
Porositë e etërve për bijtë III
O biri im! Bëj kujdes, mos lë gjë mangët në adhurimin e Zotit tënd, sepse Ai thotë në Librin e Tij të Lartë: «Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindët, veçse të më adhurojnë vetëm Mua. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as që ata të më ushqejnë Mua. Vërtet që Allahu, është padyshim, Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.” (Edh-Dharijat 56-58).
O biri im! Përpiqu gjithnjë, ta kryesh faljen farz në kohën e saj me xhemat.
Kur të afrohet koha, shpejto të marrësh abdes dhe mos ngushto njeri në rrugë. Mos e shpërdoro ujin. Kur muezini të ketë thirrur ezanin, drejtohu nga kibla dhe fal sunetet që janë para farzit. Më pas ulu me prehje dhe qetësi, derisa të thirret ikameti. Falu në xhemat me frikërespekt dhe përulje. Dije mirë, se gjatë kohës që falesh po i drejtohesh duke thirrur Zotin tënd dhe duke qëndruar para Tij. Bëj kujdes, nga ngacmimet e shejtanit, nga e qeshura në prani të Mbrojtësit tënd dhe mos e angazho zemrën tënde me diçka tjetër veç thirrjes së Zotit tënd.
O biri im! Pasi të kryesh namazin farz, fal sunetet që janë pas, dhe bëj lutje të mira sa ta shohësh të arsyeshme. Kërko falje prej Zotit tënd, kërkoji Atij të të japë sukses, se Ai është Dhuruesi i të mirave dhe i Dijshmi.
O biri im! Nëse ke mundësi ulu në xhami vetëm duke qenë me abdes sepse xhamitë janë shtëpitë e Allahut. Dhe nuk është prej edukatës të hysh në shtëpinë e Zotit tend, duke mos qenë i përgatitur për adhurimin e Tij.
O biri im! Masa e gjerë e muslimanëve i sheh nxënësit e dijes me respekt dhe u duket e madhe çdo gjë e vogël që buron prej tyre. Prandaj, bëj kujdes, o biri im, që të mos lëshohen gjuhët e masës së gjerë të popullit tek ti. Mos e ço zërin në xhami, sepse këtë gjë kur e bën dikush nga masa e gjerë e popullit është e shëmtuar, por kur e bëjnë nxënësit e dijes është edhe më e shëmtuar. Mos bëj fjalë me asnjë nga vëllezërit e tu dhe mos u grind me asnjë prej tyre. Mos pengo dhe mos ngushto asnjë musliman që të adhuroj Zotin në shtëpinë e Mbrojtësit të tij.