Si ta kuptoj që imani (besimi im) është i sinqertë?

April 27, 2014

Prej përkufizimit të imanit besoj do të sqarohen shumë gjëra që lidhen me pyetjen tënde inshallah. Kanë thënë dijetarët e ehli sunetit: “Besimi (imani) është fjalë dhe punë, shtohet me bindje ndaj Rahmanit dhe pakësohet me bindje ndaj shejtanit”.
Kështu, nëse sheh në zemrën tënde madhërim të Allahut dhe të ligjeve të Tij, në atë mënyrë që kur i dëgjon ato, përpiqesh me sa mundesh t’i zbatosh (urdhëresa qofshin apo ndalesa). Nese ndjen në zemrën tënde dashuri për Profetin – paqja qoftë mbi të -, për pasimin e sunetit të tij, dhe bën përpjekje për ta mësuar atë të pastër, larg haditheve të dobëta apo bidateve (shpikjeve në fe), dhe sa herë që mëson një sunet perpiqesh ta zbatosh.
Nëse ndjen se i do ata që i do Allahu: Engjëjt, Profetët, Sahabët e nderuar të gjithë pa përjashtim, dhe fjalës së sahabëve u jep përparësi ndaj fjalës së të tjerëve. E nëse ndjen se i urren ata që Allahu i ka urryer.

Nëse ti përpiqesh të përfitosh sa më shumë dije të dobishme e cila të afron kah Allahu dhe përpiqesh ta zbatosh atë.
Nëse ti je i lidhur me fjalën e Allahut (Kuranin) me mësim të tij përmendësh me texhuid (rregullat e leximit të Kur’anit) dhe përpiqesh të meditosh dhe të thellohesh rreth qëllimit të ajeteve të tij, duke u ndihmuar me komentin e dijetarëve.

E pas gjithë këtyre përpiqesh të ruhesh prej vetpëlqimit dhe dëshirës për tu dukur, dhe përpiqesh t’i konsiderosh të vdekura të gjitha krijesat, dhe kur e bën veprën e mirë mendon vetëm kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij, dhe afrimin tek Ai.
E përseri ecën drejt Zotit tënd mes frikës e shpresës, frikë për gjunahet e tua, frikë se nëse nuk të fal Zoti yt, askush nuk të shpëton dot prej Zemërimit dhe Drejtësisë së Tij, e megjithatë shpreson në mëshirën e Tij të gjerë, duke mos e lenë pas dore punën e mirë sipas sunetit.

Nëse ke realizuar ashtu sic duhet, me dije dhe punë fjalën ‘La ilahe il lall llah’ dhe e adhuron Allahun me dashuri, frikë dhe shpresë. Nëse ti e ndjen mbikqyrjen e Tij kur je duke e adhuruar Atë, e pas gjithë këtyre ti ke frikë nga shirku i madh e i vogël dhe nga hipokrizia e madhe dhe e vogël, dhe për pasojë i lutesh Allahut të të ruajë prej tyre.
Nëse ti je i bindur se gjithë çështja jote është në dorë të Allahut dhe frikësohesh e i lutesh Allahut me përgjërim që të të ruajë nga përfundimi i keq, apo që të të lejë në dorë të vetes tënde.
Unë shpresoj shumë se ti ke besim te sinqertë.

Dhe kiji parasysh gjithëmonë këto ligje:

“Ata që luftuan (u përpoqën) për hirin Tonë Ne do t’i udhëzojmë rrugëve Tona, e s’ka dyshim se Allahu është me vepërmirët” (Ankebut: 69)

“Frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Tegabun: 16)

“Përpiquni t’ia qëlloni dhe t’i afroheni të vërtetës (në fjalët dhe veprat tuaja) sa të mundeni” (Muslimi)“Kur t’ju urdhëroj për dicka bëni prej saj sa të mundeni” (Bukhari, Muslim)

“Frikësojuni Zjarrit qoftë edhe me gjysmë hurme, e kush nuk e gjen, atëherë me një fjalë të mirë” (Bukhari, Muslim)

Na dhëntë sukses Allahu neve dhe juve për atë që Ai do dhe kënaqet! Dhe Allahu është më i Dijshmi! Atij i takon falenderimi, dhe lavdërimet e paqja e Tij qofshin për Profetin Muhammed, familjen dhe shokët e tij!

Loading...