçka vullnetare e nëse do nuk e jep. Ai është obligim dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Ai (zekati) përmendet përherë me namazin.

Prandaj, kush falet por nuk e jep zekatin ai ka lënë një prej shtyllave të Islamit. Nëse personi e mohon obligueshmërinë e dhënies së zekatit ai konsiderohet jobesimtar. E nëse ai e njeh (pranon) obligueshmërinë e zekatit por nuk e jep atë për shkak të koprracisë, prijësi ia merr atij (zekatin) me forcë. Ngase është e drejta e tij dhe e merr prej personit ashtu siç i merr borxhet që ua ka njerëzve nëse kundërshtojnë t’i shlyejnë ato (borxhet).

Përderisa kadiu ka të drejtë që t’ia marrë pasurinë pa dëshirën e personit për të shlyer borxhet që u ka njerëzve, atëherë zekati është më parësor të merret nga pasuria e tij ngase zekati është e drejtë për Allahun e Lartësuar.

Ebu Bekër es-Sidiku radijAllahu anhu i luftoi ata që nuk donin të jepnin zekatit, sepse ata ndaluan një të drejtë vaxhib që ishte mbi ta për t’ua dhënë të tjerëve (të varfërve etj.). Kështu pra çështja e zekatit është madhore dhe me rëndësi të madhe.

“… agjërimi i muajit të Ramazanit…” që është shtylla e katërt prej shtyllave të Islamit. Kush ka mundësi të agjërojë ai e përmbush këtë gjë sepse është obligim për të. E kush ka arsye legjitime ai nuk agjëron por ditët e lëna nga Ramazani i agjëron më vonë,[1] bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kushdo nga ju që e arrin këtë muaj le ta agjërojë atë.” |El-Bekare: 185|

Pra, ai që ka arsye legjitime siç është i sëmuri i cili s’ka mundësi të agjërojë apo udhëtari që udhëton një distancë ku i lejohet shkurtimi i namazit. Ata nuk agjërojnë aq ditë sa e kanë të nevojshme e më pas i agjërojnë ditët e lëna, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ndërsa ai i cili është i sëmurë ose në udhëtim të agjërojë po aq ditë në ditët e mëvonshme.” |El-Bekare: 185|

Agjërimi i Ramazanit duhet të kryhet në kohën e tij – për atë që ka mundësi – ose duke i agjëruar më vonë ditët e lëna për ata që kanë arsye legjitime. E asesi nuk lejohet lënia e tij (mos agjërimi) në asnjë situatë derisa njeriu është i shëndetshëm mendërisht. Nëse personi nuk mundet të agjërojë për shkak të ndonjë arsyeje e cila shpresohet të largohet, ai i zëvendëson më pas ditët e lëna nga Ramazani. Nëse ka ndonjë arsye e cila nuk shpresohet të largohet prej tij por duke qenë i shëndetshëm mendërisht, në këtë rast ai duhet të ushqejë një të varfër bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ndërsa ata të cilët e përballojnë me vështirësi atë le të japin shpagim duke ushqyer një të varfër (për çdo ditë agjërimi).” |El-Bekare: 184| Pra, për çdo ditë ai ushqen një të varfër.

 

Marrë nga libri: ”El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh el arbain en-Neueuijjeh”.

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————-

[1] Në fillim të obligueshmërisë së agjërimit kur muslimanët nuk ishin mësuar të agjëronin, padyshim se agjërimi ishte i rëndë dhe i vështirë për ta. Kështu që Allahu me urtësinë e Tij ua ngarkoi gradualisht atë me mënyrën më të lehtë; duke i lënë të drejtën e zgjedhjes mes agjërimit dhe shpagimit edhe atyre që e përballonin agjërimin, por duke u bërë të ditur se të agjëronin ishte më mirë për ta. Më pas, agjërimi u bë detyrim i prerë për ata që e përballojnë, ndërsa për ata që nuk e përballojnë si p.sh. i moshuari, qëndroi gjykimi i përmendur në ajet: “Për të dhënë shpagim duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” Shejh Abdurrahman es-Sadij, Allahu e mëshiroftë.

Dosje:

Loading...