Shpjegimi i hadithit: “Kush shpik në çështjen tonë…” – Pjesa e parë

October 19, 2017

Shpjegimi i hadithit: “Kush shpik në çështjen tonë…” – Pjesa e parë.

Transmetohet nga nëna e besimtarëve Umu Abdilah Aisha (radijAllahu anha) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo refuzohet (nuk pranohet).” Buhariu (2697) dh Muslimi (1718).

Ndërsa në një transmetim të Muslimit (1718) thuhet: “Kush punon një punë që nuk është në përputhje me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.”

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) thotë: Tha (autori): “Transmetohet nga nëna e besimtarëve Umu Abdilah Aisha (radijAllahu anha)”. Ajo është Umu Abdilah, është nëna e besimtarëve, Aisha vajza e Ebu Bekr es-Sidikut (radijAllahu anhu). Ajo s’ka pasur fëmijë. Vendosi kunien “Umu  Abdullah” sepse ajo është tezja e Abdullah bin ez-Zubejr ngase tezja është në vend të nënës. Ajo është e sinqerta e bija e të sinqertit dhe bashkëshortja më e dashur te Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo refuzohet (nuk pranohet).”

Fjala e tij: “Kush shpik në çështjen tonë” – pra në legjislacionin (fenë) tonë.

“shpik” d.m.th. vepron një adhurim për të cilin s’ka argument nga Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Adhurimet janë teukifije dhe veprohet vetëm se ai (adhurim apo vepër) për të cilin ka argument. Ndërsa për atë që nuk tregon argumenti Allahu i Lartësuar nuk e ka ligjësuar atë.

Kush afrohet tek Allahu me diçka që Ai s’e ka ligjësuar, ai konsiderohet bidatçi dhe ka shpikur në fe diçka që s’është prej saj. Dhe si rrjedhojë atij i refuzohet ajo punë dhe nuk pranohet tek Allahu i Madhëruar.

Adhurimi dhe të gjitha veprat nuk saktësohen (pranohen) vetëm se me dy kushte:

E para: Sinqeriteti për Allahun e Lartësuar.

E dyta: Pasimi i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Nëse personi vjen me ndonjë adhurim të shpikur i cili nuk përmban shirk, dhe i gjithi i përkushtohet Allahut me sinqeritet por nuk është prej legjislacionit (fesë) së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ai (adhurim) konsiderohet bidat i refuzuar dhe nuk pranohet. Pra, asnjë vepër nuk pranohet veçse me këto dy kushte.

Më herët kaloi kushti i parë në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdonjëri do të marrë atë që ka pasur për qëllim.”[1] Ky është kushti i sinqeritetit.

Ndërsa kushti për pasimin e të Dërguarit të Allahut gjendet tek ky hadith: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo refuzohet (nuk pranohet).”[2]

 

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————-

[1] Mutefekun alejhi.

[2] Këta janë dy hadithe madhështore nën të cilat hyn e gjithë feja me bazat dhe degët e saj, pjesa e saj e brendshme dhe ajo e jashtme. Hadithi i Umerit (radijAllahu anhu) është peshore për veprat e brendshme, ndërsa hadithi i Aishes (radijAllahu anha) është peshore për veprat e dukshme.

Loading...