Vlera e fjalës la ilahe il lAllah dhe çfarë e shkatërron atë

November 1, 2014

Nga shejhu i nderuar Salih es Suhajmi – Allahu e ruajttë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut të na ruajë nga sherri i vetes sonë dhe nga sherri i punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush e humb, dhe atë që e humb Allahu nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër i cili meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, Një e të pashoq dhe se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Lavdërimi, paqja dhe begatia e Allahut, qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

O ju vëllezër, o ju të dashur për hir të Allahut!

Ebu Hurejra radijAllahu anhu e pyeti të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tënd? I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Është ai që thotë ‘La ilahe il Allah’ (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), me sinqeritet nga zemra.”

Saktësohet nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel lem – se ka thënë: “Kush ka si fjalë të fundit ‘La ilahe il lAllah’  (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut) do të futet në Xhenet.” 

Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrin atij që thotë ‘La ilahe il lAllah’ (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), duke kërkuar me këtë Fytyrën (kënaqësinë) e Allahut.” 

Në hadithin autentik ka ardhur se: Musai alejhis selam tha: “O Zot, më mëso diçka me anë të së cilës do të lutem dhe do të përmend. Tha (Allahu): Thuaj: “La ilahe il lAllah.” Tha: O Zoti im, të gjithë robërit e Tu e thonë këtë fjalë. I Madhëruari tha: “O Musa, sikur të shtatë qiejt dhe çka në to përveç Meje, dhe shtatë tokat të vendosen në një anë të peshores, dhe fjala ‘La ilahe il lAllah’ në anën tjetër të saj, fjala ‘La ilahe il lAllah’ do të peshonte më shumë.”

Po ashtu në hadithin autentik ka ardhur se: “Ditën e Gjykimit sillet një person të cilit i shfaqin 99 regjistra. Ku secili regjistër është i madh aq sa arrin shikimi.” (Pra, me mëkate). Nëntëdhjetë e nëntë regjistra me mëkate. “Ku secili regjistër është i madh aq sa arrin shikimi.”

Pastaj atij i thuhet: “A mohon diçka prej tyre (regjistrave me mëkate)?”

Thotë: Jo.

I thuhet: A të kujtohet ndonjë e mirë (që ke bërë)? – Ai shtanget dhe nuk flet. Dhe i sjellin një kartë ku është shkruar fjala ‘La ilahe il lAllah’.

Personi thotë: Çfarë vlere ka kjo kartë në krahasim me këto regjistra (të mbushur me mëkate)?!

I thuhet: “Ty nuk do të bëhet asnjë padrejtësi.” Kështu që vendosen regjistrat në njërën anë të peshores dhe fjala ‘La ilahe il Allah’ në anën tjetër të saj, dhe karta me fjalën ‘La ilahe il Allah’ rëndon më shumë (se regjistrat) e kështu personi futet në Xhenet.”

Të gjithë këto hadithe dhe të tjera si ato me kuptim të ngjashëm, argumentojnë qartë për mirësinë e madhe të kësaj fjale madhore. Kjo fjalë është çelësi i fesë.

Dëshmia ‘La ilahe il lAllah Muhammedun rasulullah’ është obligimi i parë për çdo njeri.

Por, o rob i Allahut, a është për qëllim me këtë fjalë që njeriu ta shprehë vetëm me gjuhën e tij, pa ia ditur kuptimin dhe duke mos punuar me kushtet e saj?

Nëse do të ishte ky qëllimi (që të shprehej vetëm me gjuhë) dhe sikur ta thoshe këtë fjalë me miliona herë, kjo nuk do të kishte asnjë vlerë. Dhe hipokritët thonë ‘La ilahe il lAllah’, por kjo nuk u bën dobi atyre, sepse ata nuk e kuptojnë domethënien e saj dhe nuk punojnë me kushtet e saj.

Madje, pa besimtarët (e kohës së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e dinin kuptimin e kësaj fjale, prandaj dhe mushrikët kurejsh refuzuan që ta thoshin këtë fjalë. “Kur atyre u thuhej ‘La ilahe il lAllah’ ata tregoheshin mendjemëdhenj.” Ngase ata e dinin mirë se nëse do të thoshin ‘La ilahe il lAllah’, atëherë çdo gjë që adhurohet përveç Allahut do të mohohej dhe do të pohohej adhurimi vetëm për Allahun Një e të vetëm.

Prandaj dijetarët kanë thënë: Fjala ‘La ilahe il lAllah’ ka dy shtylla: Mohim dhe pohim.

“La ilahe” është mohim i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut. As engjëll i afërt dhe as ndonjë Profet i dërguar (nuk meriton të adhurohet, të lutet apo t’i kërkohet ndihmë sh.p.)

“Il lAllah” pohimi i adhurimit vetëm për Allahun, Një e të vetëm.

Në disa vende muslimane ekzistojnë varre që adhurohen përveç Allahut. Ku njerëzit, fatkeqësisht, kërkojnë ndihmë nga të vdekurit, zotohen për ta, bëjnë kurban për ta, u luten atyre duke kërkuar prej tyre që t’i furnizojnë me fëmijë. Kështu (me këto veprime) ata e shkatërrojnë fjalën ‘La ilahe il lAllah’.

Ishim në një prej vendeve islame ku njerëzit pas namazit të sabahut thoshin ‘La ilahe il lAllah’. Përsërisnin dhe thoshin bashkërisht vetëm ‘La ilahe il lAllah’ deri në kohën e duhasë (paradites). Sigurisht që thënia e saj bashkërisht (me xhemat) është prej bidateve. Pra, thoshin vetëm ‘La ilahe il lAllah’, ‘La ilahe il lAllah’, ‘La ilahe il lAllah’ bashkërisht. Pasi mbaruan nga ky veprim shkuan te një varr duke thënë: “Na dërgo shi o filan, na jep o filan.

Në një rast të tillë a mund të besohet se fjala ‘La ilahe il lAllah’ thuhet me sinqeritet? Kurrën e kurrës. Përkundrazi vepra të tilla e shkatërrojnë këtë fjalë.

Njësoj si ajo “gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort.” En Nahl: 92

Nuk ka vlerë fjala ‘La ilahe il lAllah’ nëse e lidh zemrën me dikë tjetër përveç Allahut. Qoftë ai me të cilën lidhet zemra (dhe kërkon ndihmë apo i lutesh) engjëll i afërt, apo Profet i dërguar, apo njeri i devotshëm, ose pemë apo gurë.

Nuk ka asnjë dallim mes atij që kërkon ndonjë nevojë nga Profeti, apo engjëlli, nga ai që i lutet dhe kërkon prej idhujve Lat, Uzza, Menat dhe Hubel.

Shkëputur nga hutbja e ditës së xhuma

dt. 24. 10. 2014

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...