Tubimet e dhikrit, çastet e afrimit dhe orët e mëshirës

Tubimet e dhikrit, çastet e afrimit dhe orët e mëshirës

Në një kohë të tillë shpresohet falja dhe mëshira, supozohet mirësia dhe prej Atij që zotëron çdo gjë, kërkohet siguria!

Nëse shqisave të shikimit do tu zbuloheshin perdet, do ta shihnin mëshirën duke zbritur në këto momente si të ishte shi i rrëmbyer.

Në tubime të tilla, kushedi sa shqisa shikimi do ruhen nga zjarri, kushedi sa barrë që rëndojnë mbi kurrize do të rrëzohen, për t’jua lënë vendin burimeve të mëshirës dhe për tu siguruar të pranishmëve llojet e ndryshme të mirësisë. Aty ku çdo lutësi i jepet ajo që kërkoi dhe i mundësohet çdokujt të arrijë atë që dëshiroi, e gjithë kjo  falë bujarisë së Allahut plot Madhëri dhe Nderim dhe dhuratë prej Atij që ka në dorë çdo mirësi dhe shpërblim.

Ai është Allahu, i Cili nuk e ka të vështirë që mëkatin t’ia falë atij që e veproi, e as mirësinë që t’ia dhurojë atij që e kërkoi.

Prandaj, perzantoini këto momente me zemrat tuaja dhe me ujin e pendimit pastroini ato nga mëktatet tuaja. Kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse Ai i fal mëkatet e atyre që pendohen. Kërkoni ndjesë për mangësitë tuaja, sepse Ai e pranon ndjesën e atyre që e kërkojnë. Kërkojeni ndihmën e Tij kundrejt atyre që u bëjnë padrejtësi, sa e shpejtë është ndihma e tij ndaj atyre që e kërkojnë atë!

Ai që gjymtyrët i ka të ngujuara prej ndalesave të Allahut, në fakt ai është kreu i njerëzve të devotshëm. Ai që zemrën e tij nuk e qetëson me askënd tjetër veç Allahut, në të vërtetë ai është i pari i njerëzve të logjikshëm, prandaj le të jetë përkushtimi juaj, afrimi tek Zoti.

Sa të mahnitshëm janë disa njerëz të cilët zemrat i ngujuan tek Allahu dhe u afruan tek Ai duke flijuar dëshirat. Prej dashurisë së Tij nuk i pengon qortimi i atyre që qortojnë dhe nuk justifikohen kur japin në rrugën e Tij me arsye boshe!

Ata urryen çdo gjë tjetër përpos Tij, që Ai tu qëndronte afër. Lanë gjithçka që të fitonin nderin e hyrjes tek Ai, u larguan prej çdo gjëje që të mbërrinin tek Ai, u distancuan nga çdo gjë që ua donte shpirti duke këkuar afërsinë me Të dhe i kthyen shpinën çdo sendi me shpresën që tek Ai të gjejnë pranim.

Nëse do tu thuhej: Kush është i adhuruari juaj? Ata do të përgjigjeshin: Allahu! Nëse do të pyeteshin se cili është synimi juaj? Ata do të përgjigjeshin përsëri: Allahu. Ai është i adhurari i tyre të Cilin e adhurojnë, është Ai që synojnë dhe gjejnë prehjen, të cilën nuk e hasin askund tjetër veçse tek Ai.

Zoti im ka prej robërve të Tij që vetëm Atë e adhurojnë

Atë synojnë dhe tek askush tjetër nuk gjejnë prehje

Ai është ndihma më e madhe ku ata çështjet i mbështesin

Ai është synimi i tyre final të cilin e kërkojnë dhe gjurmojnë

“Përkujtime dhe Predikime” Abdurrahman Ibn Xheuzi

Përktheu: Fatjon Isufi