Vlerat e sadakasë në varësi të rrethanave dhe kushteve të caktuar
Vlerat e sadakasë janë të shumta në aspektin shpirtëror dhe atë material, në këtë botë dhe në tjetrën. Por kjo vepër, në kohë të caktuara, në rrethana dhe kushte të caktuara, në lidhje me kategori të veçanta, merr një kuptim akoma më të rëndësishëm, dobia e saj është më e madhe dhe shpërblimi i saj është më i mirë.
1) Gjëja e parë që lidhet me sadakanë është dhënia e saj fshehurazi. Kjo për vetë faktin se në këtë mënyrë është më afër sinqeritetit dhe pastërtisë së nijetit.
Allahu thotë: “Nëse i jepni sadakatë haptazi kjo është e mirë por nëse i jepni ato fshehurazi tek të varfrit, kjo është akoma më e mirë për ju” (Bekarah 271). Pra, çdo vepër e sinqertë është e pranuar, qoftë e kryer fshehurazi apo haptazi, por preferohet që sadakaja më mirë të jepet fshehurazi sepse në këtë mënyrë sinqeriteti është më i lartë dhe eliminon mundësinë e ngacmimit të shejtanit nëse do e shihnin të tjerët dhe do e lavdëronin. Sidoqoftë nëse dhënia haptazi në raste të caktuara ndikon për të nxitur të tjerët që të japin, padyshim që është gjë e mirë, duke u bërë sebep që dhe të tjerët të kontribuojnë. Në përgjithësi dijetarët kanë një rregull: Çdo vepër e obligueshme preferohet të kryhet haptazi, në bashkësi, ndërsa çdo vepër vullnetare preferohet më shumë që të kryhet veçmas, fshehurazi, siç tha Profeti salallahu alejhi ue selem: “Saqë të mos dijë e majta se çfarë dha e djathta” (Buhariu 3/364), pra e jep dhe nuk kthehet më prapa të shohë, as nuk ndalon që të presë lëvdata dhe falënderime, siç thotë Allahu duke na treguar për sjelljen e duhur: “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim” ( Insan 9).
Ibnul Kajjimi në lidhje me ajetin e mëparshëm (të sures Bekarah) tha:
Medito në faktin se si Allahu e specifikoi fshehjen me sadakanë që u jepet të varfërve, sepse ka sadaka që nuk mund të fshihet si p.sh: ndërtimi i një ure, hapja e një pusi, etj. Ndërsa dhënia e sadakasë fshehurazi tek të varfrit ka dobi të shumta: Nuk e vë në siklet të varfrin para njerëzve që ta ndjejë veten të demaskuar dhe të poshtëruar, nuk e shfaq para njerëzve se ai është dora e ulët që merr dhe si pasojë njerëzit nuk e vlerësojnë dhe nuk kanë raporte të barabarta me të në sjellje. E gjithë kjo është shtesë përveç faktit që bamirësi ruan sinqeritetin, shpëton nga syefaqësia dhe dëshira për tu lavdëruar.
2) Sadakaja që jepet në kohë shëndeti dhe force, është më e mirë se sadakaja në kohë sëmundje ose kur ndjen se do vdesë apo amanetet për sadaka pas vdekjes. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është ajo që jepet kur ti je i shëndetshëm dhe koprrac, e do pasurinë dhe ia ke frikën varfërisë, dhe mos e vono derisa të të vijë shpirti në fyt dhe të fillosh e të thuash: Jepini filanit kaq dhe jepini tjetrit aq, kur diçka e tillë u takonte që me kohë” (Transmeton Buhariu nr 1419 dhe Muslimi). Pra, duhej tu kishte dhënë atyre që më përpara sepse e meritonin për shkak të varfërisë.
3) Sadakaja që jepet pas kryerjes së obligimeve, pra pasi të ketë dhënë zekatin, pasi të ketë përmbushur nevojat familjare dhe përkujdesjen për prindërit. Allahu thotë: “Të pyesin ty: Çfarë të japim? Thuaj:Tepricën” (Bekarah 219)
Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka sadaka më të vlefshme se ajo që jepet nga njeriu që ka pasuri”( Transmeton Buhariu 1426, Nesaiu 2534, e saktësoi Albani), pra ai i cili ka plotësuar nevojat e veta, sepse nuk është e arsyeshme që të ketë prindërit apo fëmijët apo bashkëshorten që kanë nevojë për ushqim apo ilaçe dhe ndërkohë ndihmon të tjerët, siç thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Filloje me ata që ke nën përgjegjësi” ( Transmeton Nesaiu 2534, e saktësoi Albani).
4) Megjithatë ka raste kur njeriu , megjithëse nuk është me pasuri apo ka mangësi në plotësimin e nevojave të tij, ka dëshirën e flaktë që të kontribuojë, të japë diçka, e cila megjithëse të varfrin nuk e nxjerr nga varfëria por bamirësit i mundëson të përjetojë kënaqësinë e bamirësisë, të rezervojë për veten një vepër të sinqertë dhe me dëshirë të zjarrtë, e cila nuk do të vlerësohet sipas sasisë por sipas çiltërsisë. Mund të jetë e pakët në sasi por me vlerë të pamasë tek Allahu. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është sakrifica e atij që ka pak gjë” (Transmeton Nesaiu 2526, Ibn Haxheri në Fet-hul Barij 3/374.E saktësoi Albani) dhe tha: “Një dirhem është më i vlefshëm se njëqind mijë dirhem. Sahabët të habitur thanë: E si është e mundur kjo? Tha: “Një person kishte vetëm dy dirhemë, e dha sadaka njërin prej tyre, ndërsa një tjetër shkoi tek pasuria e tij e shumtë, mori prej saj njëqind mijë dirhem dhe i dha sadaka” (Transmeton Nesaiu nr 2527. Albani e konsideroi hasen).