Pozita e Sunetit në Islam

Pozita e Sunetit në Islam

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin vulën e profetëve, i cili ka thënë: “Mua më është dhënë Kurani e më është dhënë edhe njëherë sa ai.”[1]

Në vazhdim…!

Allahu Lartësuar e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim dhe fenë e vërtetë,[2] përgëzues dhe qortues,[3] kandil ndriçues kur kishte kaluar një periudhë kohore që njerëzit nuk kishin të dërguar. Me anë të tij të verbërit iu kthye shikimi (mësoi rrugën e drejtë) ndërsa i humburi u udhëzua. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem qartësisht e kumtoi Shpalljen derisa popullin e tij e la në qartësi (bardhësi), nata e së cilës është njësoj si dita. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë po ju lë dy gjëra, që nëse kapeni fort pas tyre nuk keni për të humbur pas meje. Ato janë Libri i Allahut dhe Suneti im.[4]

Gjithashtu ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që do jetojë prej jush ka për të parë kundërshtime të shumta. Ju këshilloj të kapeni fort tek Suneti im dhe suneti i prijësve të drejtudhëzuar. Kapuni fort pas tyre me dhëmballë. Kini kujdes nga çështjet e shpikura, sepse çdo shpikje është bidat e çdo bidat është humbje.[5]

Tema e bisedës sonë në këtë takim të begatë, inshaAllahu, është rreth sunetit profetik dhe pozitën e tij në Islam.

[Kuptimi i fjalës “Es-Sunneh” nga ana gjuhësore dhe terminologjike]

Es-Sunneh” nga ana gjuhësore është për qëllim: Rrugë.

Allahu Madhëruar thotë: “Fehel jendhurune il-lë sunnet el euuelin –Vallë, a presin ata diçka tjetër veç asaj që ka goditur të mëparshmit?[6] Pra, rrugën ose traditën e atyre mbi të cilët u zbatua gjykimi i Allahut të Lartësuar te përgënjeshtruesit dhe kundërshtuesit e të dërguarve.  Prandaj ligji iAllahut mbi ta është që t’i dënojë për shkak të kundërshtimit që u bënë të dërguarve.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Keni për të ndjekur sunetet e atyre që kanë qenë para jush.[7] Pra, rrugët e popujve që kanë qenë para jush. Kjo tregon se me “Es-Sunneh” nga ana gjuhësore është për qëllim rruga.

Ndërsa në terminologjinë e dijetarëve të legjislacionit islam; te dijetarët e hadithit dhe dijetarët e bazave (usulit) dhe jurisprudencës (fik’hut) islame me “Es-Sunneh” është për qëllim “çdo gjë që saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem prej fjalëve, ose veprave, ose aprovimeve të tij.”

Disa nga dijetarët kanë shtuar: “Ose cilësive të tij.”

Prandaj çdo gjë që saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem prej këtyre që përmendem ajo konsiderohet Sunet i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ky është përkufizimi i “Es-Sunneh” te dijetarët e legjislacionit islam.

Vijon…

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Transmeton imam Ahmedi në “Musnedin” e tij (4/130)

[2] Allahu Madhëruar thotë: “Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.” Saff, 9. Sh.p.

[3] Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse përgëzues dhe qortues.”El Isra, 105. Sh.p.

[4] Transmeton imam Maliku në “El-Meuta” (2/899) hadithi (1594)

[5] Transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij (4/20) hadithi (4607), Et Tirmidhi në “El-Xhamiu” (5/44) hadithi (2676), Ibën Maxhe në “Sunenin” e tij (1/15) hadithi (42) dhe imam Ahmedi në “Musnedin” e tij (4/126)

[6] Fatir, 43

[7] Transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij (3/1274) hadithi (3269) dhe Muslimi në “Sahihun” e tij (4/2054) hadithi (2669)