Libërtha

Porositë e etërve për bijtë II

Autor Shejkh Muhammed Shaakir.

Shejkhu i dijetarëve të Aleksandrisë në të kaluarën

1282 – 1358 H.

Mësimi i gjashtë

Edukata e kërkimit të dijes së nderuar

O biri im! Vrapo në kërkimin e dijes me zell dhe dëshirë të zjarrtë. Përpiqu të mos humbasësh asgjë nga koha jote pa përfituar në të ndonjë çështje.

O biri im! Lexoji mirë mësimet që ke në program para se t’i dëgjosh nga mësuesi në orën e mësimit. Nëse ndonjë çështje nuk e kupton, atëherë mos nguro t’ia paraqesësh ndonjërit prej vëllezërve të tu, që të marrësh pjesë me të në kuptimin e saj. Mos kalo nga një çështje tek tjetra para se të përvetësosh mirë çështjen e parë. Nëse mësuesi të cakton ndonjë vend për t’u ulur gjatë mësimit, mos u ul në një tjetër vend. E nëse dikush prej vëllezërve ulet aty, mos u grind me të dhe mos e fyej, por mund ta shpiesh çështjen tek mësuesi yt, që ai ta çoj atë dhe të të ulë ty në vendin tënd.

O biri im! Kur mësuesi fillon të shpjegojë mësimin, mos u merr me diçka tjetër dhe mos bisedo me vëllezërit e tu. Dëgjo me vëmendje dhe përqëndrim atë që thotë mësuesi, dhe mos e ngarko mendjen tënde me diçka tjetër jashtë mësimit. Nëse has ndonjë paqartësi gjatë shpjegimit të një çështjeje, mos nguro, por kërko nga mësuesi me edukatë dhe mirësjellje përsëritjen e saj. Dhe bëj kujdes, mos ia ço zërin mësuesit tënd dhe as mos e shpërfill atë, nëse ai të shmanget e nuk e kthen kokën tek fjala tënde.

O biri im! Kur nxënësi del jashtë kontrollit para mësuesit të tij, atëherë bie vlera e tij tek mësuesi dhe tek vëllezërit, madje ai meriton të edukohet dhe të ndëshkohet për sjelljen e tij të pahijshme.

O biri im! Nëse nuk e respekton mësuesin tënd më tepër se babanë tënd, atëherë nuk ke për të përfituar asgjë nga njohuritë e tij dhe as nga mësimet e tij.

O biri im! Stolia e dijes është thjeshtësia dhe edukata. Kush thjeshtësohet për Allahun, Ai ka për ta ngritur dhe ka për ta bërë të dashur tek krijesat. Ndërsa kush tregohet mendjemadh dhe i paedukatë, Allahu ka për ta bërë të urryer tek njerëzit. Saqë rrallë mund të gjendet ndonjë njeri që e nderon dhe që tregon mëshirë ndaj tij.

Porositë e etërve për bijtë I

Autor, Shejkh Muhammed Shaakir.

Shejkhu i dijetarëve të Aleksandrisë në të kaluarën

1282 – 1358 H.

Parathënia e autorit

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

Paqja dhe bekimi qofshin për zotërinë tonë, Muhammedin, zotërinë e pejgamberëve dhe të dërguarve, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij.

Këto janë mësime parësore rreth moralit të pëlqyeshëm, të cilat i vendosa për nxënësit e diturive fetare. Kam mbledhur prej moralit aq sa i nevojitet nxënësit të dijes në fillimet e tij, që nëse i jep Allahu sukses, shpresohet që t’i bëj dobi Allahu me anë të tij shumë krijesave të Tij. Allahu është Dhuruesi i mirësive dhe Udhëzuesi në rrugën e drejtë.

Mësimi i parë

Këshillat e mësuesit për nxënësin e tij

O biri im! Allahu të dhëntë dije dhe sukses për punën e mirë! Ti për mua je në gradën e birit tek babai i tij.

Mua më gëzon fakti të të shoh me shëndet të mirë dhe të kesh dhunti për kuptimin e gjërave. Të jesh me zemër të pastër, me moral të përkryer, duke ruajtur virtytet. Të jesh larg fjalës së ndyrë dhe të kesh sjellje të mirë. Të jesh i dashur tek vëllezërit e tu, të përkrahësh të varfërit, të mëshirosh të dobëtit, të falësh gabimet e të tjerëve dhe të tolerosh të tjerët. Të mos jesh i shkujdesur me namazin tënd, dhe të mos lësh gjë mangët në adhurimin e Zotit tënd.

O biri im! Nëse e pranon këshillën e këshilluesit, atëherë unë jam më parësori që duhet t’ia pranosh këshillën.

Unë jam mësuesi yt dhe edukuesi i shpirtit tënd. Ti nuk do të gjesh ndonjë më të përpiktë se unë për dobinë tënde dhe rregullimin tënd.

O biri im! Unë jam këshillues besnik për ti, prandaj, pranoje atë që do të ta paraqes prej këshillave. Puno me to në praninë time, puno me to me vellëzërit e tu dhe me veten tënde.

O biri im! Nëse nuk do të punosh me këshillën time në vetminë tënde, atëherë do të punosh rrallë me të me vëllezërit e tu.

O biri im! Nëse nuk më merr mua si shembull, atëherë kë do të pranosh?! Për çfarë do të tregosh zell në uljen para meje?!