Hutbe – Njohje me profetin Muhamed ﷺ

Në javët e kaluara kemi folur shkurtimisht rreth dijes, vlerës së saj dhe bazat e dijes Islame të cilat janë; njohja e Allahut, njohja e fesë Islame dhe njohja e Profetit ﷺ. Kemi folur rreth njohjes së Allahut dhe njohjes së fesë Islame, ndërsa sot do të flasim shkurtimisht rreth njohjes së Profetit ﷺ.

Profeti jonë ﷺ është Muhamedi i biri i Abdullahut, të birit të AbdulMutalibit të birit të Hashimit. Hashimi është prej fisit Kurejsh. Kurejshët janë pasardhës të Kenanit, Kenani është pasardhës i Adnanit, Adnani është pasardhës i Ismailit (alejhi selam) djali i Ibrahimit (alejhi selam).

Ai është Profeti i fundit dhe vula e Profetësisë. Ai është dërguar tek mbarë xhinët dhe njerëzit deri në Ditë të Gjykimit, ndryshe nga profetët e tjerë që ishin të dërguar vetëm tek populli i tyre.

Allahu e dërgoi me fenë e vërtetë dhe me udhëzim dhe mëshirë për krijesat. Ai është rob i Allahut dhe nuk adhurohet. Ai është i Dërguar i Allahut dhe nuk përgënjeshtrohet.

Është i dashuri i Allahut, prej profetërve të dalluar madje më i dalluari, krijesa më e mirë, më i mirë edhe se melekët. Edhe sheriati i tij është më i miri dhe i dobishëm e i vlefshëm deri në Ditë të Gjykimit në çdo kohë e çdo vend.

Allahu i dha si libër Kuranin dhe Allahu do t’a ruajë atë libër deri në Ditë të Gjykimit. Allahu e zgjodhi për t’a dërguar me Islamin, e urdhëroi ta tejçojë shpalljen e Tij tek njerëzit dhe e ka ruajtur nga gabimet në tejçimin e shpalljes.

Suneti ose rruga e tij, tradita e tij profetike është shpallje prej Allahut ashtu si edhe Kurani. Allahu thotë në Kuranin Famëlartë:

وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى * إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى

“Ai nuk flet nga vetja e tij por është Shpallje që i shpallet.”

Njeriu nuk është besimtar derisa të besojë në Profetësinë e tij. Ai i cili u bindet urdhërave të tij hyn në xhenet. Ai i cili e kundërshton rrugën ose urdhërat e tij do të hyjë në Zjarr.

Profeti ﷺ ka thënë: “Të gjithë do të hyjnë në Xhenet përveç atyre që refuzojnë. Thanë: Kush refuzon o i Dërguar i Allahut? Tha ﷺ: Ai i cili më bindet mua do të hyjë në Xhenet, ndërsa ai i cili më kundërshton ka refuzuar.”

Allahu i Lartësuar thotë:

“Çfarë t’ju japë Profeti merreni, e çfarë t’ju ndalojë përmbahuni!” (Hashr: 7)

“Kush i bindet Profetit i është bindur Allahut.” (Nisa: 80)

“Kush i bindet Allahut dhe Profetit do të hyjë në Xhenete nën të cilat rrjedhin lumenj.” (Nisa: 13)

“Bindjuni Allahut dhe bindjuni Profetit!” (Nur: 54)

“Bindjuni Allahut dhe bindjuni Profetit në mënyrë që të mëshiroheni!” (Ali Imran: 132)

“Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Profetit në mënyrë që të mëshiroheni!” (Nur: 56)

“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni Profetit dhe prijësave prej mesit tuaj (prej muslimanëve)! Kur bini në kundërshtim në ndonjë çështje kthehuni tek Allahu (Libri i Allahut) dhe tek Profeti (tradita profetike) nëse me të vërtetë besoni Allahun dhe Ditën e Fundit!” (Nisa: 59)

“Jo, pasha Zotin tënd! Nuk keni besuar derisa t’a merrni si gjykatës Profetin mes jush (e pas vdekjes së tij të merrni Kuranin dhe Sunetin e tij si gjykatës), dhe të mos keni asnjë hatërmbetje e pakënaqësi nga gjykimi i Profetit dhe t’i nënshtroheni plotësisht gjykimit të tij e t’a zbatoni atë.” (Nur: 65)

Pra, njeriu nuk është besimtar derisa të gjykojë me gjykimin e Profetit  ﷺ, dhe nëse ndodh që gjykimi i jep të drejtë palës tjetër ose është kundër teje të mos ketë hatërmbetje e pakënaqësi ndaj gjykimit të Profetit ﷺ, por t’i nënshtrohet dhe t’a zbatojë atë plotësisht.

Profeti jonë Muhamedi ﷺ ka jetuar 63 vite, dyzetë vjet ka jetuar para se të jetë Profet dhe me pas i është shpallur Islami dhe ka jetuar 23 vite si Profet (رسول) dhe Pejgamber (نبي). Ai u bë Pejgamber (نبي) kur i zbriti fjala e Allahut; “Lexo me Emrin e Zotit tënd i cili krijoi çdo gjë – اقرا باسم ربك الذي خلق” dhe u bë Profet (رسول) me zbritjen e sures el Mudethir. Vendlindja e tij është Meka. Allahu e dërgoi për të paralajmëruar nga shirku (adhurimi i të tjerëve përveç Allahut) dhe për të ftuar në adhurimin e Allahut të Vetëm dhe të Pashok.

