Përmendja e havarixhëve në hadithet Profetike

  1. Tema: Përmendja e havarixhëve[1]

145/167. (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë: Na ka treguar Ismail bin Ulejjeh: Nga Ejjubi: Nga Muhamed bin Sirin: Nga Abideh: Nga Ali bin Ebi Talib radijAllahu anhu se ka thënë: Përmendi havarixhët dhe tha: “Në mesin e tyre është një burr me dorë të cunguar ose me dorë të vogël (me tw meta). Sikur ju mos të gëzoheshit, atëherë do t’ju tregoja se çfarë ka përgatitur Allahu në gjuhën e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për ata që i luftojnë.” Thash: Ti e ke dëgjuar këtë nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem? Tha: “Po, pasha Zotin e Kabes” tri herë.[2]

146/168. (Sahih ligajrihi)[3] Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Abdullah bin Amir bin Zurarah se kanë thënë: Na ka treguar Ebu Bekr bin Ajjas: Nga Asimi: Nga Zirri: Nga Abdullah bin Mesudi radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në kohën e fundit kanëë për t’u shfaqur disa njerëz të rinj në moshë, mjendjelehtë, të cilët flasin me fjalët e krijesës më të mirë. E lexojnë Kuranin por ai nuk e kalon gurmazin e tyre. Ata dalin nga Islami ashtu sikurse del shigjeta prej shënjestrës së saj. Kush i takon (gjen) le t’i luftojë, sepse ai që i vret ata, do të ketë shpërblim te Allahu.”[4]

147/169. (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë: Na ka treguar Jezid bin Harun se ka thënë: Na ka lajmëruar Muhamed bin Amër: Nga Ebu Selemeh se ka thënë: I thashë Ebi Seid el-Hudrijut: A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë diçka për harurijet[5]? Tha: E kam dëgjuar të përmend: “Disa njerëz që janë adhurues të përkushtuar[6] ku namazi i ndonjërit nga ju në krahasim me namazin e tyre nuk është asgjë, agjërimi i ndonjërit nga ju në krahasim më agjërimin e tyre nuk është asgjë dhe dalin nga feja ashtu sikurse del shigjeta prej shënjestrës së saj. Pastaj gjuajtësi e merr shigjetën, shikon mos sheh gjak në majën e saj, por nuk sheh gjë, pastaj shikon fijen që mban lidhur majën e shigjetës me trupin e saj, por nuk sheh gjë, pastaj shikon trupin e shigjetës, por nuk sheh gjë (gjak), pastaj shikon pendën e shigjetës, dhe dyshon, a pa ndonjë gjë (pikë gjaku) apo jo?![7]

148/170. (Sahih) Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë: Na ka treguar Ebu Usameh: Nga Sulejman bin el-Mugirah: Nga Humejd bin Hilali: Nga Abdullah bin es-Samit: Nga Ebu Dherri radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë pas meje nga populli (umeti) im -ose- do të ketë pas meje nga populli im njerëz të cilët e lexojnë Kuranin por ai nuk e kalon gurmazin e tyre, dalin nga feja ashtu sikurse del shigjeta prej shënjestrës së saj dhe nuk kthehen më (përsëri) në të. Ata janë krijesat më të keqija.” [8]Abdullah bin es-Samit thotë: Këtë ia përmenda Rafii’ bin Amër, vëllai i El-Hakem bin Amër el-Gifarij i cili tha: Gjithashtu dhe unë e kam dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

149/171. (Sahih ligajrihi)[9] Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Suvejd bin Seid se kanë thënë: Na ka treguar El-Ahvesi: Nga Simaku: Nga Ikrameh: Nga Ibën Abasi radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Disa njerëz nga populli (umeti) im do e lexojnë Kuranin dhe dalin prej Islamit ashtu sikurse del shigjeta prej shënjestrës së saj.”[10]

