Të pyes dijetarët apo të kërkoj nëpër libra?

April 20, 2015

Pyetje: Në rast se më vështirësohet kuptimi i një çështjeje apo komentimi i një ajeti nga Kurani, a është më parësore që ta kërkoj atë nëpër librat (e fikhut) dhe tefsiret (komentimet) e Kuranit, apo të pyes ndonjërin prej dijetarëve tanë të besueshëm?

Përgjigje: Çështja ndryshon nga njëri person tek tjetri. Kush i njeh çelësat e dijes dhe bazat e saj dhe i kupton fjalët e autorëve të librave sipas terminologjisë së secilit, i kupton termat e autorit, atëherë është diçka e mirë që t’u kthehet librave. Ndërsa ai që nuk i di këto gjëra dhe mund t’i kuptojë fjalët në mënyrë të gabuar, nuk është i mirë në kuptimin e fjalëve të autorit dhe qëllimin që ai ka pasur, në këtë rast është detyrë për të që të pyes dhe të pyeturit e njerëzve të dijes është detyrë. Allahu i Lartësuar thotë: “Pyesni njerëzit e dijes nëse nuk dini.”
Çfarë përfitojmë nga ky ajet? Nga ky ajet përfitojmë dy rregulla: Një rregull të qartë për çdo person dhe një tjetër që nuk e kupton askush përveç dijetarëve.
Rregulli i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë është: Ai që nuk di e ka detyrim fetar që të pyes dhe kjo detyrë është njësoj si namazi farz (obligim). Turpi që të pengon nga pyetja është i qortueshëm dhe ai që nuk pyet është mendjemadh dhe i qortuar. Grada më e ulët e kërkimit të dijes është pyetja, pra ai që nuk di të pyes atë që di.

Rregulli tjetër që nuk e kupton askush përveç dijetarëve është: Ekzistenca e një grupi njerëzish që pyeten apo ekzistenca e dijetarëve në këtë umet të cilët plotësojnë nevojat që kanë njerëzit është farz kifaje (detyrim kolektiv që duhet ta marrë përsipër patjetër një pjesë e shoqërisë, përndryshe të gjithë janë gjynahqarë).

Ky ajet pohon farzin ajn (detyrimin individual) dhe detyrimin kolektiv. Detyrim individual (për çdo person) është që ai i cili nuk di të pyes atë që di. Ndërsa detyrimi kolektiv është që në çdo lagje, në çdo zonë ku jetojnë muslimanë të jetë një grup njerëzish të cilët plotësojnë nevojat e tyre. D.m.th. është detyrë që në çdo fshat (në çdo qytet) të jetë dikush që pyetet (për çështjet e fesë). Hatib el Bagdadi thotë: “Është e ndaluar për ty të jetosh në një vend ku nuk ka dijetar.” Kjo fjalë është shumë e rëndësishme dhe shumë e fortë.
Pra thotë: “Është e ndaluar për ty të jetosh në një vend ku nuk ka dijetar.” Pse? Sepse nëse nuk i ke në rregull punët e dynjasë diku ti nuk banon në atë vend (shpërngulesh  prej tij). Nëse nuk ke për të ngrënë e për të pirë në një vend ti nuk banon më aty. Të kesh mundësi të jetosh jetë normale dhe të rregullohet dynjaja jote, të rregullohet feja jote duhet të banosh diku ku ka të atillë, pra kur nuk di të pyesësh ata që dinë.

Po umeti sot (në ç’gjendje është)?! O kërkues të dijes! Kush gjen në vetvete se e do kërkimin e dijes le ta përgatis veten t’i bëjë dobi umetit në mënyrë që të plotësojë detyrimin që është mbi gjithë muslimanët.

Sot ka braktisje të dijes fetare dhe detyrimi kolektiv nuk është përmbushur. Është detyrim kolektiv për gjithë umetin që të ketë në të; fukaha (dijetarë të jurisprudencës islame), muhadith (dijetarë të fjalëve të Profetit alejhi selam), mufesir (dijetarë të komentimit të Kuranit), dhe muftinj (ai që ka kapacitet të japë përgjigje fetare për një çështje), të cilët do të plotësojnë detyrimin kolektiv që ka umeti.

Dijetarët thonë: “Kush gjen në vetvete aftësi për ta kryer obligimin kolektiv, ai e ka detyrë individuale (farz ajn) të angazhohet dhe të merret me këtë detyrim (ta marrë përsipër atë) në mënyrë që të largojë gjynahun prej të tjerëve. E ka obligim të përparojë dhe të mësojë.

 

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...