Argument për këtë është fjala e Allahut:

يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ۞قُمْ فَأَنذِرْ۞وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ۞وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ۞ وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ

“O ti i mbuluar! Ngrihu dhe paralajmëro nga shirku! Zotin tënd madhëroje duke e adhuruar vetëm Atë! Veshjet e tua pastroji (dijetarët e tefsirit kanë thënë; pastroji veprat e tua nga shirku)! Lëri e largoju atyre që adhurohen përveç Allahut, dhe largoju idhujtarëve dhe mos u shoqëro me ta!”

Ai ftoi vetëm në adhurimin e Allahut të Vetëm e të pashok dhe lënien e adhurimit të tjerëve përveç Allahut për dhjetë vite. Pas vitit të dhjetë të profetësisë u ngrit në qiell natën e Israsë dhe Miraxhit dhe atje i’u bë detyrë namazi pesë vakte në ditë. U fal në Meke tre vite dhe më pas u urdhërua për hixhret (emigrim) në Medine.

Hixhreti është emigrimi nga vendi joislam për në një vend Islam, dhe ai është detyrë e obligim fetar. Profeti ﷺ u urdhërua të emigronte nga vendi më i mirë në botë Meka, sepse Meka në atë kohë ishte vend idhujtarie ndërsa Medina ishte vend Islam.

Disa muslimanë nuk emigruan nga Meka për në Medine kur erdhi urdhëri, ndaj Allahu zbriti për ta ajetin Kuranor:

“Kur t’u vijë vdekja atyre që i kanë bërë padrejtësi vetes (kanë bërë gjynah të madh që nuk emigruan nga vendi joislam në vend islam) do t’u thonë melekët: Si është puna juaj? Pse vepruat keshtu? Do të thonë: Ishim të dobët e të pafuqishëm. Melekët do t’u thonë: A nuk ishte toka e Allahut e gjerë dhe e madhe që të emigronit në të? Përfundimi i tyre është Xhehenemi e sa përfundim i keq është ai. Pra Allahu i ka kërcënuar me zjarr, përveç meshkujve të dobët, grave e fëmijëve të pafuqishëm të cilët nuk kanë asnjë mënyrë sesi të emigrojnë. Allahu i faltë! Me të vërtetë Allahu është Falës i madh!”

Profeti ﷺ ka thënë: “Emigrimi nga vendi joislam në vendin Islam do të jetë detyrë derisa të jetë pendesa detyrë. Pendesa është detyrë derisa të lindë dielli nga perëndimi (pra deri në ditën e Gjykimit).”

Kur Profeti ﷺ zuri vend në Medine u urdhërua me pjesët e tjera të fesë, si; zekati, agjërimi, haxhi, ezani, lufta, urdhërimi për mirë, ndalimi nga e keqja etj. Periudha e Medines zgjati dhjetë vite. Profeti ﷺ vdiq në datën 12 Rabiul Euel, pas dhjetë vitesh qëndrimi në Medine.

Islami është feja me të cilën ai u dërgua. Profeti ﷺ na tregoi çdo gjë të hajrit dhe na drejtoi tek ato, dhe na paralajmëroi ndaj çdo të keqeje.

Allahu i dha shumë mrekulli ku më e madhja e tyre ishte Kurani. Përveç Kuranit mrekulli madhështore është edhe Israja dhe Miraxhi. Profeti ﷺ u mor nga shtëpia e tij në Meke dhe u dërgua në xhaminë Aksa në Palestinë. Më pas u ngrit prej aty për në qiej me rradhë një e nga një deri në qiellin e shtatë, dhe foli me Allahun i Cili është mbi qiellin e shtatë mbi Fronin e Tij madhështor. Më pas u kthye në shtëpinë e tij në Meke. E gjitha kjo ka ndodhur në një pjesë të natës.

Prej mrekullive të tjera që j’u dhanë prej Allahut është ndarja e hënës. Idhujtarët j’a kërkuan këtë gjë si shenjë që vërteton se është i Dërguar nga Allahu sepse Allahu jep  mrekulli të tilla që njerëzit të besojnë Profetin. Allahu e ndau hënën dhe të gjithë e panë qartë këtë gjë, por ata u treguan përgënjeshtrues të këqinj dhe mohues e nuk e pranuan Islamin.

Prej mrekullive të tjera ishte se ushqimi shumëfishohej dhe në një vend ku hante Profeti ﷺ hanin edhe gjithë shokët e tij me radhë e nuk mbaronte ushqimi. Gjithashtu, shumëfishimi i ujit dhe burimi i ujit nga gishtat e tij ﷺ.

Shërimi i të sëmurëve, nënshtrimi i kafshëve ndaj tij, shikimi pas shpine në namaz, informimi prej Allahut për disa çështje të gajbit (të fshehtës), pranimi i duave të tij, hakmarrja e menjëhershme e Allahut ndaj atyre që e tradhëtonin ose nënçmonin, ruajtja nga Allahu ndaj tij etj.