150/172. (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin es-Sabbahi se ka thënë: Na ka njoftuar Sufjan bin Ujejneh: Nga Ebu Ez-Zubejr: Nga Xhabir bin Abdullah radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte në El-Xhi’ran dhe po ndante arin dhe argjendin (e pa përpunuar) dhe plaçkën e luftës. Një burr i tha: O Muhamed! Bëhu i drejtë (mbaj drejtësi në ndarjen e plaçkës së luftës), sepse ti nuk po mban drejtësi. (Profeti alejhis-selam) Tha: “I mjeri ti! E kush mund të mbajë drejtësi pas meje nëse unë nuk e bëj një gjë të tillë?” Umeri tha: O i Dërguari i Allahut! Më lejo ta vras këtë munafik. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Nuk është i vetëm, ai ka dhe të tjerë që e pasojnë atë. Ata e lexojnë Kuranin por ai nuk e kalon gurmazin e tyre dhe dalin prej fesë ashtu sikurse del shigjeta prej shënjestrës së saj.”[11]

151/173. (Sahih ligajrihi)[12] Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh se ka thënë: Na ka treguar Is’hak el-Ezrak: Nga El-Eamashi: Nga Ibën Ebi Eufa se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Havarixhët janë qentë e zjarrit (të xhehenemit).”[13]

152/174. (Hasen) Na ka treguar Hisham bin Ammar se ka thënë: Na ka treguar Jahja bin Hamzeh se ka thënë: Na ka treguar El-Euzai: Nga Nafiu: Nga Ibën Umeri radijAllahu anhuma se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një grup të rinjsh do të shfaqen. Ata e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon gurmazet e tyre. Sa herë që shfaqet (del) një brirë i tyre, ai pritet.” Ibën Umeri tha: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: ” Sa herë që shfaqet (del) një brirë i tyre, ai pritet” -më shumë se njëzet herë- derisa të shfaqet nga anët e tyre Dexhali.[14]

153/175. (Sahih) Na ka treguar Bekr bin Khalef Ebu Bishr se ka thënë: Na ka treguar Abdurrazaku: Nga Ma’mera: Nga Katadeh: Nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Do të dalin disa njerëz në kohën e fundit -ose- në këtë popull (umet) që e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon grumazet e tyre -ose fytet e tyre-. Shenja (dalluese) e tyre është rruajtja e kokës. Prandaj kur t’i shihni -ose kur t’i shihni ata- i vrisni.”[15]

154/176. (Hasen) Na ka treguar Sehl bin Ebi Sehl se ka thënë: Na ka treguar Sufjan bin Ujejneh: Nga Ebu Galib: Nga ebu Umameh se ka thënë: “Ata janë të vrarët më të keqij nën këtë qiell dhe të vrarët më të mirë janë ata që vriten prej tyre. Ata janë qentë e banorëve të zjarrit (të xhehenemit). Ata kanë qenë muslimanë por u kthyen në jobesimtarë.” Thash: O Ebu Umameh! Këtë e thua ti? Tha: “Përkundrazi. Këtë e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”[16]

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Përkufizimi i havarixhëve: ‘Khauarixh’ është shumësi i fjalës ‘kharixhij’ (i dalë) që do të thotë: “Ai i cili ka hequr dorë nga bindja ndaj prijësit të muslimanëve, duke shfaqur mosbindjen, rebelimin dhe duke ngritur krye ndaj tij.”

Ose në një përkufizim tjetër: “Havarixhët janë ata që i konsiderojnë muslimanët kafira (pabesimtarë) në qoftë se bëjnë gjynahe të mëdha si dhe dalin kundra prijësve muslimanë.”

[2]  Muslimi (1066), Ebu Daudi (4763), “Er-Rauda” (699) dhe “Tuhfeh” (10233)

[3] Te botimi I shejh Mesh’hur al Selman është (Hasen Sahih).

