Termetet e shumta afrimit të orës së fundit

Shenja e katërmbëdhjetë e afrimit të orës së fundit të dynjasë

Tërmetet e shumta.

Tërmetet janë shenja prej shenjave të fuqisë së Allahut siç janë edhe vullkanet, eklipset, stuhitë etj. Allahu i madhëruar tregon në kuran:
“Nuk i nisim shenjat (të cilat tregojnë për fuqinë tonë) veçse për frikësim” suretul-Isra: 59.
Katade -Allahu e meshirofte- thotë: Allahu i frikëson njerëzit me çfarëdo lloj shenje që do në mënyrë që ata të zënë mend, të kujtohen dhe të kthehen (te Allahu). Kam dëgjuar se Kufja është dridhur njëherë në kohën e Abdullah bin Mes’udit radiallahu anhu dhe ai ka thënë: “O njerëz Zoti juaj po ju qorton prandaj pranojeni qortimin e tij”. E transmeton Taberiu.
Transmeton nga Safije bint Ebij Ubejd se ka thënë: Ra një tërmet në kohën e Omerit radiallahu anhu dhe u drodhën krevatet. Ibn Omeri (i shoqi i saj) ishte duke u falur dhe nuk ndjeu gjë dhe çdo kush që po falej në atë kohë nuk ndjeu gjë. Omeri radiallahu anhu (që e kishte ndjerë tërmetin) ngrihet dhe u flet njerëzve: Keni devijuar rrugën profetike dhe përshpejtuat (dënimin). Safija thotë: mbaj mend se ka thënë: “Nëse do të kthehet (dridhja) do të dal prej jush”. E transmeton Bejhakiu.

Nga këto që thamë nxjerrim dy dobi:

E para: Shkaku i nisjes së shenjave nga ana e Allahut është shfaqja e gjynaheve siç tha Omeri radiallahu anhu: [Keni devijuar rrugën profetike dhe përshpejtuat (dënimin)].

E dyta: Brezat e parë të këtij umeti nxirrnin mësime prej shenjave të Allahut dhe i shoqëronin ato me pendim dhe nënshtrim para Allahut duke falur namaz.

Profeti alejhi selam thotë: “Dielli dhe hëna janë prej shenjave të Allahut (të fuqisë së Allahut) dhe nuk u ikën drita për vdekjen dhe as për jetën e dikujt. Kur ti shihni se u iki drita: Bëni tekbire, lutjuni Allahut, faluni dhe jepni sadaka” E transmeton Muslimi.

Ky namaz ndryshon nga namazet tjera se ka për çdo rekat dy ruku dhe dy sexhde dhe lexohet gjatë siç transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Tregohet se Ibn Abasi radiallahu anhu i cili ishte prijësi i Basras në kohen e udhëheqjes së Aliut radiallahu anhu dhe ka falur po të njëjtin namaz për shkak të tërmetit dhe ka thënë: “Kështu është namazi i shenjave”. E transmeton Abdurrazak Es-San’ani.

Profeti alejhi selam njofton se kur të afrohet koha e fundit do të shtohen tërmetet. Tregon Ebu Hurejra radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk ka për të ardhur ora e fundit të dynjasë derisa të ngrihet dija, të shtohen tërmetet….” E transmeton Buhariu.
Thotë Ibn Haxher: Kanë rënë në shumë vende të veriut, të lindjes dhe të perëndimit shumë tërmete por për qëllim janë tërmetet përfshirëse dhe të përhershme.

Këtë kuptim Ibn Haxheri e ka marrë nga dy hadithe të tjera të ardhura me këtë kuptim.
Në një hadith tjetër thotë Seleme bin Nufeil Es-Sekuni radiallahu anhu: Ishim të ulur te profeti alejhi selam dhe ishte duke i zbritur shpallja dhe tha: “Unë nuk do të rri gjatë mes jush, edhe ju nuk do të rrini pas meje veçse pak dhe do të vini pas meje grupe grupe duke vrarë njëri-tjetrin. Para orës së fundit do të ketë një vdekje masive dhe vite me tërmete”. e transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Sheikh Albani.
Një hadith tjetër përmend vetëtimat (shkreptimat). Thotë Ebu Said El-Khudri radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Do të shtohen vetëtimat kur të afrohet ora e fundit derisa vjen njeriu te një popull dhe ju thotë: kush është goditur nga vetëtima para jush? I thonë: Filani dhe filani”. E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.

Hadithi i parë tregon se do të jenë të përhershme se përmenden vitet dhe i dyti tregon se do të jenë të përfshirëse të të gjitha vendeve se përmenden popujt.
Dr Abdullah Nabolli