Shpjegimi i Kuranit me anë të haditheve

Tefsiri (shpjegimi) i Kuranit përmes haditheve autentike është shumë i rëndësishëm. Kjo për arsye se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është njeriu më i ditur në lidhje me kuptimin e asaj që synon Allahu. Ai ishte ashtu siç ka thënë Allahu për të: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij.” | En Nexhm: 3-4 |

Allahu ia shpalli Profetit të Tij Kuranin me qëllim që t’ua shpjegojë atë njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” | En Nahl: 44 |

Ndërsa i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë mua më është dhënë Kurani dhe diçka tjetër e ngjashme me të (suneti).”[1]

Shembulli i parë:

Allahu i Lartësuar thotë: “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni.” | El Enfal: 60 |

Shpjegimi i termit forcë transmetohet në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë: “Vërtet forca është në hark (gjuajtje) (ai e përsëriti këtë 3 herë).”[2]

Kurtubiu ka thënë: “Forca u shpjegua me harkun (gjuajtjen) paçka se forca mund të manifestohet edhe me armë të tjera luftarake. Harku (gjuajtja me të) është më i rëndë në dëmtimin e armikut dhe është i shpejtë. Mund të lëshohet dhe të godasë kreun e një skuadrilje luftarake, dhe kështu i tremb dhe i bën të thyhen ata që vijnë pas tyre.”

Unë them: Edhe sot e kësaj dite armët e reja të luftës funksionojnë dhe sillen ende rreth hedhjes (gjuajtjes). Për këtë arsye Islami e inkurajoi mësimin e përdorimit të harkut (gjuajtjes), veçanërisht për të rinjtë. Ah sikur t’i kushtonin rëndësi bashkë me mësimin e notit, në vend që të mësojnë disa forma të tjera sportesh të cilat i kanë penguar nga kjo.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që e mëson përdorimin e harkut (gjuajtjes me të) dhe pastaj e harron, ai nuk është prej nesh ose ka mëkatuar.”[3]

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë një grupi njerëzish që garonin me njëri-tjetrin në hedhjen e shtizës, dhe ju tha: “Gjuani shigjetat tuaja o bijtë e Ismailit, sepse vërtet babai juaj ishte gjuajtës. Gjuajini shigjetat dhe unë po bëhem me bijtë e filanit.

Ai tha: Njëri nga dy grupet ndaloi. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha: Si qëndron puna, pse nuk i gjuani shigjetat? Ata u përgjigjën: Si mund t’i gjuajmë ndërkohë që ti je me ata? Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Gjuajini shigjetat sepse unë jam me të gjithë ju.”[4]

Shembulli i dytë:

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!” | El Gafir: 60 |

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e shpjegoi adhurimin duke thënë: “Duaja (lutja) është vet adhurimi.”[5]

Shembulli i tretë:

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” | Junus: 26 |

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e shpjegoi fjalën “madje edhe më tepër” me shikimin në Fytyrën e Allahut të Lartësuar, kur tha: “Dhe kështu do të hiqet perdja dhe atyre nuk do t’u jepet asgjë më e dashur sesa shikimi tek Zoti i tyre, – dhe më pas lexoi ajetin: “Ata që bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”[6] | Junus: 26 |

Shembulli i katërt:

Në fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë: “Ditën kur kërciri të zbulohet (ditën e ringjalljes).” | El Kalem: 42 |

Buhariu në kapitullin e Tefsirit dhe pikërisht në shpjegimin e këtij ajeti, përmendi hadithin e mëposhtëm: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet Zoti ynë do ta zbulojë kërcirin e Tij dhe kështu të gjithë besimtarët dhe besimtaret do të bëjnë sexhde. Ata që bënin sexhde në këtë botë vetëm për t’u dukur dhe për të rënë në sy, do përpiqen të bëjnë sexhde por shpinat e tyre do të qëndrojnë drejt (do të ngrijnë) – duke mos bërë sexhde -.”[7]

Kjo nuk nënkupton se ne po e përngjasojmë Allahun me krijesat e Tij apo se po i japim Allahut formë, sepse “Nuk ka asnjë të ngjashëm me Të.”

Në të vërtetë ehli suneti dhe xhemati pohojnë për Allahun atë që Allahu e ka pohuar për Veten e Tij, si; dy duart, fytyra, dëgjimi, shikimi. Gjithashtu pohojnë edhe atë që ka pohuar i Dërguari i Allahut, si; saku (kërciri), gishtat, këmba, në atë mënyrë që përkon me madhështinë e Allahut sepse ne nuk e dimë se si janë këto atribute.

Pozita e hadithit ndaj Kuranit:

  • Kur hadithi është në përputhje me atë që është përmendur në Kuranin famëlartë. Kurani dhe hadithi janë të ndërthurura në aspektin e argumenteve dhe të numrit të tyre, siç është; urdhërimi për faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e muajit të Ramazanit dhe kryerjen e haxhit. Gjithashtu; për ndalimin e shirkut ndaj Allahut, dëshmisë së rreme, mosbindjen ndaj prindërve, luftën në rrugën e Zotit etj.
  • Kur hadithi vjen si sqarues dhe detajues për atë që përmendet në Kuranin famëlartë, si p.sh.; detajimi i kohëve të namazit, numri i rekateve të tij, shumat dhe kohët e zekatit, pasuria që jepet për zekat, dispozitat e agjërimit, ritualet e haxhit, dhe të tjera që erdhën të përmbledhura në Kuran.
  • Kur hadithi vjen për të vërtetuar një vendim për të cilin Kurani ka heshtur, siç është; ndalimi i martesës së dikujt me një grua, me hallën e saj, me tezen e saj, ngrënia e çdo kafshe të egër mishngrënëse, zogu me kthetra, dhe shumë vendime të tjera që janë ligjëruar vetëm se në sunet.
  • Kur hadithi vjen si kufizues ndaj asaj që është përmendur në mënyrë të përgjithshme në Kuranin famëlartë, si p.sh. tregimi i vendit ku duhet prerë dora e hajdutit.
  • Kur hadithi përcakton përgjithësimin e Kuranit, siç është sqarimi i sasisë së mallit që obligon prerjen e dorës së atij që e ka vjedhur.

 

Marrë nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin”.

Shkroi: Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————

[1] Sahih. E përcjell Ebu Davudi.

[2] E përcjell Muslimi.

[3] E përcjell Muslimi.

[4] E përcjell Buhariu.

[5] E përcjell Tirmidhiu dhe ka thënë se hadithi është i mirë dhe i saktë.

[6] E përcjell Muslimi.

[7] Kapitulli: “Ditën kur kërciri të zbulohet (ditën e ringjalljes)” 6/72.