[4] Tirmidhiu (2188), “Dhilalul-Xhenneh” (914), “Er-Rauda” (684) dhe “Tuhfeh” (9210). Shejh Sulejman er-Ruhajli (Allahu e ruajttë! ) thotë: Nuk ka dyshim se luftimi i havarixhëve është lufta më e madhe në rrugë të Allahut. Profeti  sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar për luftimin e tyre dhe ka sqaruar se në luftimin e tyre ka shpërblim te Allahu për atë që i lufton ata. Dhe ka njoftuar se nëse ai  sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do t’i arrinte ata, do t’i kishte luftuar. Lufta ndaj tyre bëhet me gjuhë, demaskim dhe sqarim të bazave të tyre të prishura. E këtë gjë e bëjnë vetëm dijetarët. Po ashtu (luftimi ndaj tyre) është duke i luftuar ata, e kjo i takon vetëm prijësit (qeveritarëve) dhe jo individëve. Pra, luftimi i tyre i takon prijësit nëse e sheh të nevojshme luftimin e tyre. Mendimi i shumicës së dijetarëve, e kjo është e saktë – dhe të cilën e ka mbështetur dhe shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe të tjerët veç tij – është se: Nëse mësohet se dikush është prej havarixhëve dhe nuk pendohet, ai luftohet (vritet) edhe nëse është një person i vetëm.” Kur Sabigu pyeste për ajetet e paqarta (muteshabih) në kohën e Umerit radijAllahu anhu, ai ia zbuloi atij kokën, dhe pa se ishte me flokë. E i tha: “Nëse do ta kishe kokën të rruajtur (kjo ka qenë shenjë e havarixhëve në atë kohë) do të ta prisja kokën.” Sepse ai ndiqte gjërat (ajetet) jo të qarta, e kjo është prej cilësive të havarixhëve. Prandaj Umeri radijAllahu anhu ia zbuloi kokën atij dhe nuk e gjeti atë me kokë të rruajtur. Dhe i tha atij: “Nëse do ta kishe kokën e rruajtur, do të ta prisja kokën.” Shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Me këtë janë argumentuar dijetarët se personi luftohet (vritet) edhe nëse është një i vetëm.” Porse kjo është çështje që i përket vetëm prijësit dhe nuk i takon ndonjë individi të thotë: “Pasha Allahun ky është havarixh dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë se në vrasjen e tyre ka shpërblim, prandaj unë po e vras këtë.” Jo. kjo i takon vetëm prijësit.

[5] Ky sekt i humbur njihet me disa emra: Hauarixh, Harurijjeh, Mukeffirah, Nasibeh, Marikah, Ehlu Nehrauan.

[6] Ibën Abbasi radijAllahu anhuma thotë: “Nuk kam parë popull që perpiqen në adhurim më shume se ata. Duart e tyre janë te ashpra si të ishin gjunjë të devesë (nga sexhdet e shumta) dhe në fytyrat e tyre shihen qartë shenjat e sexhdes. ” Mexhmeu Zeuaid” (6/240)

[7] Për shkak të shpejtësisë dhe forcës që del shigjeta. Pra, havarixhët dalin nga feja aq shpejt dhe fortë, sa shigjeta që hyn e del në trupin e të vrarit pa ngelur në të asnjë pikë gjaku; ashtu edhe havarixhët, dalin nga feja pa mbetur në zemrën e tyre fije besimi. Buhariu (3610), Muslimi (1064), “Dhilalul-Xhenneh” (923), “El-Irvau” (2470) dhe “Tuhfeh” (4421)

[8] Muslimi (1067) dhe “Tuhfeh” (11940). Imam Ahmed bin Hanbeli (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Havarixhët janë populli keq. Nuk di të ketë mbi tokë popull më të keq se ata.” “Es-Sunneh” i El-Khal-lali nr. 110.

[9] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është (Sahih)

[10] “Es-Sahihah” (2201) dhe “Tuhfeh” (6125)

[11]  Buhariu (3138), Muslimi (1063), “Dhilalul-Xhenneh” (943) dhe “Tuhfeh” (2772)

[12] Te botimi i shejh Mesh’hur Al Selman është (Sahih)

[13]  “Er-Rauda” (606 dhe 908), “El-Mishkah” (3554), “Dhilalul-Xhenneh” (904) dhe “Tuhfeh” (5169)

[14] “Es-Sahihah” (2455) dhe “Tuhfeh” (7758)

[15] Ebu Daudi (4765), “Dhilalul-Xhenneh” (940/945), “El-Mishkah” (3543) dhe “Tuhfeh” (1337)

[16] Tirmidhiu (3000), “El-Mishkah” (3554), “Er-Rauda en-Nedir” (1/908) dhe “Tuhfeh” (4935)